1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Kryeministrja e Skocisë synon referendum për pavarësinë

Brexit-i i vë skocezët para një dileme. Shumica votoi për të qendruar në BE. Kryeministrja skoceze do që t'i japë popullit mundësinë që të votojë edhe njëherë për shkëputje nga Britania e Madhe.

Kryeministrja e Skocisë Nicola Sturgeon do t'i kërkojë parlamentit skocez që të vendosë për një referendum të ri për pavarësi nga Britania e Madhe. Synimi i saj është që ta mbajë referendumin në fund të 2018-ës ose në fillim të 2019-ës, kur të jenë qartësuar kushtet për daljen e Britanisë së Madhe nga BE, tha Sturgeon në Edinburg.

Si reagon Westminsteri?

Sturgeon reagon me vendimin e saj ndaj kryeministres britanike Theresa May, e cila ka marrë kursin për të bërë një dalje të ashpër nga BE; kjo do të thotë për dalje edhe nga Tregu i Përbashkët Evropian dhe nga Bashkimi Doganor. Qeveria e Londrës nuk i është afruar "as një centimetër interesave të Skocisë", tha Sturgeon. Qeveria skoceze kërkon një rol të posaçëm për Skocinë, që ajo të mbetet në Tregun e Përbashkët Evropian. Shumica e skocezëve votoi vitin e kaluar në referendumin e Brexitit që vendi të mbetet në BE. Por shumica e anglezëve dhe e banorëve të Uellsit votuan pro daljes nga BE.

Qeveria britanike në Londër e kritikoi ashpër lëvizjen skoceze: një referendum i tillë do të ishte "përçarës" dhe do të çonte "në momentin më të keq të mundshëm" në një "pasiguri të madhe ekonomike", thuhet në një deklaratë të Downing Street. Qeveria e Edinburghut duhet të përpiqet në vend të kësaj që t'i "administrojë më mirë" punët e saj të brendshme.

Kryeministrja britanike, Theresa May tha se "politika nuk është lojë". "Në vend që të luajë politikë me të ardhmen e vendit, qeveria skoceze duhet të fokusohet në ofrimin e një qeverisjeje të mirë dhe në shërbime publike për njerëzit në Skoci".

Plani i Mayt është në rrezik

Nëse qeveria britanike do të bjerë dakord që të zhvillohet një referendum i dytë për pavarësinë e Skocisë është e diskutueshme. Vendimin për këtë e merr Parlamenti në Westminster. Megjithatë, një refuzim do të shkaktonte reagime të ashpra nga Skocia.

Mediet britanike spekulojnë që Londra mund ta zvarritë një referendum të paktën deri në daljen nga BE. Propozimi i Sturgeonit u bë vetëm pak orë para se Parlamenti britanik të konsultohet sërish për ligjin e Brexit-it. Pritet që të hënën në darkë, ligji i Dhomës së Poshtme të miratohet, pa amendamentet e Dhomës së Sipërme.