1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kryeministri turk, Rexhep Taip Erdogan, humbi kontrollin në Davos dhe dëmtoi kështu misionin e tij

Baha Güngör30 Janar 2009

Erdogan u largua me indinjatë nga një podium diskutimi në Davos për temën e ndërhyrjes së fundit izraelite në Rripin e Gazës. Një skandal, që e diskretiton atë si ndërmjetësues, mendon komentatori i DW.

https://p.dw.com/p/Gk1M
Kryeministri turk Erdogan në DavosFotografi: AP

Ajo, që bëri Rexhep Taip Erdogan në Forumin Ekonomik Botëror, zhduku edhe shpresat e fundit, që ai të vendoset si ndërmjetësues paqeje në Lindjen e Afërme. Në podiumin e diskutimit ishin ulur krah Erdoganit, Presidenti izraelit Shimon Peres, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Moon, si dhe Sekretari i Përgjithshëm i Ligës Arabe, Amr Mussa. Tema e diskutimit, që moderohej nga kolumnisti i „Uashington Post“, David Ignatius ishte lufta në Rripin e Gazës. Erdogan tërhoqi vëmendjen, sepse Turqia është që prej vitit 1952 anëtare e Natos dhe prej dekadash kërkon të hyjë në Bashkimin Evropian dhe se kohët e fundit ai ka fituar emër të mirë si ndërmjetësues midis Sirisë dhe Izraelit.

Erdogan in Davos
Presidenti izraelit Shimon Peres dhe kryeministri turk ErdoganFotografi: AP

Përgjegjësinë kryesore për incidentin e mban moderatori, i cili i dha Mussait dhe Erdoganit fjalën vetëm për 12 minuta, kurse Peresit për 25 minuta. Përpjekjet emocionale dhe me zë të lartë të Peresit për të arsyetuar luftën brutale të vendit të tij kundër palestinezëve, pa marrë parasysh as popullsinë civile, as organizatat e ndihmave, as Kombet e Bashkuara prezente në vend, e rritën tensionin e Erdoganit. Reaksioni i tij mund të ketë qenë i drejtë. Peres i dha atij të drejtën e kundërargumentimit me pyetjen që i bëri se çfarë do të kishte bërë Turqia, nëse Stambolli do të ishte goditur me raketa. Por Erdogani ngriti zërin dhe gjuajti kot. Tensioni u rrit, kur moderatori u përpoq t`i ndërpriste fjalën me argumentin se duhej respektuar orari, në mënyrë që të shkohej për darkë.

Erdogani mund të ketë shfrytëzuar rastin për populizëm, për të siguruar fitoren në zgjedhjet lokale të 29 marsit të partisë së tij, koncervatore, AKP. Demostrata spontane e më shumë se 5 mijë idhtarëve pas kthimit në Stamboll, më flamujë turkë dhe palestinezë, tregon se sjellja e tij pëlqehet prej turqve.

Erdogan Empfang in der Türkei nach Davos Besuch
Erdogan u drejtohet mijëra ithtarëve pas mbërritjes në aeroportin e StambollitFotografi: picture-alliance/ dpa


Megjithatë me sulmin verbal kundër Peresit dhe moderatorit, si dhe me deklarata se nuk do të marrë më pjesë në Forumin e Davosit, Erdogani nuk merret më seriozisht si ndërmjetësues në Lindjen e Afërme. Sigurisht që Erdogani është nervozuar nga përgjigja e kryeministrit izraelit, Ehud Olmert, një ditë para fillimit të ofensivës kundër palestinezëve, kur ai e ka pyetur, nëse Izraeli do të sulmojë Rripin e Gazës dhe Olmerti ka thënë "Jo" të qartë, duke gënjyer kështu sy për sy.


Megjithatë Erdogani duhet të vazhdojë të bisedojë. Ai është kryeministri i një vendi shumë të rëndësishëm për paqen rajonale dhe përfaqësues i besueshëm i perëndimit. Por me sjelljen e një sulmuesi të ekipit futbollistik të një lagjeje të Stambollit, gjë që edhe ka qenë, Erdogan nuk mund të japë sinjale paqeje në skenën botërore. Përpjekja e tij pas incidentit për të theksuar miqësinë e tij ndaj Izraelit dhe popullit hebre nuk mund të zvogëlojnë dëmet, që ai i bëri vetes së vet dhe Turqisë