1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kryeministri turk Erdogan në Tiranë

Arben Muka26 Mars 2008

Turqia do të mbështesë anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Investimet turke në Shqipëri janë të shtrira në infrastrukturë, metalurgji, telekomunikacion, tekstil, shëndetësi, arsim dhe shumë fusha të tjera.

https://p.dw.com/p/DV7f
Kryeministri turk Rexhep Taip Erdogan
Kryeministri turk Rexhep Taip ErdoganFotografi: AP

Pas takimit kokë me kokë të mërkurën paradite dy kryeministrat, Berisha dhe Erdogan, u shfaqën të kanaqur në deklarimet para gazetarëve. Sipas tyre të dy vendet kanë njohur një nivel bashkëpunimi gjithmonë në rritje në fushën politike, ekonomike, ushtarake, atö tö telekomunikacionit etj.

630 milion dollarë investime turke në Shqipëri

Kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha iu referua një fakti konkret kur bëri bilancin e investimeve turke në Shqipëri nga koha kur homologu i tij kishte marrë detyrën si kryeministër i Turqisë.

“Investimet e Turqisë në Shqipëri nga 35 milion dollarë që ishin në vitin 2002, sot janë 630 milion dollarë dhe janë të shtrira në të gjitha fushat, në infrastrukturë, metalurgji, telekomunikacion, tekstil, shëndetësi, arsim dhe shumë fusha të tjera. Bashkëpunimi midis dy vendeve tona në tregti ka njohur një rritje të shpejtë. Marrëveshja e Tregtisë së Lirë, e cila hyn në fuqi në muajin maj, do të fuqizojë më tej këto shkëmbime.” - tha Berisha.

Ushtria turke ka ndihmuar fuqimisht atë shqiptare

Kryeministri Berisha ka vlerösuar në mënyrë të veçantë rolin e Turqisë në mbështetjen e përpjekjeve të Shqipërisë për anëtarësimin në NATO. “Jo vetëm në kuptimin e mbështetjes së plotë politike, por Forcat e Armatosura të Turqisë kanë dhënë një ndihmë të gjithanshme të çmuar Forcave të Armatosura të Shqipërisë në arsimim, pajisje, logjistike dhe të gjithanshme, për t’u mundësuar atyre arritjen e standardeve domosdoshme për anëtarësim të vendit në NATO. Njësitë tona janë së bashku me njësitë turke në Kabul.” - deklaroi kryeministri shqiptar.

Erdogani premton mbështetje

Erdogan shprehu në mënyrë të drejtëpërdrejtë angazhimin e shtetit të tij se “në Samitin e Bukureshtit, i cili do të zhvillohet në prill të këtij viti, ne do të mbështesim anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, krahas anëtarësimit të Kroacisë dhe tö Maqedonisë”.

Tirana zyrtare ka shfrytëzuar prezencën e kryeministrit turk, për t’i kërkuar atij ndihmë për përfshirjen e Shqipërisë në degëzimin e gazësjellësit që fillon nga Deti Kaspik dhe kalon në Turqi, Greqi e Itali, një akt të cilin kryeministri Berisha e konsideroi si mjaft dobiprurës për ekonominë shqiptare.

Të dy vendet kanë parë si një mundësi bashkëpunimi për të ardhmen dhe fushën e turizmit dhe të transportit. “Vendi ynë ka një eksperiencë të fuqishme në infrastrukturën e turizmit. Ne presim në Turqi edhe sipërmarrësit shqiptarë, të cilët, së bashku me investitorët tanë mund të bëjnë investime të përbashkëta drejt vendeve të treta, duke realizuar në këtë mënyrë një shkëmbim përvoje mes tyre. Është e vërtetë se turizmi inkurajon dhe solidaritetin mes popujve”, deklaroi në Tiranë kryeministri i Turqisë Taip Rexhep Erdogan.