1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Kryeministri japonez Abe për vizitë në Gjermani

Në pesë vitet e fundit asnjë kryeministër japonez nuk ka qëndruar për vizitë në Berlin. Tani kryeministri Abe fillon turneun e tij evropian në Gjermani. Programi përfshin bisedime me kancelaren dhe presidentin.

Kryeministri japonez konservator i krahut të djathtë Shinzo Abe ka zgjedhur Gjermaninë për të filluar turneun e tij në Evropë. Në bisedimet me kancelaren gjermane Angela Merkel temë qendrore pritet të jetë zgjerimi i mëtejshëm i bashkëpunimit politik dhe ekonomik në mes të dy vendeve. Japonia dhe Gjermania janë partnerë në grupin G7 të kombeve të industrializuara, të dyja angazhohen për një vend të përhershëm në Këshillin e Sigurimit të OKB-së dhe të dyja duan të zgjerojnë bashkëpunimin e tyre, si politikisht ashtu dhe ekonomikisht.

Përveç kësaj, tema të tjera në rend të ditës pritet të jenë edhe kontesti i Japonisë me vendet fqinje si Kina dhe Koreja e Jugut për disa grupe të pabanuara të ishujve në Oqeanin Paqësor si dhe konflikti në Ukrainë. Pas Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës edhe Japonia ka ashpërsuar të martën sanksionet e saj kundër Rusisë për shkak të konfliktit me Ukrainën. Tokio ka vendosur ndalimin e dhënies së vizave për 23 rusë. Japonia kishte vendosur sanksione e para kundër Moskës që në muajin mars.

Pamje nga një takim i mëhershëm mes Merkel dhe Abe në Tokio

Pamje nga një takim i mëhershëm mes Merkel dhe Abe në Tokio

Japonia lufton kundër deflacionit

Në orët e pasdites, Abe do të pritet në takim nga presidenti Joachim Gauck. Abe, i cili edhe më parë ka qenë njëherë kryeministër, është nga dhjetori i vitit 2012 sërish në këtë post. Ndalesa të tjera në turneun e tij evropian do të jenë Britania e Madhe, Franca, Portugalia, Belgjika dhe Spanja. Në Bruksel janë planifikuar takime me zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian dhe NATO-s.

Në Japoni, banka qendrore është duke vazhduar ndërkohë një kurs jashtëzakonisht të lirshëm të politikës monetare. Siç pritej, Banka e Japonisë ka vendosur për të vazhduar blerjen e letra me vlerë në shumën prej 425 deri në 496 miliardë euro në vit. Banka qendrore ndjek me politikën e saj të lirshme monetare, objektivin për një normë inflacioni në nivelin prej dy për qind. Japonia ka 15 vite që ndodhet në deflacion, një spirale e çmimeve në rënie e cila ka paralizuar ekonominë e vendit.