1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Kryeministri izraelit ndalon ndërtimet hebreje një herë për një herë

Planifikimi i 20.000 banesave në blloqet hebreje do të rivlerësohet edhe një herë. Kryeministri izraelit Netanjahu nuk dëshiron të konfrontohet aktualisht me bashkësinë ndërkombëtare.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu ka ndaluar ndërtimin e planifikuar më parë të 20.000 banesave të kolonive hebreje. Ministri i Ndërtimit, Uri Ariel kishte publikuar tenderat përkatës për ndërtimet në Bregun Perëndimor, pa konsultimet e nevojshëm dhe për këtë arsye u dha udhëzimi që të rishikohen edhe një herë, thuhet nga zyra e kryeministrit Netanjahu në Jeruzalem. Askush nuk dëshiron një „konfrontim të panevojshëm“ me bashkësinë ndërkombëtare, thuhet më tej. Kryeministri izraelit e justifikoi urdhërin e dhënë për rivlerësimin e planeve të ndërtimeve me frikën se mund të kishte një reagim ndërkombëtar duke dëmtuar në këtë mënyrë lobimin e Izraelit kundër marrëveshjes bërthamore me Iranin.

Palestinezët nga ana e tyre kishin kërcënuar edhe një herë që do të ndërpresin negociatat për paqe, të cilat rifilluan përsëri me ndërmjetësimin e Uashingtonit pas një ngrirje prej disa vitesh. Ministri i Jashtëm amerikan John Kerry kishte kritikuar ashpër zgjerimin e kolonive gjatë një misioni ndërmjetësues treditësh në Lindjen e Mesme. Kerry vizitoi Izraelin dhe Bregun Perëndimor, në përpjekje për të shpëtuar sërish negociatat për paqe, që kanë treguar shenja të pakta progresi. Publikimi i tenderave për ndërtimet hebreje u bë pa u njoftuar në media, deri kur gazetat izraelite me prirje të majta “Haaretz” dhe “Peace Now” raportuan për këto projektet potenciale ditën e martë(12.11).