1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Kryeministri i Serbisë Vuçiç në Tiranë

Kryeministri Aleksandar Vuçiç dhe delegacioni serb, që e shoqëron, qëndron për vizitë zyrtare dyditore në Tiranë me ftesë të kryeministrit shqiptar Edi Rama.

Ceremonia shtetërore e pritjes, bisedimet mes dy kryeministrave dhe konferenca e përbashkët e shtypit, zhvillohen në pallatin Presidencial të njohur edhe si pallati i Brigadave.

Si vizita e parë e një kryeministri serb në Shqipëri ardhja e Vuçiç vlerësohet nga diplomatë dhe studiues të zhvillimeve ndërkombëtare e rëndësishme për zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe, stabilitetin dhe bashkëpunimin rajonal me qëllim përshpejtimin dhe lehtësimin e rrugëtimit drejt BE. Ambasadori shqiptar në Beograd, Ilir Boçka, tha për DW se ”kjo vizitë hap një kapitull të ri dhe dinamik të marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Serbisë, një etapë të re emancipimi dhe perpjekjesh të përbashkëta për arritjen e qëllimeve, që për momentin janë identike: futja në familjen e madhe të Bashkimit Europian»

Vizita e sotme zyrtare në Tiranë e kryeministrit serb Vuçiç vjen pas vizitës së kryeministrit shqiptar Rama në Beograd, në nëntor të vitit të kaluar. “Kjo vizitë do t'u japë një shtysë përpara marrëdhënieve dhe dialogut politik mes Shqipërisë dhe Serbisë, të cilat tanimë kanë dalë nga stanjacioni historik për të ecur drejt një komunikimi më të madh tregjesh, kontaktesh, marrëdhëniesh kulturore”, tha për DW, Dr. Albert Rakipi, studiues i zhvillimeve politike ndërkombëtare.

Pas përfundimit të bisedimeve me kryeministrin Rama dhe konferencës së përbashkët për shtyp në Pallatin Presidencial, sot pasdite Kryeministri Vuçiç zhvillon takime me Presidentin e Shqipërisë, Bujar Nishani, kryetarin e parlamentit, Ilir Meta dhe liderin e opozitës, kryetarin e PD, Lulzim Basha. Nesër, në ditën e dytë të qëndrimit në Tiranë, kryeministri serb do të marrë pjesë në punimet e Forumit Ekonomik të Vienës, ku marrin pjesë 11 kryeministra të vendeve të rajonit. Burime zyrtare bëjnë të ditur se Vuçiç do të marrë fjalën në këtë forum.

Temat kryesore të bisedimeve - investimet strategjike të përbashkëta

Burime diplomatike thanë sot për DW se tema kryesore në bisedimet Rama-Vuçiç do të jenë projektet për investime të përbashkëta strategjike si autostrada, linja hekurudhore, investime në energji, që shtojnë komunikimin me dy vendet, rajonin dhe Europën. Këto projekte pritet të paraqiten në tryezën e bisedimeve në takimn e Vienës, në vijim të atij të Berlinit, në kuadër të Nismës së re të BE për Ballkanin Perëndimor, të lançuar në Berlin nga kancelarja Merkel në gusht të vitit të kaluar.

Të njëjta burime bëjnë të ditur se bashkëpunimimi për stabilitetin dhe sigurinë në rajon do të jetë një temë tjetër e rëndësishme në bisedimet dypalëshe. Vizita e sotme në Tiranë e kryeministrit serb Vuçiç bëhet dy javë pas tensioneve në Maqedoninë fqinje, ku policia maqedonase u përlesh me një grup të armatosur shqiptarësh, kryesisht nga Kosova, ku mbetën të vrarë tetëmbëdhjetë vetë , mes tyre 8 policë.

Masa të rrepta sigurie në Tiranë

Vizita e kryeministrit serb Vuçiç në Tiranë po zhvillohet nën masa të rrepta sigurie. Burime zyrtare nga pohuan sot për DW se “janë angazhuar rreth 1500 policë, shërbimet inteligjentë dhe të antiterrorit, ndërkohë që helikopterë të forcave të armatoruara të Shqipërisë monitorojnë Tiranën”. Qarkullimi i automjeteve është i kufizuar dhe në itinerarin nga aeroporti ndërkombëtar ”Nënë Tereza” në pallatin Presidencial dhe deri ne pasditen e vonë, kur përfundon dita e parë e vizitës së kryeministrit serb, është ndaluar parkimi i automjeteve në rrugë, pranë trotuareve.