1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Kryeministri i Maqedonisë dha dorëheqjen

Për nëntë muaj me radhë, jeta politike në Maqedoni ishte e bllokuar. Qeveria dhe opozita sulmonin njëra-tjetrën. Një ndërmjetësim nga Brukseli bëri të mundur zgjidhjen.

Emil Dimitriev

Emil Dimitriev

Kryeministri i Maqedonisë, Nikola Gruevski dha dorëheqjen sipas marrëveshjes, për të mundësuar zgjedhje të parakohshme parlamentare në prill. "Unë e mora dorëheqjen e Gruevskit", citojnë mediat në Shkup Presidentin e Parlamentit Trajko Veljanovski.

Gruevski që e qeverisi vendin dhjetë vjet me radhë në mënyrë gjithnjë e më autoritare zëvendësohet në post nga bashkëpunëtori i tij i ngushtë, Emil Dimitriev, i cili deri tani ka qenë Sekretar i Përgjithshëm i partisë konservatore-nacionale në pushtet. Qeveria e tij me pjesëmarrjen e opozitës tani do të përgatisë zgjedhjet e reja.

Komisari i BE për fqinjësinë, Johannes Hahn u përpoq ndërkohë në Shkup që t'i nxisë kryetarët e katër partive më të rëndësishme që t'i përmbahen edhe marrëveshjeve të tyre të fundit. BE ndërmjetësoi në verë një marrëveshje, e cila synon t'i japë fund bllokadës në politikën e brendshme.

Në bazë të saj, në 24 prill do të zhvillohen zgjedhje të parakohshme, të cilat pas aktualizimit të listave zgjedhore dhe reformës së medieve, për herë të parë pritet të jenë të lira dhe korrekte. Opozita e bojkotoi për muaj të tërë Parlamentin, sepse zgjedhjet një vit më parë sipas saj qenë të manipuluara nga qeveria.

Krahas kësaj, opozita publikoi telefonata të përgjuara të anëtarëve kryesorë të qeverisë, me të cilat ajo synoi të vërtetojë korrupsionin në shkallë të gjerë. Gruevski u përpoq t'i shpallte të pavlefshme këto materiale. Sipas tij bëhej fjalë për veprën e një shërbimi të fshehtë të huaj, tha kryeministri i dorëhequr tani, pa e saktësuar se për se e kishte fjalën konkretisht.

DW.COM