1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Kryeministri i Izraelit nën presion nga protestat masive në vend dhe kriza me Turqinë

Izraeli nuk është i interesuar në përkeqësimin e marrëdhënie me Turqinë, u shpreh Netanjahu në mbledhjen e qeverisë. Ai u prononcua edhe lidhur me protetstat për padrejtësi sociale në Izrael.

Protesta në Tel Aviv (03.09.2011)

Protesta në Tel Aviv (03.09.2011)

Kosto të larta jetese, qira marramendëse, spitale të mbushura përtej kapaciteteve, paga të ulëta dhe kushte të këqija pune për mjekët dhe mësuesit - kjo është vetëm një pjesë e ankesave, që populli artikulon prej shtatë javësh.  Demonstrata të shtunën (3.9.) kundër gjendjes së rëndë sociale ishte më e madhja në historinë e Izraelit. Kryeministri Benjamin Netanjahu në hapje të mbledhjes së kabinetit qeveritar iu referua asaj, që ai ka ofruar deri më tani. Në fillim të gushtit ai angazhoi një komision nën drejtimin e studiuesit të shkencave ekonomike Manuel Trajtenberg nga Universiteti i Tel Avivit.

Qeveria e vetëdijshme për përgjegjësinë

 

Hunderttausende bei Protesten in Israel Flash-Galerie

Netanjahu: " Qeveria ime e ndien veten të detyruar, të verë në jetë ndryshime të prekshme, për të ulur kostot e jetesës dhe për të korrigjuar padrejtësitë sociale. Unë besoj, se dialogu publik, që është zhvilluar edhe në komisionin Trajtenberg do të na ofrojë ne një mundësi unikale, për të vënë në jetë ndryshimet në këtë sektor. Komisioni Trajtenberg do t'i paraqesë rekomandimet e tij pas dy javësh."

Netanjahu tha, se synon që të reagojë sa më shpejt dhe konform rekomandimeve të komisionit. Gjithashtu ai do që të ruajë ekuilibrin mes ndjeshmërisë sociale dhe përgjegjësisë ekonomike. Ky ekuilibër ruan ekonominë, shtetin, popullin dhe mirëqenien e kombit të Izraelit.

Netanjahu lidhur me krizën në marrëdhëniet meTurqinë

Kryeministri i Izraelit Benjamin Netanjahu

Kryeministri i Izraelit Benjamin Netanjahu

Marina izraelite më 31 maj të vitit të kaluar sulmoi dy anije të flotiljes humanitare për Gazën. Disa aktivistë i patën qëlluar ushtarët me shufra hekuri. Si rrjedhojë ushtarët qëlluan duke lënë të vrarë nëntë shtetas turq.

Netanjahu tha lidhur me këtë: "Ne nuk duhet të kërkojmë falje për atë, që ushtarët tanë janë vetëmbrojtur kundrejt aktivistëve agresivë. Ne nuk duhet të kërkojmë falje për faktin, se ne kemi vepruar,  për të ndaluar kontrabadën me armë të Hamasit, një organizatë terroriste, e cila ka qëlluar me mbi 10.000 raketa dhe granatahedhës ndaj civilëve tanë.  Ne nuk duhet të kërkojmë falje për faktin, se kemi vepruar për të mbrojtur popullin tonë, fëmijët tanë dhe komunat tona."

Mavi Marmara Gaza Flotte

Mavi Marmara, flotilja e Gazës

Në raportin e OKB-së të publikuar në fundjavë lidhur me sulmin ndaj flotës së Gazës, Netanjahu sheh të konfirmuar qëndrimin e Izraelit. Raporti tregon, sipas kryeministrit, se Izraeli ka vepruar në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.

Për shkak të grindjes lidhur me këtë ngjarje para një viti Turqia të premten (02.09) dëboi ambasadorin izraelit në Ankara.  Turqia kërkoi që Netanjahu të kërkojë falje si dhe të japë dëmshpërblim për të afërmit e viktimave.  Pavarësisht qëndrimit të ashpër të Turqisë, Netanjahu shpreson, se do të gjendet një rrugë për t'i kapërcyer mosmarrëveshjet.  Izraeli asnjëherë nuk ka qenë dhe as sot nuk është i interesuar në përkeqësimin e marrëdhënieve me Turqinë.

Autor: Sebastian Engelbrecht / Vilma Filaj-Ballvora

Redaktoi: Elert Ajazaj

DW.COM