1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Kryeministri etiopian Meles Zenawi ndërroi jetë

Kryeministri i Etiopisë prej shumë vjetësh, Meles Zenawi, ka vdekur. 57-vjeçari ndërroi jetë herët në mëngjes. Ai e pati drejtuar Etiopinë qysh prej 1991-it. Stili i tij autoritar i qeverisjes është kritikuar shpesh.

Legesse Zenawi lindi më 8 maj 1955 si fëmija i një fshatari të vogël në Adua në veri të Etiopisë. Ai e mori më vonë pseudonimin Meles, për të nderuar një luftëtar rezistence të rënë. Ai kreu me medalje një shkollë elitare dhe dy studime me korrespondencë (më vonë miqtë e shtetit do të kishin shpesh kënaqësinë për të ndjekur rregullisht në pallatin qeveritar referate të shkurtra intelektuale).

Qysh në kohën kur studionte mjekësi Melesi (siç është zakon të thërritesh me emër në Etiopi) ishte aktiv në politikë, iu bashkua qarqeve marksiste dhe u përfshi në lëvizjen që çoi në rrëzimin e perandorit Haile Selassie në 1974.

Nga rebel në kryeministër

Nën sundimin ushtarak të Mengistu Haile Mariamsit, Meles kaloi në ilegalitet dhe pas gati dy dekadash lufte guerile hyri fitimtar në kryeqytetin Adis-Abebë në maj të vitit 1991.

Në kohën që pasoi u zhdukën pa gjurmë mijëra gjoja besnikë të Mengistut, gazetarë dhe rivalë. Shumë vite më vonë ish-shokë të rrugës së tij politike treguan në libra se sa i paskrupullt ishte takticieni finok Meles në eliminimin e kundërshtarëve politikë.

Pishtar i rilindjes afrikane?

Pankartë me foton e Meles Zenawit.

Shpresa e rilindjes afrikane?

Ndërkaq në Perëndim nga mesi i viteve nëntëdhjetë Melesi konsiderohet si shpresa e një rilindjeje afrikane, si tip i ri politikani në Afrikë. Vetëm lufta kufitare plot humbje me fqinjin, Eritrenë, nga 1998 deri në 2000 bën që të shtrohen pyetje në lidhje me botëkuptimin e tij demokratik. Pastaj vjen viti zgjedhor 2005. "Unë kam luftuar që populli etiopian të fitojë të drejtën për të zgjedhur, dhe sot e ushtroj këtë të drejtë me etiopianët. Kjo më bën shumë krenar për arritjen tonë."

Më 15 maj 2005 85 milionë etiopianë zgjedhin për herë të parë në zgjedhje demokratike parlamentet e tyre kombëtare dhe rajonale. Duke votuar Meles lëvdon arritjet e frontit të tij EPRDF. Në këtë çast ai nuk e di ende që opozita ka për të shënuar fitore të qarta. I kapur nga paniku ai urdhëron të manipulohen rezultatet, 200 vetë humbasin jetën kur policët qëllojnë mbi studentët protestues. Qysh atëherë 2005 konsiderohet si momenti i kthesës së kohëve në Etiopi (dhe për vetë Melesin).

Strateg pas 11 shtatorit

Donatorët ndërpresin ndihmën e drejtpërdrejtë për buxhetin, sharmi i burrit me ballin e ngritur ka avulluar. Edhe në vitet pasuese grupet për të drejtat e njeriut dënojnë arrestimet masive, censurën dhe korrupsionin. Ligje drakonike për organizatat joqeveritare, për mediën dhe për antiterrorin bëjnë që të rriten dyshimet se Melesi udhëheq një diktaturë që sjell zhvillimin.

Mirëpo strategu Meles mund t'i zërë besë partnerit në Uashington. Ai i pati premtuar SHBA-së fill pas 11 Shtatorit mbështetje në luftën kundër terrorizmit në Kepin e Afrikës (dhe për këtë u shpërblye me ndihmë ushtarake në vlerë miliardëshe dhe me mbështetje diplomatike). Legjislatura e fundit e Melesit nga 2010 u karakterizua nga një thatësirë e rëndë, nga hiperinflacioni dhe nga shpërthimi i kostove të jetesës. Në maj 2011 qeveria arriti ta shmangte kryengritjen popullore sipas shembullit të Afrikës Veriore dhe e shtoi represionin.

Ndër punët e mira të Melesit numërohen përpjekjet e tij në sektorin shëndetësor dhe në arsim. Nën kujdestarinë e tij Etiopia ka shënuar përmirësime në treguesit e zhvillimit dhe i ka zbatuar më mirë se shumë vende të tjera synimet e mijëvjeçarit. Ekonomikisht Etiopia përjeton prej vitesh një boom (megjithatë, në radhë të parë përfitojnë ithtarë të partisë). Mirëpo shoqëria shumetnike është thellësisht e ndarë, së fundmi rebeluan edhe myslimanët e Etiopisë (në një vend, toleranca fetare e të cilit është legjendare). Pasardhësi i Melesit, kaq gjë dihet, merr një trashëgimi të vështirë.

Meles Zenawi lë pas gruan Azeb Mesfin, vetë ish-guerilje që është bërë sipërmarrëse e pasur në krah të Melesit, dhe tri vajza.