1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kryeministrat Berisha dhe Thaçi përurojnë tunelin

1 Qershor 2009

Tuneli Rrëshen- Kalimash është një vëpër e rëndësishme e rrugës që lidh Shqipërinë me Kosovën

https://p.dw.com/p/I1Nr
Harte e
Fotografi: AP GraphicsBank/DW

Rrëzimi nga një eskavator i drejtuar prej vetë kryeministrit të Shqipërisë,Sali Berisha i një muri simbolik, të ngritur në mes të tunelit Thirrë – Kalimash e shtrëngimi i duarve mes tij dhe kryeministrit të Kosovës Hashim Thaci, shënoi momentin e përurimit të veprës më të rëndësishme në segmentin Rrëshen - Kalimash, të rrugës Durrës - Kukës, që lidh Shqipërinë me Kosovën. Ky tunel gjigand, me gjatësi 5,6 km e shkurton rrugën mes dy vendeve me 65 km.

Kryemnistri Berisha e konsideroi ndërtimin e tunelit Thirrë - Kalimash realizimin e njërës prej ëndrave më të buklura të kombit shqiptar.

“ Inaguruam tunelin e Kalimashit, një nga kryeveprat në fushën e ndërtimit në Europë dhe më gjerë. Ky tunnel është tunel i bashkimit të kombit”, tha Berisha.

Ai e vlerësoi rrugën Durrës -Kukës si një arterie që bashkon jo vetëm shqiptarët, por edhe ata me kombet e tjera të rajonit: maqedonasit , serbët, bullgarët. Nisur nga shërbimet që kjo arterie ofron në fushën e transportit dhe të qarkullimit të mallrave rruga Durrës - Kukës ajo përbën një ngjarje për gjithë komunikacionin rrugor të Evropës Juglindore.

Për kryemnistrin e Kosovës, Hashim Thaci, tuneli i sapoinaguruar është pjesë e progresit të Shqipërisë dhe Kosovës në zhvillimet euro -atlantike.

“ Tirana dhe Prishtina janë si kurrë më parë pranë njëra-tjetrës. Kemi qenë të ndarë në shekuj, por kurrë nuk kemi qenë larg njëri - tjetrit. Gjthmonë kemi punuar dhe sakrifikuar për t'u afruar. Dhe ja erdhi dita, Kosova është e pavarur, Shqipëria është anëtare e NATO-s, ndërtojmë autostrada, ecim drejt integrimit europian,”tha kryeministri i Kosovës Thaci, në inagurimin e tunelit Thirrë- Kalimash.

Në Tiranë opozita e përshëndeti inagurimin. Por sipas saj kostoja e lartë e rrugës Durrës – Kukës është tregues i abuzimeve me fondet publike nga ana e zyrtarëve të lartë të qeverisë Berisha.

“Në cdo vend normal të BE kjo rrugë do të kushtonte vetëm 418 milion euro, Në Shqipëri kushton më shumë se një milliard euro. Pra diferenca është 600 milion euro,” tha Besnik Bare, kryetar i PS përTiranën.

Rruga Durrës - Kukës filloi të ndërtohet në vitin 2007 nga kompania amerikano turke Bechtel Enka. Qeveria Berisha ka premtuar inagurimin e gjithë rrugës më 25 të këtij muaji , vetëm pak ditë para zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit.

Autor: Ani Ruci /Tiranë

Redaktoi: Auron Dodi