1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Kroacia dorëzon ish-shefin e shërbimit të fshehtë

Zdravko Mustač, ish-shef i shërbimit të fshehtë jugosllav UDBA u është dorëzuar autoriteteve të drejtësisë gjermane. Atë e akuzojnë si pjesëmarrës në vrasjen e disidentit kroat Stjepan Đureković në vitet '80 në Gjermani.

Tani mori fund përpjekja e mundimshme për dorëzimin e dy ish-oficerëve të lartë të shërbimit të fshehtë jugosllav, Udba, nga Kroacia në Gjermani: pasi në janar autoriteteve gjermane iu dorëzua Josip Perkovići, tri muaj më vonë (17.04.), ai pasohet nga ish-shefi i tij, Zdravko Mustač. Të dy kanë pasur para shpërbërjes së Jugosllavisë funksione drejtuese tek shërbimi i atëhershëm i sigurimit të shtetit. Pas shpalljes së pavarësisë prej Kroacisë, më 1990 ata kishin rol qendror në ndërtimin dhe konfigurimin e shërbimit të ri të fshehtë të Kroacisë. Të dy ishin persona të besuar të afërt të presidentit të parë të Kroacisë, Franjo Tuxhman. Kjo shpjegon ndoshta disa nga shkaqet, se pse Kroacia për vite të tëra refuzoi që t'ia dorëzojë të dy ata Gjermanisë, megjithëse Prokuroria Federale në Karlsruhe e kërkon këtë që në vitin 2009. Ajo i akuzon ish-bashkëpunëtorët e shërbimit të fshehtë se kanë bashkëpunuar në vrasjen më 1983 të disidentit kroat dhe ish-manaxherit të një sipërmarrjeje të madhe të naftës, Stjepan Đureković në Wolfratshausen. Njëra nga teoritë për motivet e mundshme të vrasjes është se Đurekovići dinte shumë për korrupsionin në radhët e udhëheqjes së atëhershme jugosllave.

Dorëzimi vetëm pas presionit

Qeveri të ndryshme kroate e refuzuan dorëzimin e dy personave në fjalë Gjermanisë. Vetëm tri ditë para se Kroacia të hynte në BE, në korrik 2013, në parlamentin kroat i miratua një ligj, në bazë të të cilit urdhëri evropian i arrestit do të vlejë në Kroaci për vepra penale të pas vitit 2002.

Në Bruksel kjo u prit me habi të madhe dhe e bëri Komisionin Evropian që ta kërcënojë indirekt me sanksione Kroacinë, po të mos e ndryshonte qendrimin. Më në fund, Gjykata më e Lartë Kroate lëshoi pe: në fund të janarit u dha dritë e gjelbër për dorëzimin e Perkovićit, tani edhe për dorëzimin e Zdravko Mustačit.

Shpresë për të afërmit

Pas dorëzimit të dy ish-bashkëpunëtorëve të shërbimit të fshehtë, Gizela Đureković, vejushë e disidentit të vrarë shpreson të mësojë më në fund se çfarë ndodhi me të vërtetë 30 vjet më parë. "Ne duam të mësojmë të vërtetën. Duam të dimë se kush është përgjegjës për vrasjen dhe që ai të ndëshkohet. Dhe të ndëshkohet jo vetëm ai që shtiu, por edhe ata, të cilët dhanë porosinë për vrasjen". Sinisa Pavlović, avokat i familjes është i bindur se ky rast mund të sqarohet me sukses edhe pas tri dekadash. "Nëse këtë mund ta bëjë dikush, ajo është drejtësia gjermane."

Që drejtësia gjermane është me të vërtetë në gjendje ta bëjë këtë, këtë e tregon një gjykim nga viti 2008. Krunoslav Prates, një ish-emigrant kroat u dënua atëherë në Mynih me burgim të përjetshëm, për shkak se kishte marrë pjesë në vrasjen e Đureković-it. Ai po e vuan aktualisht dënimin në Bavari.