1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Kriza në Ukrainë - Obama telefonon sërish me Putin

Presidentit Putin i duhet të bëjë telefonata të gjata këto ditë të krizës në Ukrianë. Të enjten ai telefonoi me Kancelaren Merkel, ndërsa tani në anën tjetër të receptorit ishte Presidenti i SHBA, Obama.

Nuk ka gjasa që dy burrat e shtetit të kenë shkëmbyer shumë fjalë miqësore në bisedën e tyre. Ishte e dyta bisedë telefonike mes dy burrave më të fuqishëm brenda ditëve të fundit. Presidenti i SHBA Barack Obama sipas të dhënave të Shtëpisë së Bardhë i ka kërkuar Presidentit rus të tërheqë në kazerma trupat ruse në Krime. Gjithashtu ai duhet të lejojë vëzhguesit ndërkombëtarë në Krime dhe të pranojë bisedime direkte me zyrtarët ukrainas. "Presidenti Obama theksoi se ka një rrugë për zgjidhjen diplomatike të situatës", bëri të ditur Shtëpia e Bardhë.

Milicia ruse në Krime ka cënuar sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës, tha Obama. Kjo ka bërë që qeveria e SHBA të konsultohet me partnerët evropianë për sanksionet e para kundër Rusisë.

Kremlini i sheh gjërat ndryshe

Që Kremlini i përshkroi ndryshe pikërëndesat e telefonatës gati njëorëshe, nuk ishte e papritur. Putin sipas të dhënave të Kremlinit, ka tërhequr vëmendjen se raporti mes Moskës dhe Uashingtonit nuk duhet të vuajë nga konflikti në Ukrainë. Marrëdhëniet mes Rusisë dhe SHBA kanë "rëndësi shumë të madhe për stabilitetin dhe sigurinë në mbarë botën" dhe nuk duhet të vihen në lojë për shkak të konfliktit në Ukrainë, thuhet në deklaratën e Moskës.

SHBA i bëri thirrje Rusisë të mbështesë punën e vëzhguesve ndërkombëtarë në Ukrainë edhe përmes ambasadores amerikane në OKB, Samantha Power. Moska duhet të mundësojë hyrjen e ekspertëve të OKB dhe OSBE "në gjithë territorin e Ukrainës, edhe në Krime", tha Power.

Çurkin: nuk kanë qenë rusë penguesit e vëzhguesve të OSBE

Një grupi vëzhguesish të OSBE iu ishte ndaluar më parë hyrja në gadishullin e Krimesë. Sipas informacioneve nga qarqet e diplomatëve perëndimorë, ata ishin ndaluar nga dy grupe njerëzish të armatosur. Ambasadori i Rusisë në OKB, Vitali Çurkin, i hodhi poshtë njoftimet sipas të cilave i dërguari i posaçëm i OKB-së Robert Serry ishte vënë në pozitë të vështirë nga ushtarët rusë. Pas incidentit Serry u largua nga Krimea.

BE-së përcakton plan veprimi për sanksione ndaj Rusisë

Në samitin e tij të jashtëzakonshëm BE vendosi një plan veprimi për sanksione kundër Rusisë. 28 kryetarët e qeverive dhe shteteve të BE-së nuk vendosën ende sanksione të forta. Ata vetëm pezulluan bisedimet me Rusinë për lehtësimin e vizave. Në samit megjithatë u miratua një plan me tri shkallë, në fund të të cilit mund të kishte edhe masa ndëshkuese ekonomike ndaj Rusisë. Nëse Rusia nuk do të jetë e gatshme për bisedime rreth krizës së Krimesë, BE do të veprojë brenda pak ditësh.