1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Kriza në Maqedoni - Presidenti Ivanov: T'i jepet shans dialogut

Komisioni Evropian (KE) ka lëshuar kumtesë zyrtare për bisedimet dhe marrëveshjen e aritur në Shkup midis katër liderëve të partive më të mëdha në Maqedoni me eurokomisarin Johannes Hahn për daljen e vendit nga kriza.

Johannes Hahn in Skopje

Komisarii BE-së Johannes Hahn në Shkup

Sipas KE-së, për rrugëdaljen nga kriza politike është diskutuar për një numër të madh masash konkrete dhe është rënë dakord për to mes komisarit Hahn dhe liderëve politikë të Maqedonisë. "Numri i madh i pikave do të duhet të përpunohen në mënyrë shtesë dhe të dakordohen gjatë ditëve të ardhshme. Me rëndësi thelbësore është fakti, që partitë politike kanë janë angazhuar për përcaktimin e këtyre masave dhe kanë shprehru vullnetin e mirë që ato të zbatohen në të ardhmen", theksohet në kumtesën e Komisionit Evropian.

Në deklaratë theksohet se në takimin e radhës në Bruksel do të diskutohen pikat kryesore të marrëveshjes, të cilat siç thuhet, duhet të finalizohen. Ndër këto pika është edhe formimi i një qeverie kalimtare apo me bazë të gjerë, pasi katër partitë kryesore, meqënëse VMRO-DPMNE dhe LSDM kanë mosmarrëveshje lidhur me qeverinë kalimtare, ndërkohë që opozita kërkon që një qeverie tillë të jetë pa Nikola Gruevskin si kryeministër dhe ky post të mos i takojë VMRO-DPMNE.

Ivanov: T'i jepet shans dialogut

Presidenti i Maqedonisë Gjorgje Ivanov vlerëson se ekziston një optimizëm për tejkalimin e krizës aktuale politike në Maqedoni dhe i ftoi të gjithë pjesëmarrësit në dialogun politik që në periudhën e ardhshme të sillen arsyeshëm dhe me përgjegjësi.“Dialogu është mënyra e vetme përmes të cilit tejkalohen të gjitha sfidat. E përshëndes vetëdijen e treguar dhe vullnetin e liderëve politik për tejkalimin e çështjeve të hapura”, shprehet presidenti Gjorgje Ivanov.

Partitë politike arritën marrëveshje për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme dhe për mundësinë e krijimit të një qeverie kalimtare. Por, a është kjo rruga e duhur për të dalë nga kriza politike pyet anëtari i Këshillit Koordinues të Lëvizjes BESA, Afrim Gashi. Ai ka rikujtuar se në Maqedoni ka pasur zgjedhje jo më pak se një vit më parë, por zgjedhjet vetëm sa i kanë komplikuar punët. “Edhe në situatën aktuale marrëveshja se zgjedhjet duhet të mbahen në prill të vitit të ardhshëm nuk paraqet një indikator, që flet për daljen nga kriza aktuale. Lëvizja BESA daljen e vendit nga kriza e sheh përmes ripërkufizimit të statusit juridiko kushtetues të Maqedonisë”, deklaron Gashi.

Rilindja Demokratike Kombëtare thekson se tentimet e komunitetit ndërkombëtar për të ndërmjetësuar në tejkalimin e krizës politike në vend me politikanët aktualë nuk mund të arrijnë në një zgjidhje të shpejtë të krizës së madhe politike në vend. “Ne besojmë se komuniteti ndërkombëtar e ka të qartë se kjo krizë e thellë politike nuk mund të zgjidhet nga njerëzit që direkt ose indirekt e kanë shkaktuar krizën. Kriza në fjalë nuk zgjidhet përmes zgjedhjeve, por përmes marrjes në përgjegjësi të të gjithë aktorëve, që sot paraqiten se janë pjesë e zgjidhjes”, thuhet në reagimin e RDK.

Me Gruevskin s'ka dalje nga kriza

Njohësit e çështjeve politike, thonë se marrëveshja nuk do të kishte kuptim, nëse qeveria vazhdon të drejtohet nga Nikolla Gruevski. Stojan Andov, ish-kryetar i Kuvendit të Maqedonisë, thotë se kryeministri Nikolla Gruevski dhe të gjithë anëtarët e tjerë të qeverisë nga partia e tij duhet të largohen nga qeveria.Mendoj se Gruevksi duhet të largohet nga të gjitha funksionet shtetërore dhe politike. Vetëm kështu mund të bisedohet për mënyrat e zgjidhjes së krizës politike. Por, jo vetëm kaq, mendoj se duhet të largohen edhe të gjithë bashkëpunëtorët e tij me të cilët ka ndërtuar këtë politikë. Pa largimin e tyre nuk do të ketë zgjidhje të krizës, këtë duhet të gjithë ta kemi të qartë“, thotë Andov.

Kryeministri Gruevski përfundimisht nuk duhet të jetë në qeverinë e ardhshme të ekspertëve, që do të formohet pas disa javësh në Maqedoni. Kështu vlerëson analisti, Mersel Bilalli. Sipas tij, qeveria e re e ekspertëve në Maqedoni do të jetë neutrale dhe plotësisht e mbikëqyrur dhe e kontrolluar nga Brukseli dhe SHBA-ja.“Është jashtë çdo logjike që kryeministër i vendit të jetë përsëri Nikolla Gruevski. Ai për këtë është i vetëdishëm, por për hir të pozicioneve mbetet në atë qëndrim. Nuk ka as gjasa minimale që ky kryeministër të jetë udhëheqës i asaj qeverie”, shprehet Bilalli.

Analisti Naser Zyberi thotë se është skeptik lidhur me marrëveshjen e arritur në Shkup në prani të eurokomisarit Johannes Hahn. “Vlerësoj se nuk është arritur ndonjë marrëveshje e cila mund të shihet si dalje nga kriza. Dakordimi i palëve se vitin e ardhshëm do të ketë zgjedhje të parakohshme është çështja më pak kontestuese. Çështja e parë që duhet të shtrohet është dorëheqja e qeverisë, pastaj vendoset se çfarë qeverie do të ishte ajo e tranzicionit, teknike apo kalimtare. Dalje nga kriza është vetëm dorëheqja e qeverisë”, vlerson Naser Zyberi.

Profesore Mirjana Najçevska, pas arritjes së marrëveshjes për mbajtjen e zgjedhjeve në prill të viti 2016, ka thënë se duhen plotësuar disa kushte që ato zgjedhje të jenë korrekte dhe demokratike. Ajo ka numëruar 12 pika, të cilat, sipas saj do të ishin minimumi për të pasur zgjedhje të lira. “Duhet të formohet qeveri teknike, të bëhet ndërrimi i prokurorit publik dhe i gjyqtarëve në Gjykatën Kushtetuese.Të bëhet moratorium i zbatimit të ligjeve, të cilat shkaktuan protesta, lirimi i të burgosurve politik, ndërprerja e të gjitha ndërtimeve nga projekti i diskutueshëm Shkupi 2014, të formohet komision i ri zgjedhor, që nënkupton edhe pastrimin e listave zgjedhore dhe hapja e procedurës për formimin e një ombdusmani të veçantë për policinë”, shprehet Najçevska.