1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Kriza në Maqedoni nën lupën e BE-së

Komisioneri, Johannes Hahn, takoi të martën (17.02) përfaqësues të lartë politik në Shkup, në përpjekje për të gjetur zgjidhje të krizës, që ka përfshirë vendin pas publikimit të aferës së përgjimeve.

Shpresoj se në fund do të arrijmë përparim të rëndësishëm për perspektivën europiane të Maqedonisë . Me këtë vlersim Komisioneri për Fqinjësi dhe Zgjerim i BE-së Johanes Hahn ka përfunduar takimet maratonike me përfaqësuesit më të lartë të politikbërjes në Maqedoni.

Takimet maratonë të komisionerit evropian përfunduam pa zbardhjen e ndonjë rezultati konkret, madje Han është shprehur, se ndonjëherë mos publikimi i bisedave mund të nxisë progres. “Shpresoj se në fund do të arrijmë progres domethënës për perspektivën evropiane të vendit. Ndonjëherë është më mirë të zhvillohen biseda të brendshme, me qëllim që të arrihet progres”,ka thënë Johanes Han, komisioneri evropian për zgjerim dhe fqinjësi.

Gruevski:E tregova të vërtetën se çka po ndodh në Maqedoni

Kryeministri Nikolla Gruevski, ka thënë se në takimin me komisarin Han, nuk kanë biseduar për ndonjë propozim konkret për tejkalimin e krizës por se kanë këmbyer vetëm mendime për situatën aktuale në vend.“Kjo ishte një mundësi e mirë, që ta informoja komisionerin për të gjitha zhvillimet, për të gjitha hapat që kemi ndërmarrë në sektorë të ndryshëm, dhe të dëgjoja nga ai sesi ata i shohin këto veprime dhe çfarë presin nga ne. Biseduam edhe për situatën aktuale politike. Ia tregova të vërtetën, respektivisht atë që është duke ndodhur”, është shprehur Nikolla Gruevski, kryeministër i Maqedonisë.

Zaev: Gruevski po shkatërron rendin kushtetues

Komisioneri Evropian Johanes Han në takimin me liderin e opozitës Zoran Zaev, ka dëgjuar argumentet e tij rreth situatës aktuale në Maqedoni me theks të veçantë për aferën e përgjimeve.Zaev ka siguruar Han se do të vijoj procesin e publikimit të të gjitha aferave korruptive dhe kriminale të qeverisë.
“Skandali i përgjimit të 20 mijë qytetarëve dhe ndërhyrja e qeverisë në funksionimin e Prokurorisë Publike, gjykatave, kurdisja e proceseve gjyqësore, janë një pjesë e vogël e dëshmive që i posedojmë për shkatërrimin e rendit kushtetues të Maqedonisë nga ana e Nikolla Gruevskit, dhe disa bashkëpunëtorëve të tij”, ka theksuar Zaev në takimin me komisionerin Han.

BDI pro ides që BE të përfshihet në tejkalimin e krizës

Kryetari i BDI-s Ali Ahmeti ka përshëndetur idenë e eurokomisionerit Hah për përfshirjen e autoriteteve të Brukselit në tejkalimin e situatës së rëndë politike në vend që është në vijë me kërkesën e BDI-së për inkuadrimin e drejtpërdrejt të Brukselit për ta garantuar paanshmërinë dhe integritetin e procesit. Ahmeti njëherit ka kërkuar edhe intensifikimin e zgjidhjes së kontestit të emrit.

"Mirëpresim gatishmërinë e komisionarit Hahn që të bisedojë me ndërmjetësuesin Mejtu Nimic për të gjetur mënyra për zgjidhjen e emrit, sepse situata e tanishme është e papranueshme. Dialogu politik patjetër të rikthehet fuqishëm dhe të intensifikohet. BDI përkrah këtë proces dhe fton palët që ta zgjidhim këtë çështje në mënyrë transparente dhe me vëmendjen tek e mira e përbashkët e vendit” thuhen në komunikatën e BDI-së.


Edhe eurodeputetët do ta ndihmojnë Maqedoninë

Në agjendën e ngjeshur të komisionerit Hahn, ishin edhe takimet me presidentin Gjorgji Ivanov dhe kryetarin e Parlamentit Trajko Veljanovski.Presidenti Ivanov në takimin me Han ka theksuar se mbështet procesin e zbulimit të aktiviteteve që janë në kundërshtim me kushtetutën dhe ligjet dhe sanksionimin e autorëve të veprave penale. Ndërkohë që në takimin me Veljanovskin, Han ka theksuar se edhe deputetët evropianë janë të gatshëm t'u ndihmojnë kolegët e tyre maqedonas për kapërcimin e situatës aktuale.

Ndryshe nga herët e tjera, në vend që zyrtari i lartë i BE-s të pritej në Qeveri, takimi me kryeministrin Gruevski është mbajtur në rezidencën e Bashkimit Evropian në Shkup .