1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kriza në Ukrainë e kthen Ballkanin në qendër të vëmendjes

Robert Schwartz6 Nëntor 2014

Dy muaj pas konferencës së Berlinit, në Berlin u takuan ministrat e jashtëm të EJL. Takimi u mbajt me iniciativë të Gjermanisë dhe Britanisë së Madhe. Shumë gjëra u thanë hapur.

https://p.dw.com/p/1DiM3
Westbalkan Konferenz 05.11.2014 Berlin
Konferenca e ministrave të Jashtëm, 05.11.2014 BerlinFotografi: picture-alliance/dpa/B. von Jutrczenka

Ministri i Jashtëm, Frank-Walter Steinmeier dhe homologu i tij britanik Philip Hammond duken shumë të kënaqur. Iniciativa e tyre për t'i dhënë impulse të reja procesit për integrime të vendeve të Evropës Juglindore është përshëndetur nga të gjithë pjesëmarrësit e konferencës për Ballkanin Perëndimor. Hammond dhe Steinmeier i kishin ftuar ministrat e jashtëm të Shqipërisë, Kosovës, Bosnje-Hercegovinës, Serbisë, Kroacisë, Maqedonisë dhe Malit të Zi, që në Berlin të kërkojnë mundësitë e domosdoshme për t'i dhënë shtytje procesit për zgjerimin e BE.

Mesazhet

Mesazhi qendror i konferencës ishte shumë i qartë: i gjithë rajoni i Ballkanit Perëndimor ka një perspektivë evropiane. "Ballkani Perëndimor shtrihet në zemër të Evropës - jo vetëm në aspektin kulturor, por edhe politik", theksoi Steinmeier që në fillim të konferencës. Por ishte shumë e qartë që në fillim për të gjithë pjesëmarrësit se para vitit 2020, në BE nuk do të pranohet asnjë vend tjetër.

Hammond mit Lagumdzija 05.11.2014 Berlin
Ministri i Jashtëm i Britanisë së Madhe, Philip Hammond (djathtas) dhe ai i Bosnje-Hercegovinës, Zlatko LagumdžijFotografi: picture-alliance/dpa/B. von Jutrczenka

Problemet e pazgjidhura në këtë rajon janë edhe më tej pengesa kryesore në rrugën e këtyre vendeve drejt anëtarësimit në BE. Steinmeier dhe Hammond mendojnë se gjërat duhet të ndryshojnë shpejt. Në Bosnje-Hercegovinë duhet të veprohet ndryshe, pas zgjedhjeve të fundit. Ministrat kërkojnë me një iniciativë të përbashkët që udhëheqësit politikë atje të përcaktohen qartë për reforma politike në të gjithë sektorët. Ka ardhur koha e fundit për vendosjen e shtetit juridik, për mirëqeverisje dhe reforma ekonomike dhe sociale - pavarësisht interesave nacionale. Steinmeier dhe Hammond shpresojnë se këtë iniciativë do ta mbështesin të gjitha vendet e BE si dhe SHBA.

Pjesëmarrësit në konferencën e gjashtë të Evropës Juglindore në Institutin Aspen, ishin të një mendimi: Perspektiva e anëtarësimit të tyre në BE është motori i reformave në këto vende. Pas viteve të luftërave dhe stanjacionit, njerëzit në këto vende duan të jetojnë në paqe, siguri dhe mirëqenie. Por pa një angazhim të fuqishëm të BE dhe SHBA, do të jetë shumë vështirë që reformat të realizohen.

Kërkesat e ekonomisë


Edhe përfaqësuesit e ekonomisë në këtë konferëncë i kanë përshëndetur impulset e reja. Por vetëm iniciativat nuk mjaftojnë. Kërkohen edhe rezultate konkrete. Me rëndësi është që të gjitha këto vende të fillojnë sa më parë me zbatimin e reformave. Vetëm kështu mund të kthehet besimi i ekonomisë tek politika dhe besimi mes vendeve të rajonit. Megjithëse tani në këtë rajon nuk ka ndonjë luftë, sikur edhe në fillim të vitit 200, ende ekzistojnë pengesa shumë të mëdha: korrupsioni, krimi i organizuar, mungesa e shtetit juridik, burokracia dhe infranstruktura e dobët.

Westbalkan Konferenz 05.11.2014 Berlin Steinmeier und Pusic
Steinmeier me Vesna Pusic, ministren e Jashtme të KroacisëFotografi: picture-alliance/dpa/B. von Jutrczenka

Përfaqësuesit e ekonomisë thonë se mes këtyre vendeve ekzistojnë dallime. Vendet duhet ta kenë të qartë se reformat janë të domosdoshme. Në veçanti kriza në Ukrainë e ka bërë të qartë se procesi i integrimeve duhet të jetë më i shpejtë. Nëse ky proces vonon, atëherë Rusia mund ta shtrijë edhe më shumë influencën e saj në këtë rajon.

Kroacia është anëtare e BE për më shumë se një vit, por prej anëtarësimit nuk është bërë shumë. Në Bosnje-Hercegovinë dhe Maqedoni është ndalur procesi i reformave. Shqipëria ka bërë disa përparime në luftën kundër korrupsionit, por reformat e tjera duhet të zbatohen menjëherë. Afrimi politik mes Serbisë dhe Kosovës është përshëndetur, por ky është vetëm hapi i parë drejt normalizimit të raporteve. Priten edhe hapat e tjerë.

Ekonomia dhe politika janë të mendimit se i gjithë rajoni është i një rëndësie të madhe politike dhe ekonomike për Evropën. Ndaj BE duhet ta artikulojë edhe më qartë perspektivën evropiane të rajonit. Ndërkohë që secili vend duhet të plotësojë sa më parë kushtet për fillimin e negociatave për anëtarësim. Secili vend duhet të përcaktohet qartë për reforma, bashkëpunim, tregje të përbashkëta rajonale, forcimin e sigurisë për investorët. Njerëzit në Evropën Juglindore nuk duhet të mbahen në korridorin e pritjes para dyerve të BE. Këtë e ka bërë të qartë edhe kjo konferencë. Konferanca e ardhshme e Ballkanit Perëndimor, me pjesëmarrjen e kryeministrave, do të mbahet në Vjenë, në vitin 2015.