1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

010911 Bundestag Entscheidungsbefugnisse

2 Shtator 2011

Që prej fillimit të krizës financiare në Gjermani e gjetiu vrojtohet një shfuqizim i ngadaltë i parlamentit. Në mënyrë të përsëritur krerët e qeverive kanë miratuar në rrafsh evropian me procedura urgjente masa shpëtimi.

https://p.dw.com/p/12Rx1
Bundestag - votimFotografi: picture-alliance/dpa

Deputetëve të kampit qeveritar u mbetej vetëm të votonin pro, pa ndikuar dot mbi përmbajtjen. Tani Bundestagu Gjerman po e ndalon këtë zhvillim të rrezikshëm dhe po i rimerr kompetencat e vendimeve. Në fund të shtatorit parlamenti gjerman duhet të vendosë  për shkallën tjetër të aksionit për shpëtimin e euros. Krerët e qeverive të euro-zonës patën miratuar në korrik që t'i jepnin më shumë para fondit për stabilizimin e euros (EFSF) dhe më shumë mundësi për të ndërhyrë në tregje. Por së fundi qeveria gjermane nuk ishte më e sigurt se kishte për këtë shumicën në radhët e veta. Disa deputetë të aleancës kristiandemokrato-liberale sinjalizuan dyshime, se me gjithnjë e më shumë para mund të shmangen falimentimet shtetërore. Ata druajnë, se në fund do të përfshihen në vorbull.

Më shumë të drejta bashkëvendosjeje

Tani Bundestagu do të miratojë bashkë me zgjerimin e ombrellës së shpëtimit një ligj, i cili i garanton atij të drejtë bashkëvendosjeje të gjerë në përdorimin e parave. Kuadrin për këtë e miratoi tani udhëheqja e deputetëve demokristianë në bashkërendim me partnerin liberal të koalicionit. Shefi i fraksionit Volker Kauder tha më pas: „Shpresoj që nëpërmjet një përfshirjeje përkatëse të parlamentit dhe mundësive të tij për të vendosur të arrijmë ta bindim njërin apo tjetrin deputet që ta miratojë gjithë projektligjin."

Shefi i fraksionit të CDU-së Volker Kauder
Shefi i fraksionit të CDU-së Volker KauderFotografi: picture alliance / dpa

Në të ardhmen duhet që programet e reja të ndihmave për shtetet e euros dhe masa të tjera të fondit të stabilizimit të euros, të cilat mund të prekin buxhetin gjerman, të miratohen prej Bundestagut. Në rast se Bundestagu voton kundër, atëherë edhe përfaqësuesi gjerman në instancat e EFSF-së duhet të votojë kundër. Për masa të tjera, si blerja e obligacioneve shtetërore, qeveria gjermane duhet të marrë miratimin e komisionit për buxhetin, para se të votojë pro në EFSF.

Që një ditë më parë kryetari i parlamentit Lammert pati rënë dakord me kryetarët e të gjitha fraksioneve që ta përfshinte opozitën në përpilimin konkret të kompetencave të parlamentit.

Wolfgang Schäuble ministër Financash
Wolfgang Schäuble ministër FinancashFotografi: picture-alliance/dpa

Rreziqet e bashkëvendosjes

Shefi i franksionit të Bashkimit CDU/CSU-së Kauder pret që shembulli i Bundestagut të ndiqet nga parlamente të tjera evropiane. Kjo nuk do ta bëjë më të lehtë votimin në rrafsh evropian, kur njëherë të duhet miratimi i 17 parlamenteve, pranon Kauder. Por kjo duhet marrë parasysh, shton ai. Në prag të mbledhjes së kryesisë së fraksionit të tij ministri i Financave Wolfgang Schäuble ka paralajmëruar se aftësia vepruese e fondit të stabilitetit të euros nuk duhet rrezikuar. Shpejtësia dhe konfidencialiteti duhet të jenë sipas tij të garantuara. „Kur do të ndërhysh në tregje dytësore për stabilizimin e një zhvillimi të parregullt, atëherë kjo nuk lejohet të thuhet publikisht më parë. Përndryshe arrihet pikërisht e kundërta e kësaj. Por, e dini, kolegët në fraksione janë po aq të arsyeshëm sa qeveria. Prandaj jam plot besim. Këtu do të gjejmë një zgjidhje të përshtatshme për çështjen."

Autor: Peter Stützle/Elert Ajazaj

Redaktoi: Lindita Arapi