1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Studimi në Gjermani

Kriza e ushqimeve dhe klima në axhendën e samitit të G-8-ës

Samiti i G-8 në Japoni gjen jehonë në shtypin gjerman të së hënës.

default

Gazeta "Braunschweiger Zeitung" komenton: "Presidenti i SHBA, Xhorxh Bush, qysh pa nisur takimi në Tojako të Japonisë e ka shpallur rezultatin: që është dështimi. Burri më i pushtetshëm në botë thekson, se nuk do të ketë marrëveshje për mbrojtjen e klimës. Bushi fshihet pas asaj, që nuk mund të ketë objektiva të detyrueshme për pakësimin e emisioneve të dioksidit të karbonit pa fuqitë ekonomike si Kina dhe India, që nuk janë të përfshira në grupin G-8. Mund të thuash edhe thjeshtë, që me këtë president nuk mund të ketë më marrëveshje, madje edhe sikur ujërat që mund të vërshojnë prej shkrirjes së Arktikut të arrijnë deri në Shtëpinë e Bardhë, Bushi do të mbetej i ngurtë dhe më së shumti do të thërriste kopshtarin e tij."

Komentatori i "Kieler Nachrichten" i referohet krizës së ushqimeve: "Ndihma e zhvillimit në shekullin e 21-të nuk është mëshirë. Ajo është pjesë e politikës së jashtme dhe të sigurisë. Kjo ndihmë është në interesin e vetë vendeve të pasura. Vetëm se deri më sot këto vende nuk e kanë kuptuar këtë. Vendet e G-8-ës në samitin e tyre në Japoni do të vendosin për rezervat e drithërave për vendet më të varfëra. Kjo është më mirë se sa asgjë. Megjithatë një ndihmë e tillë emergjence nuk i përgjigjet pretendimit për ndihmë në vazhdimësi. Për botën e parë një gjë e tillë nuk mund të mbetet pa pasoja. Refugjatët e varfërisë që vijnë nga Afrika janë vetëm paralajmëruesit. Tokat djerrë në rajonet e Afrikës për mungesë të shfrytëzimit të tyre, shpyllëzimi i pyjeve tropikale në Amerikën e Jugut, shkatërrimi i mjedisit në Kinë: në të gjitha këto drejtime duhet të përqëdnrohet ndihma për zhvillimin."

Edhe "Bild Zeitung" i referohet krizës së ushqimeve: "Është indinjuese, kur në mbarë botën ushqimi jo vetëm pakësohet, por po bëhet gjithnjë e më i shtrenjtë. Megjithatë këtu tek ne askush nuk është i uritur. Por për miliona njerëz në vendet e vafëra inflacioni i çmimeve të ushqimeve përbën një kërcënim të vërtetë. Këtyre njerëzve po u mbarojnë mjetet e jetesës. Kjo nuk duhet t´i lerë indiferente vendet e industrializuara, sepse uria shkakton trazira në shumë vende në zhvillim dhe kërcënon stabilitetin e tyre politik. Ndaj është edhe në interesin gjerman, nëse kancelarja Angela Merkel në samitin e G-8-ës angazhohet për ndihmë të shpejtë për vendet e varfëra. Kjo do të shërbente si një sinjal për humanizmin global dhe si një para e investuar mirë. Pakësimi i ushqimeve megjithatë nuk mund të luftohet vetëm me parime. Kjo do të thotë, që t´i jepet fund edhe prodhimit të biokarburanteve në kurriz të ushqimeve!"




  • Data 07.07.2008
  • Autor VFB
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/EXNx
  • Data 07.07.2008
  • Autor VFB
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/EXNx