1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Kriza e Ukrainës: Merkeli dhe Hollande mbështesin bisedimet

Franca dhe Gjermania i bënë sërish thirrje Rusisë, që të angazhohet për negociata midis palëve të konfliktit në Ukrainë. Por në rajon nuk duket se janë shumë të interesuar për bisedime.

Siç bëhet e ditur në një deklaratë të Pallatit Élysée të së dielës, Presidenti i Francës François Hollande dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel zhvilluan telefonata me Presidentin e Rusisë, Vladimir Putin. Parisi dhe Berlini kërkua nga palët e konfliktit që veprimet kundër njëri-tjetrit të marrin fund. Njëkohësisht ata tërhoqën vëmendjen për rëndësinë e kontrolleve në kufirin e Ukrainës me Rusinë, për të penguar depërtimin e njësive të armatosura ose të transporteve.

Mundësia e sanksioneve ende ekziston

Hollande dhe Merkeli biseduan që të enjten me Putinin. Në bisedë ata e kërcënuan shefin e Kremlinit me pasoja të tjera. Putini duhet të bëjë gjithçka të nevojshme, për të ndikuar në fundin e shpejtë të luftimeve. Në rast se kjo nuk ndodh, bashkësia ndërkombëtare mund të marrë masa të tjera, u bë e ditur.

Ukraina Lindore: luftimet vazhdojnë

Presidenti i Ukrainës, Petro Poroshenko shpalli të premten një armëpushim të njëanshëm. Ky hap u përshëndet edhe nga Moska, por njëkohësisht Moska kërkoi hapa të tjerë: Putini bëri thirrje për një dialog me kryengritësit në Lindje të vendit. Pa vepra konkrete, të orientuara tek negociatat, plani do të mbetet jo realist dhe pa jetë, tha Putini në një reagim të parë publik ndaj planit të paqes.

Bisedimet ende larg

Ai plotësoi: inisiativa për fat të keq mban tiparet e ultimatumit ndaj kryengritësve. Të gjitha palët duhet ta shfrytëzojnë armëpushimin për një dialog konstruktiv. Por një dialog i tillë deri tani nuk duket gjëkundi: megjithë inisiativën e Poroshenkos, të shtunën në Lindje të Ukrainës shpërthyen luftime të reja midis ushtrisë dhe kryengritësve prorusë. Të dyja palët e akuzuan njëra-tjetrën se e kishin shkelur armëpushimin njëjavor që në fillim.

Presion shtesë ndaj situatës sjellin masat ushtarake të Rusisë. Pavarësisht nga thirrjet e shteteve perëndimore për qetësimin e situatës, Kremlini i vendosi në gjendje lufte trupat e tij në Rusinë Qendrore dhe shpalli një manovër njëjavore. Kjo manovër është vetëm një verifikim standard i gjendjes së trupave, u tha.

Në manovra do të verifikohet midis 21 dhe 28 qershorit gatishmëria për luftë e ushtrisë në rajonin qendror të mbrojtjes së Rusisë, i bëri të ditur ministri i Mbrojtjes, Sergej Shoigu agjencisë së lajmeve Interfax. Vendi i manovrës në rajonin e mbrojtjes Çeljabinsk në Ural, në kufi me Siberinë është mijëra kilometra larg kufirit ruso-ukrainas, tha ai.