1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Kriza e shqetëson Serbinë më shumë se Kosova

Gazeta zvicerane NZZ shkruan mbi gjendjen e vështirë ekonomike në Serbi. Kriza ekonomike e shqetëson elektoratin shumë më tepër se sa Kosova apo kandidatura për në BE, konstaton autori. Në vazhdim thekse nga artikulli.

Presidenti i Serbisë, Tadic

Presidenti i Serbisë, Tadic

"Tadići shpreson që të mund të ngrohet përpara zgjedhësve nën diellin e suksesit të sigurimit prej Serbisë të statusit të vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Mirëpo sondazhet tregojnë që populli nuk i jep prioritetin më të lartë as BE-së, e cila nuk e ka aspak me ngut integrimin e Serbisë, dhe as sherrit të vazhdueshëm me Kosovën, i cili sa vjen e shkakton më pak më pak shpërthime në opinionin publik". Më tej nga artikulli shkëpusim:

"Si shumë më të rëndësishme duken kriza ekonomike, varfëria që po përhapet me rrëmbim dhe korrupsioni. Papunësia gjendet tashmë te 24 për qind, rritja ekonomike do të përbëjë në 2012-n sipas parashikimeve qeveritare e shumta 0,5 për qind, vrima në arkën e shtetit sa vjen e thellohet, dhe dinari serb po humb vazhdimisht në vlerë, me gjithë ndërhyrjet e bankës qendrore; të premten ai ra kundrejt euros në nivelin më të ulët të regjistruar ndonjëherë."

Firmë gjermane që prodhon në Serbi

Firmë gjermane që prodhon në Serbi

Autori shkruan se për gjendjen e mjerë bëhet përgjegjëse në radhë të parë Partia Demokratike (DS). "Në sondazhe ajo renditet pas Partisë Progresive të Serbisë (SNS). Mirëpo edhe sikur Tadići të dilte i dyti, shanset e saj (të Partisë DS) për të udhëhequr sërish qeverinë do të mbeteshin të paprekura; kjo sepse DS-ja mund t'u drejtohet më shumë partnerëve koalicioni sesa SNS-ja, e cila në kampin kombëtar të djathtë ndesh paraprakisht në parti euroskeptike, që nuk i shkojnë mirë imazhit të ri të Nikolićit si proevropian".

Por skepticizmi për koalicion dypartiak është rritur. Autori shkruan se:

"të premten një menaxher i fushatës zgjedhore të DS-së e cilësoi si jorealist një koalicion të gjerë midis dy partive udhëheqëse. Me këtë prapaskenë rolin e bërësit të mbretit do ta bëjnë me gjasa sërish socialistët; ish-partia e Miloševićit ia ka bërë një herë të mundur shumicën Tadićit në 2008-n."

Autor: nzz/fuster/Elert Ajazaj

Redaktoi: Aida Cama