1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Kriza e refugjatëve mund të shfuqizojë rregullat e stabilitetit të BE-së

Shpenzimet e vendeve të BE-së mund të shkojnë në miliarda për shkak të krizës së refugjatëve. Prandaj ministrat e Financave duan të zbusin rregullat e borxhit të parashikuara në Paktin e Stabilitetit.

Komisioni i BE-së pritet të analizojë ndikimin financiar të krizës së refugjatëve në Evropë. Si njoftoi Presidenca luksemburgase në Luksemburg pas një takimi të ministrave të Financave të BE-së, ajo i ka kërkuar Komisionit një analizë të tillë. Kjo analizë duhet të shqyrtojë nëse kriza e tanishme e refugjatëve mund të konsiderohet si "rast i jashtëzakonshëm" i rregullave të Paktit të Stabilitetit dhe Rritjes, tha ministri i Financave i Luksemburgut Pierre Gramegna.

Kjo do të thotë se rregullat e borxhit mund të zbuten për vendet e prekura veçanërisht për shkak të kostove të tyre për pritjen e refugjatëve. Kështu, vendet mund të kenë më shumë liri veprimi për të arritur objektivat e tyre buxhetore afatmesme. Sipas Paktit të Stabilitetit borxhi i përgjithshëm i një vendi të eurozonës nuk duhet të kalojë 60 për qind të prodhimit të brendshëm bruto (PBB) dhe deficiti aktual nuk duhet ta tejkalojë nivelin e tre për qind të PBB-së. Shtetet anëtare të eurozënës kanë vazhdimisht konflikt me Komisionin Evropian për shkak të respektimit të rregullave të Paktit të Stabilitetit, së fundi edhe Italia dhe Franca.

Ministri i Financave i Luksemburgut Gramegna tha se shtetet e eurozonës duhet të bëjnë tani shpenzime shtesë p.sh. për strehimin e refugjatëve, integrimin e tyre në tregun e punës apo edhe për çështjet e sigurisë. "Të gjitha këto elemente kanë ndikim në buxhetin e BE-së dhe mbi buxhetet kombëtare", tha Gramegna. "Gjithkush e sheh se një gjendje e tillë mund të klasifikohet si rrethanë e jashtëzakonshme, që parashikohet edhe në Pakt."

Për pyetjen nëse vende të tilla si Gjermania, Austria dhe Finlanda - të cilat kërkojnë gjithmonë respektimin e plotë të rregullave të stabilitetit - e mbështesin këtë kërkesë, Gramegna tha: "Kjo çështje nuk ishte fare e diskutueshme."

Shqyrtimi i pasojave

Komisioneri i BE-së për Çështjet Monetare Pierr Moskovici shpjegoi se shqetësime në lidhje me koston e lartë të krizës së refugjatëve u tematizuan nga Austria, Irlanda dhe Italia. Ai premtoi një analizë të kësaj çështje: "Ne duhet të shqyrtjmë ndikimin ekonomik dhe financiar të krizës ndaj buxheteve të vendeve të caktuara." Ministrat e Financave mund të diskutojnë për këtë në takimin e tyre të ardhshëm në fillim të tetorit.

Banka Evropiane e Investimeve (EIB) rikonfirmoi gatishmërinë e vet për të ndihmuar. Shefi i EIB-së Verner Hojer tha se Banka ka qenë në të kaluarën fleksibil dhe mund dhe duhet të jetë e tillë edhe tani në kohën e "krizës aktuale humanitare".