1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Kriza e refugjatëve: Merkel gjithnjë e më shumë nën presion

Në fundjavë hyjnë në fuqi rregullat e reja të azilit në Gjermani. Me këtë mund të fillojë edhe kthimi masiv i planifikuar i azilkërkuesve të refuzuar. Qeveria federale ndodhet nën presion për të vepruar.

Kriza e refugjatëve po fiton gjithnjë e më shumë rëndësi politike në Gjermani. Sepse në radhët e popullsisë ka rrezik që atmosfera të ndryshojë në disfavor të refugjatëve. Gjysma e të anketuarve nga Instituti i Demoskopisë në Allensbach ndërkohë janë të shqetësuar se si mund të përballohet vala e refugjatëve. Sipas sondazhit tek shumica e të anketuarve dominon droja për rreziqe nga ky zhvillim kundrejt shanseve.

Këtë javë 200 kryetarë bashkish nga landi i Renanisë Veriore Vestfalisë, i prekur veçanërisht shumë prej valës së refugjatëve, iu drejtuan me një letër kancelares Merkel, duke i kërkuar asaj që ta kufizojë imigracionin në vend. Shqetësimin e bazës e ndiejnë edhe deputetët e Bundestagut në qarqet e tyre elektorale. Në mbledhjen e fundit të grupit parlamentar të konservatorëve (CDU/CSU) u shprehën kritika ndaj Berlinit. Në kuartierin qeveritar qarkullojnë edhe spekulimet e para, se Merkel nuk do ta mbijetojë krizën politikisht. Krijimi i zonave të diskutueshme të tranzitit, që duhet të lehtësojnë sa më shpejt komunat, ndërkohë has në rezistencën e partnerit të koalicionit të Merkelit, partia socialdemokrate (SPD). Zëdhënësja e dytë qeveritare Christiane Wirtz tha të premten (23.10), se ndërkohë po zhvillohen bisedimet përkatëse, për të arritur në një marrëveshje.

Vetëm një çështje durimi?

Partia populiste e djathtë AfD, që e ka përvetësuar si temë qendrore të saj çështjen e refugjatëve, nga java në javë po fiton simpatizantë - dhe në nivel federate ndërkohë ka arritur të ketë 7% pasues. Partitë e Unionit CDU/CSU po humbasin kuota. E kjo pavarësisht faktit se partitë e tjera paralajmërojnë nga AfD dhe tendencat radikale të saj. Në sfondin e dhjetëra mijëra refugjatëve të tjerë që ndodhen përgjatë itinerarit të Ballkanit po rritet edhe presioni ndaj qeverisë. Por Merkel tërheq vëmendjen për durim, sepse ajo do që ta ndryshojë rrënjësisht politikën kombëtare dhe europiane të azilit.

Megjithatë, ajo nuk po avancon aq shpejt sa duhet tani në Europë. Një model i qendrueshëm i shpërndarjes sipas kuotave të refugjatëve në vendet e BE-së nuk gjen mbështetjen e shumicës. Të dielën (25.10) zhvillohet samiti i tretë i jashtëzakonshëm për krizën e refugjatëve në BE për t'u konsultuar mbi situatën në Ballkanin Perëndimor. Madje edhe nga vetë vendi i konsideruar si model për çështjen e refugjatëve, Suedia, ndërkohë - edhe personalisht nga vet kryeministri Stefan Löfven - vjen mesazhi, se është arritur në limitet e kapaciteteve, siç shkruan gazeta "Handelsblatt". Ngjashëm si në Gjermani edhe në Suedi herë pas here po u vihet zjarri strehimoreve të refugjatëve.

Planet për kufizimin apo luftimin e shkaqeve të migracionit në rajonet fqinjë të Europës, që Merkel i ka vendosur në agjendën e saj, janë një sfidë shumë më afagjatë, krahasuar me atë që do të ndërmarrë Merkel në Gjermani dhe në Europë.

Kjo atmosferë është edhe arsyeja, përse paketa ligjore për ashpërsimin e së drejtës së azilit e miratuar me procedurë të përshpejtuar javën e kaluar në Bundestag (Parlamenti) dhe në Bundesrat (Këshilli Federal) do të hyjë në fuqi më parë qysh në fundjavë dhe jo më 1 nëntor, siç ishte planifikuar. Në këtë paketë ligjore mungon vetëm nënshkrimi i presidentit dhe publikimi në fletoren zyrtare, tha të premten (23.10) një zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme. Duket pak si aksionizëm, por nga ana tjetër edhe një javë është një kohë që nuk duhet nënvleftësuar. Me sinjalin, se po bëhet diçka, synohet të qetësohet disi atmosfera. Pikërisht për këtë u shpreh të premten në intervistë për ARD ministri pranë kancelarisë Peter Altmaier, i cili është koordinator i qeverisë për refugjatët. Zbatimi më i shpejtë i rregullave më të rrepta për azilin është një sinjal i mirë, tha Altmaier.

Ashpërsimi i së drejtës së azilit

Paketa ligjore në fakt përmban ndryshime thelbësore. Nën titullin "Mbrojtje për refugjatët politik, por jo për emigrantët ekonomikë" të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor shpallen vende të sigurta. Ende mijëra vetë nga këto vende - së fundi kryesisht nga Shqipëria - vërshojnë drejt Gjermanisë. Këtej e tutje këta nuk kanë më shanse për azil.

Paralelisht me këtë duhet të realizohet me konsekuencë kthimi i detyrueshëm i azilkërkuesve të refuzuar. 190.000 azilkërkues të refuzuar jetojnë ndërkohë në Gjermani, prej tyre 140.000 me leje afatshkurtër qendrimi, ndërsa 50.000 të tjerë duhet të kthehen menjëherë në atdhe. Këtej e tutje azilkërkuesit mund të qendrojnë më gjatë - jo më si deri më sot vetëm tre muaj, por deri në gjashtë muaj - në qendrat e pranimit fillestar, në mënyrë që pas shqyrtimit të kërkesës së tyre të realizohet që këtu kthimi i menjëhershëm. Kjo edhe për faktin se çdo vend në strehimoret e refugjatë nevojitet për refugjatë të tjerë, të ashtuquajtur me perspektivë qendrimi.

Një tjetër masë restriktive, e cila siç shpreson qeveria mund të ketë efekt, është se azilkërkuesve këtej e tutje nuk do t'u jepen më para në dorë, por vetëm veshje, sende dhe ushqime të nevojshme. Me të hyrë ligji i ri në fuqi këtë fundjavë, thuhet më tej, do të nisë menjëherë dëbimi i të refuzuarve.

Probleme me shqyrtimin e kërkesave

Sidoqoftë ka edhe të tjera vështirësi. Shqyrtimi i kërkesave për azil ecën me ritme të ngadalta dhe ende jo ashtu siç do të duhej të ishte. Qindra mijëra kërkesa pritet të shqyrtohen. Në zyrën përkatëse, Enti Federal për Migracionin dhe Refugjatët, duhet të hapen mijëra vende të reja pune, por kjo zgjat. Në disa lande federale si në Berlin nuk po ia dalin as me regjistrimin fillestar të refugjatëve. Me këtë nuk nënkuptohet kërkesa për azil, por vetëm rregjistrimi i të dhënave personale. Edhe për këtë refugjatët ndonjëherë duhet të presin me muaj.

Mbështeje ka marrë Merkel ndërkohë nga presidenti i Komisionit të BE-së Jean-Claude Juncker. Ai e vlerëson shumë, që Merkel "nuk tërhiqet nga kursi i saj për shkak të anketimeve", njoftojnë agjencitë e lajmeve. Juncker, vë në dukje, se është i kënaqur që sheh tek Merkeli një aleatë, e cila "ka durim të mjaftueshëm dhe aftësi veprimi për t'iu përgjigjur sfidave të tilla".