1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Kriza e Gjirit Persik i bën të pasigurta tregjet e naftës dhe të gazit

Bahraini, Arabia-Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Jemeni dhe Egjipti i ndërprenë papritur të hënën të gjitha marrëdhëniet diplomatike me Katarin. Tregu i naftës reagon i nervozuar. Fluturimet janë ndërprerë.

Që prej së hënës në mëngjes, Katarin e kanë izoluar politikisht, diplomatikisht dhe ekonomikisht në Lindjen e Afërme. Disa shtete arabe vendosën që t'i mbyllin kufijtë e tyre me Katarin. Për to, afëria e Katarit me Iranin është bërë shumë e madhe. Katari shihet edhe si një strehë për elementë radikalë islamikë. Kjo masë bëri vende-vende që njerëzit në Emirat të blejnë mallra me sasi të mëdha në panik, pasi Emirati është i varur nga importet.

Për shkak të krizës në Katar, tek investuesit e naftës është rritur nervoziteti. Çmimi i një fuçie naftë të llojit Brent nga Deti i Veriut ra në një pjesë të kohës me një përqind në 49,00 dollarë, por u ngrit sërish me 0,3 përqind në 49,60 dollarë.

Me rreth 620.000 fuçi në ditë, Katari është vërtet njëri nga prodhuesit më të vegjël në kuadër të Opecut. Megjithatë rreziku është shumë real, që uniteti brenda kartelit të naftës të fillojë të minohet për shkak të tensioneve në rajon, thotë analisti Greg McKenna nga Brokerhaus AxiTrader.

Riadi u bën thirrje shtetasve të tij të kthehen

Pasojat e para u pasqyruan në transportin ajror: shoqëritë e fluturimeve Etihad, Emirates, dhe flydubai si dhe Airline Saudi e Arabisë Saudite bënë të ditur se që të martën do të ndërpresin të gjitha fluturimet për dhe nga Doha. Qatar Airways ndërpreu deri në një vendim të dytë të gjitha fluturimet për në Bahrain, Egjipt dhe për në Emiratet e Bashkuara Arabe. Fluturimet për në Arabinë Saudite u ndërprenë që të hënën.

Edhe Egjipti deklaroi se të gjitha portet dhe aeroportet do të bllokohen për anije dhe avionë të Katarit.

Aeroporti i Katarit ka rëndësi qendrore për transportin ajror midis Evropës dhe Azisë. Se cilat janë pasojat e kufizimeve aktuale, kjo ende nuk mund të parashikohet.

Veç kësaj, Arabia Saudite i udhëzoi qytetarët e saj që të largohen brenda 14 ditësh nga Katari. Edhe shtetasit e Katarit nuk lejohet të hyjnë më në Arabinë Saudite. Veç kësaj, Katarin e përjashtuan nga aleanca ushtarake e drejtuar nga Arabia Saudite, e cila që prej dy vjetësh lufton në Jemen kundër kryengritësve shiitë.

Pasojat e tjera janë të paqarta

Katari jeton thuajse kryesisht nga eksporti i pasurive të tij tokësore: nafta dhe gazi. Ky vend, i cili pas Iranit dhe Rusisë ka rezervat e treta në botë të gazit, aktualisht është eksportuesi më i madh i gazit të lëngshëm (LNG). Monarkia e trashëguar në gadishullin arab, me 300 miliardë dollarë është një investueset më të mëdha institucionale.

Në Gjermani Katari ka pjesë të konsiderueshme në koncernin e Volkswagenit dhe te Deutsche Bank. Anasjelltas, Katari është edhe për investuesit gjermanë një objektiv me vlerë: me mbështetjen e Hekurudhave Gjermane, në këtë shtet të shkretëtirës do të ngrihet një metro me një gjatësi hekurudhe prej 300 km.