1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Kriza e gjatë politike në Shqipëri ndikon negativisht në reformën zgjedhore

5 muaj para zhvillimit të zgjedhjeve lokale ende nuk është ngritur komisioni parlamentar, i cili do të shqyrtojë vërejtjet dhe sugjerimet e ekipit të vëzhguesve të OSBE/ODIHR-it dhe institucioneve të tjera ndërkombëtare.

default

Godina e KQZ-së në Tiranë

Për ekspertët e procesve elektorale vonesa pritet të ndikojë në cilësinë e përgatitjeve të zhvillimit dhe të administrimit të tyre ditën e votimeve. Por dhe në procesin e numërimit të votave dhe shpalljes së rezultateve dhe pranimit të tyre nga të gjitha palët.

Jaho: Vonesa do të ketë pasoja

Konstitucionalisti Niazi Jaho është njëri prej ekspertëve më të njohur në Shqipëri për procedurat elektorale. Ai thotë për DW se vonesa që po bëjnë dy partitë kryesore, PD dhe PS në ngritjen e një komisioni parlamentar për diskutimin e reformës zgjedhore pritet të ketë një kosto të madhe për votimet lokale të 8 majit. Jaho kujton se janë një sërë çështjesh thelbësore, për të cilat duhet ndërhyrë në kodin elektoral aktual, ashtu siç dhe kanë rekomanduar dhe ekipi i vëzhguesve të OSBE/ODIHR-it, apo subjekte të tjera të specializuara brenda dhe jashtë vendit.

Niazi Jaho

Konstitucionalisti Niazi Jaho

“Mendoj se vonesa do të ketë pasoja të rënda, si në përgatitjen e zgjedhjeve të qeverisjes vendore, ashtu si dhe do të ngushtohen afatet ligjore të përcaktuara në kodin zgjedhor. Këto afate kanë të bëjnë me listat e zgjedhësve, regjistrimin e subjekteve zgjedhore, ngritjen e komisioneve, paraqitjen e listave të kandidatëve etj. Mund të vihet në pikëpytje, ose në dyshim arritja e standarteve të votimeve dhe kontestimi i tyre”.

Gogo: Te politika mungon vullneti për reformën zgjedhore

Premto Gogo, drejtor i “KRIIK Albania”, një organizatë joqeveritare, që ka monitoruar proceset e kaluara zgjedhore në të gjithë territorin e vendit, mendon se për momentin nuk shikohet vullneti i nevojshëm nga politika për të realizuar reformën zgjedhore. Duke interpretuar kohën e mbetur nga dita e votimeve, si dhe parashikimin ligjor se komisionet duhet të ngrihen të paktën 3 muaj para zgjedhjeve, ai thotë se jemi në limitin e afateve. Duke llogaritur që nuk është bërë asnjë hap për ndryshimet në kodin elektoral, atëhere gjithshka vihet në pikëpyetje, ose pritet të realizohet dhe këtë herë “me aksion në sekondën e fundit”, thotë Premto Gogo për DW.

Premto Gogo

Premto Gogo, drejtor i “KRIIK Albania”

“Çka do të thotë se nuk do të kemi një proces cilësor, qoftë në përgatitje duke patur këtu parasysh trajnimin e komisionerëve dhe atyre, që administrojnë procesin. Duke qënë se kemi të bëjmë me zgjedhje lokale, atëhere dhe pesha kryesore është e komisioneve zonale të administrimit zgjedhor. Kjo do të ndikojë thelbësisht në cilësinë e punës së tyre. Do të ndikojë dhe në procesin e administrimit të tyre ditën e votimit dhe të numërimit të tyre.”

Gogo thotë se përfaqësues të shoqërisë civile kanë propozuar ndryshime në aspektin e leximit elektronik të kartave të identifikimit, apo dokumenteve personale, që do tö përdoren nga votuesit. Krahas kësaj duhet që autoritetet të sigurojnë pajisjen e të gjithë shtetasve me të drejtë vote me karta identiteti. Deri në muajin nëntor kishte rreth 700 mijë qytetarë pa karta identiteti. “Ndryshimeve në kodin elektoral i duhet dhënë koha e nevojshme, ku në procesin e diskutimit duhet të përfshihen dhe propozimet me karakter thelbësor, siç është ndryshimi për sistemin, që aplikohet.”

Mesazhe të përsëritura nga ndërkombëtarët

Në mesjavë shefi i zyrës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Eugen Wollfarth, apeloi për bashkëpunim mes mazhorancës dhe opozitës për përgatitjen e zgjedhjeve të 8 majit. “Unë shpresoj që ketë sa më shumë debate dhe duhet të kemi gjithnjë parasysh se për çështje të rëndësishme duhet shumë sens kompromisi dhe shumë vullnet i mirë. Parlamenti është një vend i veçantë ku qeveria takohet me opozitën dhe duhet të përpiqen të gjejnë një zgjidhje të përbashkët. Duke inkurajuar të dy palët unë shpresoj për më shumë debat dhe mirëkuptim”, deklaroi ambasadori Wollfarth.

Autor: Arben Muka

Redaktoi: Angjelina Verbica

  • Data 07.01.2011
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/zuf1
  • Data 07.01.2011
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/zuf1