1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Kriza e Euros - shkaqet e gjendjes aktuale

Kriza e borxheve të Greqisë ishte zanafilla. Tani zhvillimet dramatike rreth euros i kanë shkundur qeveritë e vendeve anëtare të BE-së, por vonë, shumë vonë. Duhej të ishte ditur shumë më parë!

Kartemonedha euroje

Jean-Claude Juncker, presidenti i grupit të Euros në tetor të vitit të kaluar u tregua shumë i habitur. Me sarkazëm ai komentoi pohimin publik të qeverisë së re greke sipas të cilit deficiti buxhetor i Greqisë ishte dy herë më i lartë se ai i njoftuar në Bruksel nga qeveria e mëparshme.

"Më duhet të them se më bën një përshtypje shumë të fortë hendeku mes shifrave të vjetra dhe të reja. Loja mori fund! Ne na duhen shifra serioze."

A pati kontrolluar saktë Komisioni?

Por u dëgjuan edhe akuzat se Komisioni nuk kishte kontrolluar aq saktë sa duhej dhe se vendet anëtare e kishin penguar në këtë detyrë. Më e vonëta në fillim të vitit të ri tregjet e vunë në shënjestër Greqinë. Kështu u dëgjuan edhe paralajmërimet e para ndaj rrezikut të një falimentimi shteti dhe pra një krize në gjithë Eurozonën. Megjithatë komisioneri i BE-së për politikën monetare Olli Rehn mendonte se nuk kishte asnjë arsye për shqetësim:

"Unë mund të them se nëse krijohet një situatë e tillë ne kemi mjete dhe rrugë për të garantuar stabilitetin financiar të eurozonës."

Kjo i referohej vetëm Greqisë. Vetëm në mënyrë parandaluese dhe krejt teorike, siç u tha shprehimisht, qeveritë e shteteve të euros pregatitën në shkurt paketën e ndihmës për Greqinë. Qeveria greke u angazhua në këmbim të ndërmerrte një program të pashembullt kursimesh. Por paralajmëruesit e parë tërhoqën vëmendjen se shifra të këqija buxheti nuk kishin vetëm grekët. Deputeti luksemburgas kristiandemokrat Frank Engel do të shprehej në një takim:

„Ajo çka po ndodh aktualisht me Greqinë mund të ndodhë nesër me Portugalinë dhe pasnesër me Spanjën. Dhe nëse ndodh me Spanjën atëherë me gjithë Evropën pasi Evropa nuk i ka mjetet për të shpëtuar Spanjën.“

Shumë më shpejt nga sa kishin menduar kryetarët e shteteve dhe qeverive të Eurozonës u gjendën pikërisht para kësaj pyetjeje: a mund të shpëtohen në rast nevoje të gjitha shtetet e euros në nevojë? Pas samitit të jashtëzakonshëm fundjavën e kaluar u vendos praktikisht pikërisht kjo gjë. Por sado gjigante të jenë shumat dhe sado të forta deklaratat e Komisionit, një lloj dorëzimi përballë situatës nuk mund të mos vihej re, kështu edhe tek kancelarja Angela Merkel.

"Ne kemi vënë re megjithatë se ka një masë të madhe spekulimesh kundër euros. Dhe prandaj kemi konstatuar edhe njëherë se kemi detyrim të gjithë për ruajtjen e stabilitetit të euros."

Merkel e cila tregohej veçanërisht një politikane e zellshme e stabilitetit, duhet të mbajë tani përgjegjësinë për një thyerje të dyfishtë tabuje: shtetet e euros mbajnë përgjegjësi për njëri-tjetrin ndryshe nga sa parashikohet në marrëveshje dhe pavarësia e Bankës Qendrore Evropiane është thyer. Më pak probleme duket se ka me këtë gjendje presidenti francez Nicolas Sarkozy, i cili tregoi frymë luftarake në samitin e fundjavës:

„Të hënën kur tregjet të hapen, Evropa do të jetë e gatshme të mbrojë euron.“

Deri tani fjala e tij ka dalë. Pyetja është se deri kur.

Autor: Christoph Hasselbach/Eliana Xhani

Redaktor: Auron Dodi

DW.COM

  • Data 12.05.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/NLvG
  • Data 12.05.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/NLvG