1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Kriza e euros: kantiere ndërtimi në rrugë

Takimi i parë i këtij viti shtron para ministrave të financave të BE-së, të njëjtat probleme. Kundër krizës së borxheve luftohet në disa fronte.

Euro

Si të ruhet euro?!

Kur ministrat e financave të 17 vendeve të Eurozonës dhe dhjetë vendeve të tjera anëtare të BE-së të mblidhen të hënën dhe të martën (23./24.01) në takimin e radhës të këshillit të ministrave, do të kenë në rendin e ditës të njëjtat probleme si vitin e kaluar: kriza e borxheve të Greqisë, pakti fiskal për Evropën, negociatat për ristrukturimin e borxhit grek me bankat, ngushtica kërcënuese e kredive, ulja e bonitetit të vendeve anëtare dhe bankave, fondi i shpëtimit. Ministrat e financave përpiqen të luftojnë në disa fronte njëherësh. Por shumë prej problemeve janë të ndërthurur me njëri-tjetrin. Pas një jave do të mblidhen në një samit të posaçëm për krizën e vazhdueshme evropiane, kryetarët e shteteve dhe qeverive të BE-së.

Pacienti grek

Konsultimet e disa minsitrave të financave.

Për konsultime me siguri që ka shumë nevojë.

Aktualisht Troika e përbërë nga përfaqësues të Komisionit të BE-së, Bankës Qendrore Evropiane dhe FMN-së po shqyrton sërish nëse Greqia ka arritur objektivat e saj dhe nëse është i përgjegjshëm vendimi për dhënien e këstit të ardhshëm të kredisë. Që tani është e qartë se deficiti grek është tepër i lartë dhe rritja ekonomike shumë e ulët. Kancelarja gjermane Angela Merkel u shpreh në një intervistë se beson që Greqia do të qëndrojë mbi këmbët e veta jo më parë se viti 2020, pra vetëm atëherë pritet që ajo të mund të sigurojë kredi në tregjet financiare. Nëse Greqia nuk do të marrë këstin e ardhshëm të kredisë nga BE dhe FMN deri në mes të marsit, shteti grek nuk do të jetë i aftë të shlyejë detyrimet.

Shkurtim borxhesh për Greqinë

Negociatat mes shoqatës ndërkombëtare të bankave dhe qeverisë greke ecin tejet ngadalë dhe duhet të kishin përfunduar prej kohësh. Bankat duhet të heqin dorë nga 103 miliardë detyrime greke. Kjo është gati 50 për qind e totalit të detyrimeve greke. Në këmbim ato marrin një garanci që pjesa tjetër prej 50 për qind do të shlyhet patjetër.

Afati i maturimit dhe normat e interesit për pjesën tjetër të obligacioneve shtetërore janë të polemizuara. Veç kësaj kreditorët nuk kanë asnjë interes të pranonë vullnetarisht reduktimin e borxhit, pasi janë të siguruar mjaft mirë në rast mosshlyerje nga Greqia. Ata preferojnë të spekulojnë me falimentimin e Greqisë.

Paketa e dytë e ndihmës për Greqinë

Por reduktimi i borxheve është pjesë e një pakete të dytë shpëtimi, e cila duhet ta nxjerrë Greqinë nga këneta e borxheve. Sa kohë nuk është rregulluar heqja dorë nga një pjesë e detyrimeve nga vetë kreditorët, shtetet e Eurozonës nuk duan të vendosin për një paketë të dytë ndihme. Fillimisht ishin planifikuar edhe 130 miliardë kredi të tjera për vitet e ardhshme, të cilat do të dilnin nga fondi evropian i shpëtimit. Paketa e parë e ndihmës, e cila ende vazhdon, paguhet nga një fond i veçantë i krijuar enkas për Greqinë. Vendimi për dhënien e kësteve të ardhshme të kredisë, merret nga Troika, aktualisht në Athinë.

Fondet e shpëtimit EFSF dhe ESM

Ombrella

Sa ombrella do të duhen?!

Për të financuar ndihmat për Greqinë dhe pagesa të mëtejshme për Portugalinë dhe Irlandën, Eurozona aktualisht negocion rreth marrëveshjes për një fond të përhershëm shpëtimi (ESM). Ky fond i përhershëm, në të cilin pronarët, shtetet e Eurozonës, do të derdhin para të mirëfillta dhe jo vetëm garanci, duhet të fillojë nga puna që në korrik 2012, pra një vit më parë nga sa ishte parashikuar fillimisht. Për këtë arsye trysnia kohore është e madhe, pasi duhet dhënë miratimi nga parlamentet e vendeve anëtare. Me depozitat në para të shteteve të euros, synohet të rritet efikasiteti dhe boniteti i fondit të përhershëm. Ai pritet ta ketë më të lehtë të marrë para në tregjet e kapitalit se sa ombrella e shpëtimit (EFSF), fondi i përkohshëm i shpëtimit. Ky fond i përkohshëm funksionon mbi bazën e garancive të shteteve të euros dhe ulja e bonitetit të tij nga agjencia "Standard & Poor's" ka ngjallur dyshime për fuqinë e tij vepruese.

Pakt fiskal për të gjithë, me përjashtim të Britanisë së Madhe

Pjesa më e madhe e kryetarëve të shteteve dhe qeverive të BE-së në dhjetor të vitit të kaluar nën trysninë e Berlinit dhe Parisit vendosën të negociojnë për një marrëveshje të re të së drejtës ndërkombëtare. Ky pakt fiskal duhet të sigurojë një politikë fiskale të njësuar dhe strikte, edhe përtej kufijve të Eurozonës. Ministrat e Financave duhet ta miratojnë tekstin e marrëveshjes. Kancelarja Merkel do ta paraqesë atë madje në samitin e posaçëm në 30 janar, por ende ka polemikë rreth përcaktimeve të veçanta. Disa paragrafë për Qeverinë gjermane janë të formuluar shumë vagullt, ndërsa shtete të tjera nuk pranojnë ndërhyrje masive të sovranitetin e tyre mbi politikën fiskale kombëtare, si për shembull Britania e Madhe. Vetëm pas miratimit të paktit fiskal, mund të nënshkruhet marrveshja për fondin afatgjatë të shpëtimit.

Italia, Spanja dhe vende të tjera të rrezikuara nga kriza

Wolfgang Schaeuble dhe Luc Frieden

Wolfgang Schäuble dhe Luc Frieden

Aktualisht normat e interesit që duhet të paguajnë Italia dhe Spanja për obligacionet e tyre shtetërore janë ende në nivel të përballueshëm. Por valë të reja spekulimesh kundër këtyre shteteve të brishta janë në çdo kohë të mundshme. Kryeministri italian Mario Monti kërkon solidaritet nga vendet e tjera të Eurozonës, por nëse Italia do të gjendej vërtet në vështirësi, ombrella aktuale e shpëtimit EFSF nuk do të mund të shpëtonte edhe vende të tjera nga "virusi i krizës". Për këtë arsye po punohet për ngritjen sa më shpejt të fondit të përhershëm të shpëtimit, ESM. Ai pritet të ketë një volum prej 500 miliardë eurosh, por ka të ngjarë që kjo shumë të rritet në mars, për të qetësuar tregjet e kapitalit.

Bankat në krizë

E lidhur ngushtë me krizën e borxheve të shteteve, është situata e bankave në Evropë. Deri në 1 korrik bankat duhet të sigurojnë rreth 100 miliardë kapital të vetin shtesë, për të qenë të mbrojtura nga humbje të ardhshme të mundshme, për shkak të obligacioneve shtetërore. Disa banka do të kenë nevojë për ndihma shtetërore. Në mesin e bankave europiane mosbesimi është në rritje dhe bankat nuk pranojnë t'i japin hua njëra-tjetrës. "Ngushtica në kredidhënie është tashmë realitet", tha për gazetën "Süddeutsche Zeitung" shefi i Institutit të Ekonomisë Gjermane, Michael Hüther. Shoqata e bankave gjermane e kundërshtoi këtë vlerësim. Banka Qendrore Evropiane pak para Krishtlindjeve vuri në dispozicion rreth 400 miliardë euro kredi për bankat, thuajse pa interes, për të ruajtuar likuiditetin në sistem.

Banka Qendrore Evropiane

Selia e BQE.

BQE para sfidave të shumta.

Spiranca e fundit e shëptimit në detin e krizës është de facto Banka Qendrore Evropian (ECB). Ajo blen në mënyrë masive obligacione shtetërore të vendeve me borxhe të larta dhe u vë në dispozicion bankave në vështirësi para pa kufizim. Ky kurs, i cili mund të kishte si pasojë zhvlerësimin e parasë, shihet në mënyrë kritike nga Banka Federale Gjermane. Vende të tjera të Eurozonës, si Italia, Spanja apo Franca kërkojnë një rol më aktiv të ECB-së. Presidenti i kësaj banke Mario Draghi, vazhdon të refuzojë hedhjen pa kufi të parave në treg dhe shtypjen e parave të reja. Kjo është receta që përdorin Banka Qendrore në SHBA (Federal Reserve) dhe Bank of England në Britaninë e Madhe.

Para për FMN-në

Meqenëse ombrellat e shpëtimit në Eurozonë janë aktualisht shumë të vogla për shtete të mëdha si Italia, në rast nevojë duhet të ndihmojë Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN). Kryetarët e shteteve dhe qeverive të BE-së i premtuan FMN-së se do të mbledhin 200 miliardë euro, të cilat do t'i vihen në dispozicion shefes së FMN-së Christinë Lagarde për shtimin e rezervave të fondit. Por sigurimi i këtyre mjeteve duket se është më i vështirë nga sa mendohej.

Autor: Bernd Riegert / Eliana Xhani

Redaktoi: Bahri Cani

DW.COM