1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Krizë besimi e llojit francez

Francezët u besojnë gjithnjë e më pak politikanëve të tyre. Njëkohësisht ata po largohen nga jeta politike. Tani vendi diskuton për sfondin e krizës. Në qendër të kritikës është pushteti i madh i presidentit.

Kryetari i ri i Parti Socialiste (PS), i Partisë Socialiste të Francës është Jean-Christophe Camadélis. Vetëm 50 përqind e anëtarëve të partisë morën pjesë në zgjedhjen e tij në mes të javës së kaluar. E shprehur në shifra kjo është e barabartë me 75.000 vetë. Gjithsej Partia Socialiste e Francës ka 150.000 vetë.

Pjesa që mbetet e francezëve - rreth 66 milionë qytetarë - e regjistruan faktin e votimit, në rastin më të mirë, me interes mesatar. Po kaq pak duket se u intereson francezëve kongresi i Partisë Socialiste në fillim të qershorit në Nantes. "Ne bëjmë një kongres dhe francezëve me plotëkuptimin e fjalës aq u bën", citon gazeta "Le Monde" në botimin e saj në fundjavë një aktivist të zhgënjyer.

Mungesë masive besimi tek politika

"Kur anëtarët e partisë e humbasin besimin", kështu ia vuri titullin "Le Monde" artikullit - duke ia kushtuar vëmendjen një fenomeni, që ka tërhequr shumë vëmendjen kohët e fundit: francezët janë të lodhur nga politika. Ata janë të lodhur nga partitë e tyre."

Frankreich Regionalwahlen 2015

Front National me në krye Marine Le Pen mund të gëzohen për krizën e besimit tek francezët. Atyre u janë shtuar votat.



Sipas një anketimi të Institutit Ipso, me porosi të Le Monde: vetëm nëntë përqind e francezëve kanë besim te partitë politike. Pjesës tjetër të të pyeturve, mbi 90 përqind, ky besim ju mungon. Vetëm çereku i francezëve ka besim te deputetët e zgjedhur. Edhe besimi te parlamenti nuk është më i madh: më pak se 31 përqind e të pyeturve e ndien veten të prezantuar si duhet prej parlamentit. As Evropa nuk është zgjidhje për të pyeturit: besim te Bashkimi Evropian kanë vetëm 35 përqind e francezëve.

Ekonomia, shkolla, kultura, përfytyrimi nacional për veten: thuajse gjithçka ndodhet në krizë në Francë. Që prej shumë kohësh kësaj i është shtuar edhe një krizë e besimit te politika. Sepse, pavarësisht se kë ose çfarë zgjedhin francezët, nëse zgjedhin një president të majtë apo të djathtë: gjendja e tyre nuk përmirësohet. "Institucioneve politike dhe ekonomike u mungon siguria e funksionimit, legjitimeti, besueshmëria. Kjo e destabilizon të gjithë shoqërinë dhe na fut në krizë serioze", shkruan revista e internetit "Atlantico".

Pushteti i madh i presidentit

Po ku e ka burimin kjo krizë besimi? Në qendër të pakënaqësisë ndodhet institucioni më kryesor francez: Republika e Pestë. Më saktë: pozicioni i fortë i presidentit. Pushteti i madh i Presidentit i siguruar me kushtetutë, është emërimi i përbashkët i kritikave, ka bërë që mbajtësit e postit të interesohen gjithnjë e më pak për premtimet që kanë dhënë në zgjedhje dhe që të kufizojnë pushtetin e kryeministrit dhe të qeverisë.

Republika, shkruan për shembull gazetarja Ghislaine Ottenheimer, kryeredaktore e revistës ekonomike "Challenges", në librin e saj "Poison Présidentiel" ("Helmi i presidentit"), është ndërkohë e paaftë që të marrë vendime politike. "Ky sistem ushqen narcizmin nacional dhe melankolinë. Është sistem arkaik dhe vertikal. Ia beson fatin e të gjithë kombit një njeriu të vetëm. Legjitimon humoret e tij dhe shkatërron gjithçka tjetër."

E majta e zhgënjyer

Veçanërisht të zhgënjyer janë aktualisht komentatorët e majtë.Ata e akuzojnë mbajtësin e postit, François Hollande se ka plotësuar shumë pak nga premtimet e tij. Veçanërisht pak ka realizuar ai nga reformat e premtuara ekonomike. "Nga pikëpamja ekonomike, Hollande është liberal, politikisht nuk është," shkruan gazetari i "Le Monde" Edwy Plenel, themelues i revistës së internetit Mediapart në librin "Dire non" ("Thuaj jo")

Me këtë, shprehet Pleneli, Hollande ka vazhduar politikën e paraardhësve të tij dhe ka kontribuar për krizën e besimit. Nga kjo krizë, beson "Le Monde" aktualisht përfiton vetëm një parti: Front National. Kjo parti ka arritur ta shtojë numrin e anëtarëve nga 7000 në vitin 2007 në ndoshta 80.000 aktualisht.