1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Krizë e re politike në Afganistan

Angelina Verbica20 Qershor 2014

Transferimi i parë demokratik i pushtetit në Afganistan përballet me një tjetër krizë. Një nga kandidatët thotë se do të kundërshtojë rezultatin e balotazhit, sepse siç pretendon ai, votat janë manipuluar.

https://p.dw.com/p/1CMnq
Abdullah Abdullah
Abdullah AbdullahFotografi: picture-alliance/dpa

Ish ministri i Jashtëm afgan, Abdullah Abdullah, i cili u përball në balotazh më 14 qershor me ish-këshilltarin e Bankës Botërore, Ashraf Ghani Ahmadzai, akuzoi komisionin zgjedhor për mashtrim masiv dhe manipulim të gjërë të votave. "Që tani e tutje, pasi [autoritetet zgjedhore] nuk i janë përgjigjur kërkesave tona legjitime, të gjitha sjelljet e tyre, çdo gjë që bëjnë dhe që është rezultat i aktiviteteve të tyre nuk do të pranohen prej nesh", citon Abdullahun agjencia e lajmeve AFP të enjten, me 19 qershor. Ai kishte pezulluar më parë të gjitha lidhjet me autoritetet zgjedhore duke kërkuar që procesi i numërimit të votave të "ndalohet menjëherë."

Abdullah, i cili konkurroi kundër Hamid Karzait në vitin 2009, e kishte akuzuar presidentin afgan në largim se nuk ka qëndruar i paanshëm gjatë zgjedhjeve. Për këtë arsye në vitin 2009 ai pati dalë nga gara para një balotazhi, duke e akuzuar Karzain për manipulime të mëdha.

Qëndrimi i ministrit të Jashtëm e ka shpënë Afganistanin në prag të një krize politike gjatë kalimit të parë demokratik të pushtetit. Fituesi do të zëvendësojë Karzain, i cili ka qenë në post që nga viti 2001. Karzait i ndalohet me kushtetutë që të kërkojë një madat të tretë.

Afghanistan Stichwahl für das Präsidentenamt 14.6.2014
Fotografi: DW/Aser

Thellohet kriza

Sipas njoftimeve të agjencive të lajmeve, rreth njëqind përkrahës të Abdullahut dolën në rrugët e kryeqytetit afgan Kabul të martën, me 19 qershor, për të protestuar kundër manipulimit të zgjedhjeve. Nga ana tjetër, shumë afganë po presin me padurim që të marrë fund procesi zgjedhor, e që në vendin e tyre të shkatërruar nga lufta të kthehet jeta normale.

Zubair Milma, tridhjetë vjeçar, thotë se është duke pritur me padurim rezultatin. "Pse të zgjatet ky proces? Njerëzit humbën jetën për të. Kandidatët duhet të pranojnë rezulatin e zgjedhjeve", shton banori i Kabulit. Sipas ministrisë afgane të Mbrojtjes 33 civilë janë vrarë dhe 63 të tjerë janë plagosur në sulmet e talibanëve gjatë ditës së zgjedhjeve, që u mbajtën me 14 qershor.

Misioni i OKB-së në Afghanistan (UNAMA) paralajmëroi në një deklaratë të mërkurën në mbrëmje, se nëse kandidatët "braktisin procesin dhe kuadrin zgjedhor dhe i bëjnë direkt apel mbështetesve të tyre, kjo mund të shkaktojë dhunë." OKB e përshkroi vendimin e Abdullahut për të pezulluar lidhjet me IEC "për të të ardhur keq" dhe shprehu "shqetësimin e tij të thellë."

Kandidati Ashraf Ghani Ahmadzai
Kandidati Ashraf Ghani AhmadzaiFotografi: Reuters/Omar Sobhani

Zëdhënësi i forumit të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme të Afganistanit (FEFA) Fahim Naime i bëri thirrje komisioneve zgjedhore dhe kandidatëve presidencialë që të mos dëmtojnë procesin zgjedhor: "Ne i bëjmë thirrje IEC dhe Abdullah Abdullah për ta zgjidhur këtë çështje sa më parë të jetë e mundur, sepse sa më shumë kohë kalon, kriza thellohet. Nëse vazhdohet në këtë rrugë, ne mund të arrijmë një një pikë, ku komisioni nuk do të jetë në gjendje t'i zgjidhë këto probleme", i tha Naim DW. Ai i bëri gjithashtu thirrje IEC të ndërmarrë masa për të rivendosur besimin me Abdullah Abdullahun.

Ndërkohë kandidatët duhet të respektojnë votat e popullit dhe jo të ndërmarrin veprime të tilla, që mund të dëmtojnë procesin zgjedhor", tha Naime. FEFA dërgoi më shumë se 9.000 vëzhgues për të vëzhguar qendrat e votimit gjatë raundit të dytë të votimit. Organizatat joqeveritare thonë se balotazhi ishte aq transparent sa edhe raundi i parë. Adbullah Abdullah, i cili fitoi 45 përqind të votave në raundin e parë, e pranoi rezultatin dhe bëri fushatë aktive për balotazh.

IEC vlerëson se shtatë milion votues kanë hedhur votën në zgjedhjet e përsëritura, ose 60 përqind e 12 milionë votuesve me të drejtë vote. Abdullah Abdullah pretendon se pjesëmarrja aktuale me 14 qershor ishte shumë më e ulët dhe se shifrat janë fryrë për të hapur rrugën për manipulime në favor të rivalit të tij.

Të vazhdojë numërimi i votave

Një zëdhënës i komisionit të zgjedhjeve, Noor Mohammad Noor, i tha DW se numërimi i votave është duke vazhduar me vëzhgues kombëtarë dhe ndërkombëtarë, që monitorojnë procesin. Zëdhënësi i FEFA-s Fahim Naime tha se organizata e tij është duke vazhduar monitorimin e numërimit të votave. "Është një proces kombëtar dhe vëzhguesit tanë do të vazhdojnë punën, por ne shpresojmë se besimi ndërmjet Abdullah Abdullah dhe IEC do të rivendoset", tha ai. Rezultatet paraprake priten me 2 korrik dhe rezultati përfundimtar me 22 korrik.