1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kritikë Ahmedinexhadit - Tensione në politikën e brendshme në Iran

Ulrich Pick28 Tetor 2007

Në Iran ka forca, që e konsiderojnë më të rëndësishme shmangien e matjes së forcave ushtarake me kundërshtarë të fuqishëm, se sa këmbënguljen pa kompromis për programin kombëtar bërthamor.

https://p.dw.com/p/BxSd
Presidenti iranianFotografi: AP

Diplomacia perëndimore e krizës i mbështet këto forca, që zëri i tyre të dëgjohet më shumë se deri më sot. Për këtë tashmë kanë nisur të shfaqen shenjat e para: një grup prej rreth 20 deputetësh të orientuar nga reformat, sipas mediave iraniane, e kanë kritikuar presidentin për shkarkimin e ndërmjetësuesit për programin bërthamor, Ali Larixhani. Ky i fundit më 20 tetor u zëvendësua prej Said Xhalilit. Vëzhguesit e konsiderojnë këtë lëvizje si ashpërsim të pozicionit iranian në grindjen për programin bërthamor.

Nga dita në ditë po ndjehet më shumë, që në Iran po rriten tensionet në politikën e brendshme. Sfondi është, që gjithnjë e më shumë përkrahës të presidentit Mahmud Ahmedinexhad nuk duan të ndjekin më kursin e tij radikal. Disa herë ndërmjetësuesi për programin bërthamor Ali Larixhani pat tërhequr vëmendjen, se Teherani duhet të tregohet më fleksibël në grindjen për programin bërthamor, nëse do që të shmangë rrezikun e konfrontimit ushtarak. Presidenti i injoroi këto vërejtje duke e indinjuar ndërmjetësuesin për programin bërthamor, i cili konsiderohet si një njohës i mirë i kësaj lënde.

Situata u shkallëzua, kur Vladimir Putini një javë e gjysmë më parë vizitoi Teheranin. Larixhani deklaroi, se presidenti rus kish sjellë me vete një ofertë për pokerin e programit atomik. Nisur nga fakti, që Ahmedinexhadi nuk ishte i interesuar që të përhapej kjo temë, ai deklaroi, se një ofertë e tillë nuk ekziston. Me këtë mosmarrëveshje u këput filli mes tij dhe Ahmedinexhadit dhe ky i fundit vendosi në vend të Larixhanit zëvendësministrin e jashtëm Xhalili. Sidoqoftë në takimin në Romë për programin bërthamor iranian me ndërmjetësuesin e BE-së, Havier Solana ishin të pranishëm të dy ndërmjetësuesit Larixhani dhe Xhalili.

Çarje në udhëheqjen iraniane

Pozicionin e tij në Romë ish-ndërmjetësuesi Larixhani e argumentoi si i ngarkuar i udhëheqësit shpirtëror Ali Khomeini. Kjo ka të bëjë edhe me faktin, se këshilltari i Khomeinit, ish-ministri i jashtëm Velajati e ka kritikuar ashpër shkarkimin e Larixhanit. Njëkohësisht 183 nga 290 deputetët në parlament nënshkruan një deklaratë, në të cilën vlerësohet kontributi i çmuar i Larixhanit gjatë dy viteve të shkuara.

Çarjet në udhëheqjen iraniane po duken edhe në vende të tjera. Jo vetëm, që presidenti Ahmedinexhad ndërpreu para kohe vizitën në Armeni, siç mësohet nga burime konfidenciale, por nga shumë burime serioze mësohet, se ministri i jashtëm iranian do të japë dorëheqjen. Ndonëse pasi një lajm u tillë u përhap ai deklaroi, se nuk ka ndërmend ta ndërmarrë një hap të tillë. Por tani kushdo që është i mirëinformuar në Iran thotë, se Manusher Motaki ka nisur procedurën përkatëse dhe presidenti ende nuk ka gjetur një pasardhës të përshtatshëm për të.

Edhe në kampin e Ahmedinexhadit kundërshtarët politikë po ushtrojnë kritika gjithnjë e më të hapura. Ish-presidenti Mohamad Khatami në një takim me forcat refomatore në fundjavë tërhoqi vëmendjen, që edhe në republikën islamike të Iranit vullneti i popullit shërben si masë e politikës, dhe populli nuk dëshiron ashpërsimin e mëtejshëm të tensioneve ekzistuese me botën perëndimore. Duke iu drejtuar presidentit ai tha, se: "Ai nuk duhet ta konsiderojë veten si të dërguarin personal të Zotit."

Duket e pamundur, që Ahmedinexhadi në sfondin e presionit në politikën e brendshme mund ta ndryshojë kursin e tij. Por, siç thuhet, në këtë mënyrë ai gjithnjë e më shumë po e izolon Iranin në politikën e jashtme duke rritur rrezikun e konfrontimit ushtarak për shkak të programit bërthamor. Por për këtë vendos më së fundi udhëheqësi fetar.