1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Kritikohen ekzekutimet në Iran

Organizatat e të drejtave të njeriut tërheqin vemendjen në lidhje me numrin e lartë të ekzekutimeve në Iran. Pretendimin iranian, se fajtor është legjislacioni, vëzhguesit perëndimorë e konsiderojnë si justifikim.

Organizata "Iran Human Rights" (IHR) së bashku me organizatën franceze "Së bashku kundër dënimit me vdekje" (Ensemble contre la peine de mort – ECPM) paraqiti raportin e saj të pestë vjetor mbi dënimin me vdekje në Iran. Me 580 ekzekutimet zyrtare Irani mbetet vendi me numrin më të lartë të ekzekutimeve në botë, krahasuar me numrin e popullsisë.

Në fund të vitit të kaluar Amnesty International (AI) foli për një "amok shtetëror" të drejtësisë iraniane, e cila ekzekutoi dhjetë të dënuar për delikte droge. Organizata në Londër ka numëruar që nga marsi 2012, 344 ekzekutime. Raportuesi i OKB-së për Iranin, Ahmed Shaheen, në raportin e tij të tetorit 2012 foli madje për një shifër shumë më të lartë.

Shtohen ekzekutimet

Nëse në vitet 2005-2008 janë ekzekutuar 938 njerëz, sipas shifrave zyrtare të mediave iraniane në periudhën 2009-2012 kanë qenë më shumë se dyfishi, përkatësisht 2.200.

Edhe numri i ekzekutimeve publike është rritur. Në vitin 2011raportuesi i OKB-së Shaheen numëroi mbi 400 raste, në vitin 2012 sipas IHR kanë qenë 60, gjashtë herë më shumë se në vitin 2009. Në ekzekutimet publike në Iran përdoren pjesërisht vinça të lëvizshëm, me të cilat tërhiqen lart të dënuarit.

Dëshmitarë të një ekzekutimi publik në Iran

Dëshmitarë të një ekzekutimi publik në Iran

IHR supozon se numri i ekzekutimeve në realitet është më i lartë. Sipas njoftimeve të pakonfirmuara 570 persona të tjerë janë ekzekutuar në mes të vitit 2010 dhe 2012. Shpesh ka raportime për ekzekutime të fshehta në burgun Vakilabad të qytetit të madh Mashhad në lindje të Iranit. Vetëm në vitin 2012 aty duhet të jenë vrarë 240 njerëz.

Shkaku gjoja: Ligjet e drogës

Lidershipi politik iranian është i vetëdijshëm se numri i lartë i ekzekutimeve dëmton reputacionin e vendit. Kohët e fundit Mohammad Javad Larijani, sekretar i përgjithshëm i këshillit iranian për të drejtat e njeriut dhe këshilltar i udhëheqësit të lartë shpirtëror Ali Khamenei, u tregua i arsyeshëm në një bisedë me stacionin Euro News. "Ka shumë ekzekutime në Iran, kjo është gjë e keqe", tha Larijani.

Fajtor per numrin e lartë të ekzekutimeve sipas Larijanit është legjislacioni. "Krimet, që lidhen me trafikimin e drogës, janë arsyeja për rreth 74 për qind të ekzekutimeve në Iran. Sipas mendimit tim kapja me drogë nuk duhet të cilësohet si delikt i rëndë. Për këtë na nevojitet një ligj i ri, por shumë anëtarë të parlamentit nuk bien dakord.

"Të ndalohen ekzekutimet publike"

Dieter Karg, ekspert për Iranin në organizatën ndërkombëtare të të drejtave të njeriut Amnesty International, dyshon se rreth 70 për qind e ekzekutimeve kanë qenë me të vërtetë delikte droge. "Midis tyre ka disa raste, për të cilat ne dyshojmë se bëhet fjalë për dënime politike ose të tjera." Dënimet politike në Iran përmblidhen zyrtarisht në kategorinë "armiqësi kundër Perëndisë". Sipas të dhënave zyrtare iraniane, megjithatë, vetëm tre për qind e ekzekutimeve kryhen për këto delikte. Arsye të tjera zyrtare për shqiptimin e dënimit me vdekje janë përdhunimi, vrasja dhe grabitje të armatosur.

Megjithë kritikat e vazhdueshme nga organizatat e të drejtave të njeriut dhe pranimit nga ana e Larijanit, se në Iran ekzekutohen shumë njerëz, eksperti i Iranit Karg nuk beson se Teherani do të bëjë diçka seriozisht për ndryshimin e gjendjes ekzistuese. IHR dyshon se para zgjedhjeve në qershor 2013 mund të ketë ekzekutime të tjera. Zëdhënësi i organizatës, Mahmoud Amiry-Moghaddam, i bën thirrje OKB-së të ndalojë ekzekutimet publike si një shkelje të dinjitetit njerëzor.

Autor: Jashar Erfanian/ Ina Verbica

Redaktoi: Auron Dodi