1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Kritikat e ashpra të Papës

Në vend të lëvdatave të Krishtlindjeve, bubullima: Papa Françesku ka kritikuar ashpër në fjalën e tij me rastin e Krishtlindjeve përfaqësuesit e lartë të Kishës.

Për Papa Françeskun Krishtlindjet janë një festë e fjalëve të qarta. Fare hapur, pa formulime diplomatike dhe pjesërisht në mënyrë aspak miqësore ai vuri në dukje sëmundjet, prej të cilave lëngon Kuria, pra administrata e Kishës: etje për pushtet, thashetheme, vanitet. Të gjitha këto e madje më shumë Papa i thotë në adresë të bashkëpunëtorëve me funksione drejtuese: kardinalëve, ipeshkvijve dhe Monsignori.

Fjalë të qarta për të metat e Kuries

"Këta janë njerëz, që e kryejnë shërbimin e tyre vetëm duke menduar se çfarë të marrin, dhe jo çfarë duhet të japin. Njerëz meskinë, të palumtur, të cilët drejtohen nga egoizmi i tyre fatal", kritikoi Papa.

Kush në krye të Kishës kërkon pushtet, nderime, apo edhe thjesht pasuri, është për Papën në vendin e gabuar. Që Papa Françesku së bashku me nëntë kardinalë po punon për një reformë të Kuries, ndesh në Vatikan pak a shumë në një qëndresë të fshehtë, pjesërisht në kritikë të maskuar. Fjala e Papës për Krishtlindje pra kuptohet si një ndërhyrje nga lart dhe në të njëjtën kohë fjalët vlejnë për të gjithë punonjësit e Kishës, për të gjithë të krishterët.

"Ne nuk mund të marrim asgjë materiale me vete. Se kufoma nuk ka xhepa. Dhe të gjitha thesaret tona në këtë botë, edhe dhuratat, nuk mund të mbushin zbrazëtinë e brendshme, përkundrazi: ajo bëhet gjithnjë e më e madhe."

Papa Françesku ka vendosur në Vatikan një kulturë të re për dhuratat: kritikë për kardinalët dhe dhurata për të varfërit. Para Krishtlindjeve ai dha porosi të shpërndahen thasë gjumi për të pastrehët. Më parë, si arqipeshkv i Buenos Ajresit ai madje e bënte këtë personalisht. Në Romë këtë detyrë e merr përsipër mjeshtri i Papës për lëmoshat, kleriku polak Konrad Krajevski. Me porosi të Papës ai u shpërndau 200.000 euro familjeve të varfëra romane, në mënyrë që ato të mund ta paguanin faturat e rrymës elektrike. Me iniciativën e tij u vendosën dushe për të pastrehtët në Kolonadat e Sheshit të Pjetrit. Michela, një katolike e re nga Roma, është e ngazëllyer: "Edhe në Romë ka shumë varfëri si në gjithë Italinë. Dhe është një gjë e mrekullueshme që ai u vjen në ndihmë për Krishtlindje të gjithë atyre, që kanë një festë më të palumtur."

Kisha duhet të japë dhe jo të marrë

Ky Papë pret nga Kisha e tij që ajo të japë, jo të marrë. Edhe kjo është një arsye, përse ai reagon në mënyrë aq alergjike ndaj vanitetit, etjes për luks dhe përpjekjeve për fitime në radhët e veta. Fryma e Krishtlindjeve është një tjetër, thekson Papa për punonjësit e Vatikanit: "Krishtlindjet janë festa e varfërisë së Perëndisë, i cili nuk ka asgjë tjetër veç vetes. Festa e Perëndisë, që fshihet nga inteligjentët dhe të urtët dhe shfaqet tek të thjeshtët dhe të varfërit."

Papa vetë merr shumë dhurata nga miq të shumtë brenda dhe jashtë vendit. Jo vetëm për Krishtlindje. Gëzimi më i madh për Françeskun është, kur i japin diçka, me të cilën mund të gëzojë të tjerët. Kështu 800 kilogram mish pule përfunduan për ditëlindjen e tij në kuzhinën e të varfërve të Caritasit.

"Të gjithë Papët vitet e kaluara kanë pasur shumë ide të mira. Tani Françesku po i vë ato në jetë. Dhe kjo më bën të lumtur, pasi kemi nevojë për një ripërtëritje të Kishës", thotë Michela.

Pas Krishtlindjeve dhuratat veçanërisht të çmuara të Papës do të hidhen në short për një qëllim të mirë. Çmimi i madh është një Fiat Panda.