1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kritika zu Guttenbergut për plagjiaturë

1 Mars 2011

Ekspertët: Doktoratura ka shumë mangësi dhe teksti shumë ndryshime në stilin e formulimit, gjë që tregon se për përpilimin e saj janë përdorur pasazhe të ndryshme nga autorë të ndryshëm.

https://p.dw.com/p/R5HV
Karl-Theodor zu GuttenbergFotografi: dapd

Karl-Theodor zu Guttenbergu u akuzua se për doktoraturën e tij, që e ka mbrojtur para pesë vjetësh, ka kopjuar fjalë për fjalë nga gazetat dhe botime të tjera pjesë të tëra, pa shënuar se është fjala për citate.

Gazetarja edhe publicistja Klara Obermüller, tregon se prej një artikulli të saj në gazetën Neue Zürcher Zeitung, ministri ka kopjuar:

"Jo vetëm ndonjë fjali të shkurtër, por një sërë fjalish që i ka përfshirë në punimin e tij të doktoraturës pa i futur në thonjëza dhe pa cituar burimin. Kjo më duket jo korrekte dhe në fakt e pafalshme. Jam shumë e çuditur për këtë."

Janë kopjuar paragrafë të tërë pa referenca për burimin

Pjesë të tëra të hyrjes së disertacionit të ministrit zu Guttenberg janë kopjuar nga një arktikull i politologes së Universitetit të Pasaut, prof. dr. Barbara Zehnpfennig, të botuar në gazetën Frankfurter Allgemeinen Zeitung. Profesoresha është tepër e zemëruar:

"Të marrësh citate nga dikush tjetër dhe të mos i shënosh si të tilla, ky nuk është gabim që mund të të shpëtojë. Në rastin tim kjo më duket tepër e pabesueshme, sepse në hyrje të disertacionit janë përfshirë paragrafë të tërë nga artikulli im, ndërkohë që në hyrje të disertacionit shkruhen pikërisht synimet dhe ato që ka arritur personi me doktoraturën e tij. Të kopjosh të tilla gjëra prej dikujt tjetër dhe të mos e bësh të qartë, kjo nuk lejohet."

Anulimi i titullit "doktor i shkencave" për Guttenbergun

Profesori i Drejtësisë në Universitetin e Mynihut, Volker Rieble, i cili është edhe ekspert në fushën e plagjiaturave, i tha agjencisë Reuters se punimi i doktoraturës së Karl-Theodor zu Guttenberg, e cila është vlerësuar me notën më të lartë, "summa cum laude", ka shumë mangësi. Ai thotë se gjatë shfletimit të doktoraturës prej 450 faqesh, doktoraturë e mbrojtur në fushën e drejtësisë, ka vënë re se ka shumë ndryshime në stilin e formulimit, gjë që tregon se për përpilimin e saj janë përdorur pasazhe të ndryshme nga autorë të ndryshëm.

Opozita kërkon pasoja për ministrin

Pas publikimit të lajmit në të cilin bëhej fjalë për nëntë pasazhe të kopjuara nga autorë të tjerë pa përmendur autorësinë, sipas revistës "Spiegel Online" u shtua numri i atyre që gjejnë në punimin e ministrit zu Guttenberg, pjesë nga shkrimet e tyre. Opozita kërkoi pasoja për ministrin. Pas një bisede me kancelaren si dhe qëndrimeve kritike edhe nga politikanë të partisë së tij, ministri zu Guttenberg, hoqi dorë prej përdorimit të titullit doktor i shkencave.

Autor: Bettina Marx / Pandeli Pani
Redaktoi: Eliana Xhani