1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Kritika të forta të Thaçit kundrejt BE-së

Sipas Hahn nuk ka viza për Kosovën pa përmbushje të dy kritereve të mbetura, ndërsa Hashim Thaçi fajëson rëndë BE-në për vonesën e liberalizimit të vizave, duke e quajtur atë padrejtësi historike e BE-së ndaj Kosovës.

Komisionari i Bashkimit Evropian për Zgjerim Johannes Hahn kritikoi në Prishtinë ndarjet e thella politike ndërmjet partive në pushtet dhe atyre në opozitë. Ato kanë ndikuar negativisht në raportin e Komisionit Evropian për Kosovën. Johannes Hahn, qëndroi të premten pasdite në Kosovë me datë (11.11) dy ditë pasi Komisioni Evropian publikoi raportin për Kosovën, ku u tha se megjithë përparimet, ngecje janë shënuar në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Johanes Hahn, tha se në Kosovë duhet të punojnë të gjithë, partitë politike në pushtet, ato në opozitë dhe shoqëria civile në mënyrë që të shtyhen përpara proceset dhe reformat e kërkuara nga Bashkimi Evropian.

Njëri ndër proceset që ka ngecur në Kosovë është liberalizimi i vizave, ku dy kritere, Kosova asesi nuk mund t'i përmbushë, ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi dhe luftën kundër krimit dhe korrupsionit. "95 kërkesat e kërkuara nga Bashkimi Evropian për Kosovën, për çështjen e liberalizimit të vizave, 93 janë përmbushur. Jemi duke i pritur vetëm edhe ato dy kërkesa të fundit me qëllim që të vendosim gjithçka në kontekstin e duhur. Por, si duket është një problem i madh, por ky është konfirmimi detyrues ligjor për shënimin e vijës kufitare. Unë iu bëj thirrje partive politike dhe deputetëve të parlamentit të Kosovës që ta ratifikojnë këtë marrëveshje që tashmë është negociuar ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi", tha Johanes Hahn. Sipas komisionarit Hahn, Kosova ka edhe çështje tjera, tek të cilat duhet progres, e ato janë lufta kundër korrupsionit dhe liria e shprehjes, fusha këto, ku kërkohet përmirësim i mëtejshëm.

Zgjedhje të parakoshme?

Në Kosovë ka kohë që mediet shkruajnë për mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme, për faktin që qeveria nuk po mund të realozojë çështjet, të cilat kërkojnë konsensus të gjerë. Për këto debate, Johanes Hahn tha se është në dijeni, mirëpo sipas tij, institucionet duhet të fokusohen në punë dhe jo në zgjedhje të parakohshme për të humbur kohë. "U bëj thirrje të gjitha partive politike që të bashkëpunojnë dhe të avancojnë me punë dhe ta dërgojnë Kosovën drejt reformave të kërkuara. Jam plotësisht i vetëdijshëm për diskutimet e spekulimet për zgjedhje të parakohshme. Këto vendime u takojnë autoriteteve të Kosovës dhe personave përgjegjës. Por, nga prizmi i BE-së, mendoj se fokusi duhet të jetë në realizimin e çështjeve konkrete, të cilat kërkohen nga qytetarët", tha Johanes Hahn.

Thaçi: Kritika BE-së

Gjatë ditës, pas takimit që komisioneri i BE-së, për zgjerim Johanes Hahn kishte me Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, ky i fundit kritikoi ashpër BE-në për vonesën e liberalizimit të vizave për Kosovën. Sipas Thaçit, vonesat që po shkakton BE-ja në liberalizimin e vizave, janë një padrejtësi historike ndaj popullit të Kosovës. "Kosovës padrejtësisht i janë shtuar kritere nga Bashkimi Evropian, vetëm për t'i arsyetuar vonesat e panevojshme dhe të dëmshme për perspektivën tonë nga ana e Brukselit. Kosova nuk meriton kushtëzime të tilla në procesin e liberalizimit të vizave, meqë BE-ja ka mjaft mekanizma që kushtëzimin ta bëjë gjatë procesit të anëtarësimit”, tha Presidenti Thaçi.

"Kam frikë se dikush në BE e ka ngatërruar keq procesin për liberalizimin e vizave me procesin e anëtarësimit të Kosovës. Po harroni se Kosova nuk bëhet anëtare e BE-së në momentin që hiqen vizat. Shpeshherë e kam dëgjuar refrenin se BE-ja mëson nga gabimet e së kaluarës. Sikur të ishte ashtu, atëherë cilët kufij u demarkuan nga Gjeorgjia apo Ukraina, nga të dyja këto vende që janë gati të marrin të drejtën e udhëtimit pa viza në BE në javët e ardhshme”, tha në kritikën e tij, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi.

Mirëpo, komisionari Johanes Hahn, gjatë në konference për shtyp së bashku me kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa, iu kundërpërgjigj presidentit duke thënë se "Bashkimi i Evropian nuk duhet të fajësohet për vonesën e liberalizimit të vizave, deri sa Kosova nuk ka përmbushur kriteret e kërkuara”.

Isa Mustafa: Kosova e refuzon izolimin

Johanes Hahn, i cili në Kosovë po shoqërohet edhe nga nënkryetarja e Parlamentit Evropian, Ulrike Lunaçek, mori pjesë në hapjen e konferencës nga qeveria e Kosovës "Lançimi i reformave të Kosovës drejt BE-së”, me tri synime "Qeverisja e mirë dhe respektimi i ligjit, konkurrueshmëri e ndershme dhe klimë e investimeve si dhe arsim cilësor”. Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, tha se "e ardhmja evropiane e Kosovës është e vetmja alternativë. "Kosova refuzon izolimin. Këtë do ta bëjë përmes përcaktimit të saj të qartë për ndërtimin e një shoqërie demokratike, me vlera evropiane, një vendi të zhvilluar ekonomikisht, në të cilin vepron shteti i së drejtës dhe barazia qytetare", tha kryeministri Isa Mustafa. Sipas tij, Kosova po ashtu është e përcaktuar për dialog me Serbinë jo vetëm sipas kryeministrit, "për të normalizuar marrëdhëniet me këtë vend, por për t'i kontribuar në mënyrë afatgjate paqes dhe stabilitetit në rajon”.

"Kosova prin në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm në rajon, jo se këtë mision dhe përgjegjësi ia ka caktuar dikush tjetër, por se ajo Evropën e konsideron shtëpi të veten, në të cilën duhet të jetojmë në paqe dhe siguri. Qytetarët e Kosovës kërkojnë përgjegjësi nga ne që të hapim dyert e BE-së, të sigurojmë lëvizje të lirë në vendet e Schengenit dhe të bëhemi pjesë e familjes evropiane. Ata nuk meritojnë të izolohen dhe të mbesin në fatin e përplasjeve me rrymat, sektet e kulturat, të cilave ata nuk u përkasin dhe s'kanë asgjë të përbashkët me to. Ne dëshirojmë të jemi në Evropë dhe që Evropa të jetë në Kosovë", deklaroi kryeministri Isa Mustafa. Në raportin e sivjetëm të Komisionit Evropian për Kosovën, që vite më parë njihej si "Raporti i Progresit”, thuhet se Kosova mbetet vend që duhet të punojë më shumë në sundimin e rendit dhe ligjit, partitë politike të gjenjë gjuhë të përbashkët në marrjen e vendimeve politike, Kosova të angazhohet më shumë në reformat ekonomike dhe po ashtu në dialog me Serbinë për normalizimin e raporteve.