1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Kritika të ashpra ndaj qeverisë hungareze për shkak të ligjit për të pastrehët

Të pastrehët ndalohen të shikojnë nëpër shporta për mbeturina dhe nuk guxojnë të vendosen në vende të caktura. Por ky ligj ka shkaktuar reagime të shumta kritike në Hungari.

Qeveria konservatore e Hungarisë e kryeministrit Viktor Orbán ka ndërmarrë kohët e fundit disa masa kundër personave të pastrehë. Disa herë ka ndërhyrë edhe Gjykata Kushtetuese, sepse disa masa, si për shembull, mundësia e lypjes në shportat për mbeturina apo mundësia e vendosjes në vende të caktuara, nuk janë në harmoni me Kushtetutën.

Qeveria e Orbánit ka nisur edhe një përpjekje: këtë javë në parlament u miratua një ligj i cili të pastrehëve u ndalon që të mblidhen në vende të caktuara publike. Ata nuk lejohen të qëndrojnë në vendet e trashëgimisë kulturore botërore, apo në afërsi të godinave të komunave dhe rretheve që janë shpallur si zona të ndaluara për të pastrehët. Të pastrehët, të cilët e shkelin këtë rregull, mund të denohen me punë të detyruar sociale dhe në rast se vepra përsëritet edhe me heqje lirie.

"Kriminalizimi i të pastrehëve është i papranueshëm"

Në azilet e të pastrehëve nuk ka vende të mjaftueshme

Në azilet e të pastrehëve nuk ka vende të mjaftueshme

Shumë organizata joqeveritare në Hungari i kanë kritikuar këto rregulla dhe kanë protestuar. Ato kërkojnë nga presidenti János Áder që të mos e nënshkruajë këtë ligj. "Kriminalizimi i të pastrehëve është kundër të drejtave elementare dhe i papranueshëm", thuhet në një kumtesë "Shoqatës për të Drejtat dhe Liritë" (TASZ), Komitetit të Helsinkit në Hungari dhe shtatë OJQ-ve të tjera.

"Me këtë ligj dënohet vetë fenomeni i të pastrehëve", thotë Tessza Udvarhelyi nga iniciativa e të pastrehëve "Qyteti u takon të gjithëve". Shumë prej këtyre njerëzve nuk e dinë se ku do ta kalojnë natën. Qindra njerëz kanë protestuar edhe para Parlamentit në Budapest. "Qeveria ka premtuar se do të ndërtojë vendstrehime për të pastrehët, por kjo nuk është bërë", pohon Tessza Udvarhelyi. Rreth 10.000 - 15.000 të pastrehë jetojnë në metropolin dymilionësh Budapest. Ata kanë në dispozicion vetëm 6000 vende nëpër shtëpi për të pastrehët.

Qeveria kundërshton kritikat

Përfaqësues të shoqërisë civile i kërkojnë presidentit János Áder të mos e firmosë ligjin

Përfaqësues të shoqërisë civile i kërkojnë presidentit János Áder të mos e firmosë ligjin

Organizatat joqeveritare vlerësojnë se rreth 80 % e të pastrehëve në kryeqytet kanë ardhur nga pjesë të tjera të Hungarisë, në radhë të parë nga pjesët lindore. Deri në vitet 1990-të atje kanë punuar me dhjetëra mijëra njerëz në fabrika dhe koncerne të industrisë. Por me falimentimin e industrisë ata kanë mbetur të papunë dhe kjo pjesë është ndër më të varfërat në Hungari. Shumë të pastrehë kanë ardhur prej atje në Budapest.

Përfaqësuesit e qeverisë kanë hedhur poshtë kritikat e ligjit më të ri. "Është totalisht e papranueshme që këtu të flitet për kriminalizimin e të pastrehëve", thotë sekretari i shtetit në Ministrinë e Jashtme Gergely Pröhle. "Ne vetëm nuk duam që të pastrehët të vendosen në zona të caktura, të cilat janë edhe vende të rëndësishme turistike. Kjo është legjitime."

Tessza Udvarhelyi mendon ndryshe. Ajo pohon se politika ndaj të pastrehëve paraqet një armiqësi të përgjithshme të qeverisë Orban ndaj të varfërve. "Atyre u duhen fajtorë të cilëve mund t'ua hedhin përgjegjësinë për gjendjen e keqe sociale në vend dhe fajtorët i kanë gjetur tek më të varfërit dhe të pastrehët, romët dhe refugjatët."

Kushtet shumë të rënda

Kundër të pastrehëve ka vepruar më parë edhe qeveria socialiste, por jo në këtë mënyrë sistematike. "Para vendimit të Gjykatës Kushtetuese ligji i mëparshëm për të pastrehët ka qenë në fuqi tetë muaj", shpjegon Udvarhelyi. "Gjatë këtyre tetë muajve, rreth 2000 të pastrehë në Budapest janë denuar me 130.000 euro."

Prifti i njohur Gábor Iványi kujdeset për të pastrehët në dy dekatat e fundit. Edhe ai kritikon qeverinë. "Qeveria e quan veten të krishterë, por ligji i miratuar është jonjerëzor dhe josolidar", pohon Iványi. "Të tilla janë edhe masat kundër të pastrehëve, sepse shumë shpesh policia shkon në shtëpitë e të pastrehëve dhe i keqtrajton, madje edhe në radhët për ushqime. Këto masa janë thellësisht jo të krishtera."

Para dy vitesh një ligj i tillë është shpallur antikushtetues. Por në mars qeveria e Orbánit e ka ndryshuar edhe një pjesë të Kushtetutës, me të cilën rregullohen disa fusha të caktuara. Ndër to është edhe ajo e të pastrehëve, që do t'ia vështirësojë Gjykatës Kushtetuese që ta hedhë poshtë ligjin e miratuar së fundi.