1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Kritika ndaj Merkelit

Angela Merkel duhet të durojë shumë kritika për politikën ndaj Evropës, tani dhe nga ish-kancelari Helmut Kohl dhe presidenti Christian Wulff, kështu duket. Por kjo është vetëm pjesërisht e vërtetë, mendon Peter Stützle.

default

Shpresojmë se kancelarja Angela Merkel është çlodhur mirë në pushime. Sepse që prej kthimit të saj gazetat në kioske janë të mbushura me tituj kritikë. "Helmut Kohl: Apel dramatik drejtuar Merkelit! Ne duhet të jemi të kujdesshëm, që të mos i humbasim të gjitha në lojë!" Kjo është faqja e parë e tabloidit "Bild" me tirazh milionësh. Dhe gazeta shumë serioze "Süddeutsche Zeitung" mban titullin: "Kohl:. Politika e jashtme e Merkelit pa busull."  

Me të vërtetë kancelari Helmut Kohl i ka dhënë një intervistë revistës "Internationale Politik". Në të ish-kancelari pyetet për vendimet, si kundërshtimi i luftës në Irak në vitin 2003 nga Gerhard Schrëder dhe abstenimi gjerman në rezolutën për Libinë këtë vit në Këshillin e Sigurimit të OKB-së: "A e ka humbur Gjermania busullën?" Politikani me përvojë dhe i suksesshëm përgjigjet: "Kjo duhet konstatuar për fat të keq." Dhe ai kërkon kthim tek kredibiliteti i vjetër. 

Pavarësisht se si vendos - gjithmonë e ka gabim 

Kritika e Kohlit i drejtohet pa dyshim edhe pasardhësës së tij në detyrë, Angela Merkel, edhe pse ai nuk e përmend atë në mënyrë eksplicite. Konkretisht ish-kancelari kritikon vetëm qeverinë e mëparshme socialdemokrate-ekologjiste. Ai i jep asaj një faj të konsiderueshëm për krizën aktuale të euros: sepse ajo e ka pranuar Greqinë pa kritere të rrepta në zonën e euros dhe madje duke shkelur kriteret e stabilitetit të Bashkimit Monetar Evropian. Qeverisë së tanishme të Merkelit, të cilën e kritikon indirekt, Kohl nuk i jep këshillë konkrete, se çfarë duhet të bëjë ndryshe.

Ky është në rradhë të parë problemi, para të cilit ndodhet sot Angela Merkel. Ka shumë kritikë për mënyrën e saj të trajtimit  të krizës së euros, por propozimet alternative, në qoftë se ata bëhen, kundërshtojnë diametralisht njëri-tjetrin. Qeveria Federale, si dhe partnerët e saj evropianë, nuk mund të punojnë në bazë të modeleve, sepse diçka e tillë si Bashkimi Monetar Europian kurrë nuk ka ekzistuar më parë. Por, pa marrë parasysh se si vendos, për një pjesë të madhe të opinionit publik është gjithmonë e gabuar.

Zgjedhjet e tjera janë akoma larg

Edhe një fjalim i Presidentit gjerman Christian Wulff para laureatëve të çmimit Nobel për ekonominë nga shumica e mediave është përcjellur kryesisht si kritikë ndaj Merkelit. Kritika e kreut të shtetit gjerman drejtohej pikësëpari ndaj Bankës Qendrore Evropiane dhe së dyti ndaj qeverive evropiane në përgjithësi, dhe jo vetëm dhe as në rradhë të parë ndaj qeverisë gjermane. Përkundrazi, ajo që Wulf porosiste në fjalim, duke patur parasysh krizën e euros, shkonte në drejtim të njëjtë me atë, që synon qeveria federale, por që në nivel europian nuk mund ta zbatojë tërësisht. Fjalimi i Wulffit mund të interpretohej biles edhe si mbështetje e Merkelit.

Por disponimi në shtyp është momentalisht tjetër. Në modë është kritika ndaj Merkelit dhe atë e ndjekin thuajse të gjithë, që nga majtas deri tek djathtas. Por me një gjë mund të ngushëllohet kancelarja. Zgjedhjet e tjera janë akoma shumë larg, dhe disponime të tilla ndryshojnë shpejt.

 

Autor: Peter Stützle

Redaktion: Angjelina Verbica