1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Kritika ndaj gjyqësorit në Kosovë

Kritikat në adresë të gjyqësorit nuk kanë të bëjnë vetëm me numrin e lëndëve të pazgjidhura, por edhe me praninë e korrupsionit në këtë mekanizëm të rëndësishëm.

Pamje nga Prishtina

Gjyqësori në Kosovë, vazhdon të jetë një nga sektorët e kritikuar për mungesë efikasiteti. Kritikat janë bërë nga shumë organizata që monitorojnë gjyqësorin, madje kritika për këtë sektor u adresuan edhe në raportin e progresit për Kosovën. Janë gjithsej 224 mijë lëndë të pazgjidhura dhe ky numër sa vjen e shtohet nga viti në vit.

224 mijë lëndë gjyqësore presin zgjidhje

Kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës, Fejzullah Hasani, thotë se kjo gjendje është krijuar si pasojë e mungesës së gjyqtarëve.

"Me kapacitetin e gjyqtarëve që kemi aktualisht, secili nga ta ka kaluar normën për disa lëndë. Por, numri i lëndëve megjithatë ka ardhur duke u rritur. Është viti i dytë ku ne kemi 123 gjyqtarë mungesë dhe janë diku 224 mijë lëndë të pazgjidhura”, thotë Fejzullah Hasani.

Megjithatë, sipas tij deri në fund të këtij viti, pritet që ky numër i gjyqtarëve të plotësohet. Në grumbullimin e lëndëve të pazgjidhura ka ndikuar edhe mbyllja e gjykatave në veri të Kosovës, të cilat nuk funksionojnë që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, kur ato u uzurpuan nga serbët lokalë të veriut të Mitrovicës.

Por drejtori i Agjencisë Kosovare Antikorrupsion, Hasan Preteni, i tha Deutsche Welle-s, se gjyqësori nuk mund të ankohet për kushte. Fakt është që tashmë gjyqësori është pavarësuar në aspektin financiar, gjyqtarët pagat i kanë të larta, ndërsa edhe numri i gjyqtarëve dhe prokurorëve është në rritje.

Drejtori i Agjencisë Kosovare Antikorrupsion, Hasan Preteni.

Drejtori i Agjencisë Kosovare Antikorrupsion, Hasan Preteni

Akuza për korrupsion në sistemin e gjyqësisë në Kosovë

Kritikat në adresë të gjyqësorit nuk kanë të bëjnë vetëm me numrin e lëndëve të pazgjidhura, por edhe me praninë e korrupsionit në këtë mekanizëm të rëndësishëm. Përfaqësues nga Prokuroria e Kosovës, thonë se aktualisht në procese gjyqësore janë dënuar disa punonjës të gjykatave, që dyshohen për keqpërdorime apo abuzime me detyrën zyrtare.

Prokurorja e qarkut në Prishtinë, Drita Hajdari, që është edhe Koordinatore Kombëtare kundër korrupsionit, tha në një konferencë për media se hetimet për zyrtarët e përfshirë në afera korrupsioni janë duke vazhduar dhe sipas saj, këtu flitet për zyrtarë të lartë të Qeverisë aktuale, për ish-zyrtarë të lartë të Qeverisë dhe të institucioneve të tjera.

Të implikuar në korrupsion edhe në radhët e zyrtarëve të lartë

“Për vepra penale, shpërdorim të pozitës zyrtare, janë të implikuar zyrtarë të profileve të larta dhe një numër prej këtyre lëndëve është duke u proceduar. Në këto hetime përfshihen zyrtarë të lartë të Qeverisë, ish-zyrtarë të lartë të Qeverisë dhe të institucioneve të tjera”, thotë Drita Hajdari.

Për përfshirjen e zyrtarëve të lartë të institucioneve të Kosovës në afera korruptive flet edhe drejtori i Agjencisë Kosovare Kundër Korrupsionit, Hasan Preteni. Gjatë një interviste më parë për Deutsche Welle-n, zoti Preteni tha se problemi është që gjyqësori nuk po e kryen punën.

“Ne e kemi theksuar edhe në raportet tona se gjykatat nuk janë duke i trajtuar në nivelin e duhur rastet për korrupsion. Marr një shembull gjatë vitit 2010, gjykatat ka shqiptuar vetëm gjashtë dënime me burg, për vepra që kanë të bëjnë me korrupsion. Nëse krahasojmë me 530 aktakuza që kanë bërë prokuroritë, del që korrupsioni në Kosovë po hetohet, por nuk po luftohet”, thotë Hasan Preteni.

“Me 31 dhjetor të vitit të shkuar kemi raportuar se kemi ushtruar më shumë se 200 kallëzime penale dhe në këto kallëzime penale janë më shumë se 600 emra të personave në përfshirje në veprime të mundshme korruptive dhe në mesin e këtyre ka nivele të ndryshme të zyrtarëve të institucioneve të vendit duke filluar prej kryetar komunash, gjyqtarë, prokurorë drejtor të ndërmarrjeve publike dhe ministra”, konfirmon Hasan Preteni.

Për zbatimin e ligjeve në Kosovë nevojitet vullnet politik

Në raportin e Progresit për Kosovën, thuhet megjithatë se ka një progres të vogël në luftimin e korrupsionin me forcimin e kornizës ligjore. Janë miratuar ligje që përfshijnë mbrojtjen e informuesve, ligji për deklarimin e pasurisë dhe dhuratave dhe ligji për prokurimin publik. Por, në raport theksohet se këto ligje duhet zbatuar dhe për ta luftuar korrupsionin, nevojitet edhe vullnet politik.

Autor: Bekim Shehu/Prishtinë

Redaktoi: E. Xhani