1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

070910 EU-Parlament Roma

8 Shtator 2010

Parlamenti Evropian betatoi të martën (7.9.) mbi dëbimin e kontestuar të romëve nga Franca për në Rumani dhe Bullgari. Europarlamentarët e akuzuan Komisionin e BE-së se nuk e dënon qartë sjelljen e Francës.

https://p.dw.com/p/P6hF
Romi Victor Bostinaru duke folur me deputetin gjerman Martin Schulz.
Romi Victor Bostinaru duke folur me deputetin gjerman Martin Schulz.Fotografi: picture-alliance/dpa

Në radhët e rreth 800 europarlamentarëve ka disa që vijnë nga pakica rome. Kështu edhe kristiandemokratja hungareze Livia Jaroka. Ajo shprehu keqardhje që politikanët e përdorën "temën romë" si armë kundër kundërshtarëve politikë:

"Sa keq që tema romë përdoret si armë kundër kundërshtarëve politikë."

Një kritikë thuajse e hapur ndaj presidentit francez Nicolas Sarkozy. Ky kërkon të përmirësojë vlerat e ulëta në sondazhe dhe duket se me kthimin e detyruar të romëve në vendet e tyre të origjinës kërkon të fitojë pikë. Bileta e avionit paguhet nga qeveria franceze.

Deputeti ekologjist Daniel Cohn Bendit
Deputeti ekologjist Daniel Cohn BenditFotografi: dpa

Për deputetin ekologjist Daniel Cohn Bendit është një metodë cinike të kthesh sërish në varfëri njerëzit për 200 ose 300 euro. "Unë e akuzoj Sarkozynë se thjesht flak jashtë njerëzit dhe kërkon të bëjë për vete shumicat që nuk i pëlqejnë romët. Kjo është sjellje meskine."

Deputetja franceze Veronique Mathieu e mbron Sarkozynë. Deputetja nga partia qeverisëse UMP kujton se dy të tretat e romëve jetojnë prej një kohe të gjatë në Francë e kanë madje pasaporta franceze. Fjala është për një të katërtën e cila jeton në pjesën më të madhe në kushte të mjerueshme: "Gratë keqtrajtohen, fëmijët jetojnë në kushte të këqija. Kur diku mbizotëron mjerimi kriminaliteti dhe pasiguria nuk janë larg."

Komisionerja për drejtësinë dhe të drejtat themelore Viviane Reding bëri të qartë se rastet e kriminalitetit mund të jenë një arsye për dëbim. Por nuk duhet të ketë një dënim kolektiv të një pakice. Për të diskutuar këtë çështje pak ditë më parë ajo kishte thirrur në një takim në Bruksel edhe ministra francezë: "Ata siguruan se autoritetet franceze i trajtojnë njëlloj të gjithë qytetarët dhe se nuk ka masa të veçanta kundër romëve apo grupeve të tjera."

Komisionerja për drejtësinë dhe të drejtat themelore Viviane Reding.
Komisionerja për drejtësinë dhe të drejtat themelore Viviane Reding.Fotografi: DW

Por Reding vazhdon të jetë mosbesuese dhe ka hartuar një letër në drejtim të Parisit ku kërkon sqarime të mëtejshme. Veç kësaj do të ngrihet një task-force që do të merret me aktet e dhunës ndaj romëve në vendet anëtare dhe do të kujdeset për përdorimin e mjeteve financiare të BE-së, të cilat janë planifikuar për integrimin e romëve.

A janë të mjaftueshme këto masa? Kryetari i grupit parlamentar të socialdemokratëve në Parlamentin Evropian, Martin Schulz, dëshiron që Barroso t'i thotë hapur emrat e përgjegjësve: "Kjo është qeveria e Nicolas Sarkozysë, François Fillon dhe Brice Hortefeux. Do të doja që t'i kishit përmendur këta emra. Dhe atëherë do të kishim parë se Barroso po fillon luftën."

Parlamenti Evropian pritet të miratojë të enjten një rezolutë me të cilën Franca duhet të detyrohet të respektojë të drejtën e BE-së.

Autor: Hans Peter Frick/ Eliana Xhani

Redaktoi: Aida Cama