1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kritika ndërkombëtare për veprimet kundër Guardian-it

Auron Dodi (dpa, ap, rtr)21 Gusht 2013

Mënyra e veprimit e shërbimit të fshehtë britanik GCHQ kundër gazetës "Guardian" ka shkaktuar debat për trajtimin e lirisë së shtypit në Britaninë e Madhe. Qeveria gjermane mendon se britanikët kanë kaluar vijën e kuqe.

https://p.dw.com/p/19UHO
Fotografi: Reuters

I ngarkuari i qeverisë gjermane me të drejtat e njeriut, Markus Löning i kritikoi ashpër aksionet e autoriteteve britanike kundër gazetës "Guardian". Veprimet e përshkruara nga botuesi i Guardian, Alan Rusbridger e kanë tronditur vërtet. Ai është i shqetësuar për gjendjen e lirisë së shtypit dhe të lirisë në Britaninë e Madhe, i tha politikani liberal gazetës "Berliner Zeitung".

Shërbimi i fshehtë britanik, GCQH, e pati detyruar gazetën "Guardian", sipas paraqitjes së kësaj gazete që të shkatërronte dokumentat sekrete të ish-punonjësit me kontratë të NSA, Edward Snowden. Dy agjentë të GCQH patën urdhëruar dhe mbikqyrur në gazetë shkatërrimin e pllakave të memories (hardrive) të kompjuterit, shkruan kryeredaktori Alan Rusbridger në një koment. Ky ka qenë një nga momentet "më të vështira" në historinë e gjatë të gazetës, shkroi Rusbridger.

Mediat britanike njoftojnë sot dy nga ndihmësit kryesorë të kryeministrit britanik, David Cameron i bënë presion gazetës Guardian që të dorëzojë ose shkatërrojë sekretet e nxjerra nga Edward Snowdeni. Shefi i kabinetit, Jeremy Heywood dhe Këshilltari i Sigurisë Kombëtare, Kim Darroch njoftohet se i patën bërë ndërhyrjet e tyre me urdhër të kryeministrit Cameron.

Edhe aleatët po distancohen gjithnjë e më shumë nga veprimet britanike.

Në Gjermani është e vështirë që të përfytyrohet një mënyrë e tillë veprimi, deklaroi zëdhënësi i qeverisë gjermane, Steffen Seibert. Për qeverinë gjermane, liria e shtypit dhe mbrojtja e burimeve gazetareske janë "të shtrenjta" dhe si të tilla duhen mbrojtur. Por Seiferti iu shmang kritikës së drejtpërdrejtë ndaj qeverisë britanike.

Në Uashington, Shtëpia e Bardhë u distancua nga masat e Londrës. "Eshtë shumë e vështirë që të përfytyrosh një skenar, ku (këto masa) të kishin qenë me vend, u shpreh Josh Earnest, zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë në një kontakt me shtypin në Uashington.

Auron Dodi (dpa, ap, rtr)