1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Kritikë ndaj planeve për ndryshimin e ligjit të medieve në Maqedoni

Iniciativa e qeverisë maqedonase për një ligj të ri për mediat ka hasur në reagime të shumta tek gazetarët. Një pjesë e tyre vlerësojnë se kështu qeveria do t'i kontrollojë më lehtë mediat në Maqedoni.

Televizioni Alfa në Shkup të Maqedonisë.

Televizioni Alfa në Shkup të Maqedonisë.

Me rekomandimet e Këshillit të Evropës dhe Komisionit Evropian, Maqedonia është e obliguar të harmonizojë legjislativën mediale me direktivat për shërbimet audio-vizuele të BE-së. Duke patur parasysh këto kërkesa, Ministria e transportit dhe lidhjeve ka prezantuar në opinion konceptin për rregullimin e fushës mediale në vend me anë të një lgji të posaçëm.

Sipas ministrit të transportit Mille Janakievski, ligji do të ketë qëllim përfundimtar të përmirësojë klimën për punën e mediave në Maqedoni dhe adresimin e kritikave në raport-progres lidhur me lirinë e shprehjes. “Qëllimi i ynë është që përmes harmonizimit të legjislacionit me vendet e BE-së, në raportin e ardhshëm të KE-së të mos ketë kritika në pjesën e punës në media, përkatësisht në lirinë e shprehjes”, shprehet Janakievski.

Eskpertët i druhen kontrollit shtetëror mbi media

Por, ekspertë të mediave dhe një pjesë e gazetarëve vlerësojnë se koncepti i prezantuar nga Qeveria për rregullimin e fushës mediale synon plotësisht të kontrollojë dhe menaxhojë eterin medial dhe shtypin në Maqedoni.

“Qeveria vetëm shpalos vullnetin dhe interesin për të rregulluar me ligj punën e mediave, por nuk është aspak e gatshme që në konceptet ligjore të inkorporon edhe idetë dhe vërejtjet e gazetarëve”, thotë Robert Beliçanec, ekspert për çështjet e mediave.

Kryetari i Shoqatës të gazetarëve të Maqedonisë Naser Selmani, vlerëson se në debatin për harmonizimin e legjislativës, që do të rregullojë funksionimin e mediave duhet pa tjetër të kyçen dhe njëherësh të respektohen edhe propozimet dhe vërejtjet e gazetarëve.

Kryetari i Shoqatës të gazetarëve të Maqedonisë Naser Selmani.

Kryetari i Shoqatës të gazetarëve të Maqedonisë Naser Selmani

“Ne do ta udhëheqim këtë proces, do të hapim debatë me kolegët dhe të gjithë ata të cilët janë të interesuar ose i tangon ligji përkatës dhe më pas bashkarisht do të konstatojmë se a ka nevojë për të ndryshuar ligjin, për të miratuar një krejtësisht të ri,” shprehet Selmani.

Sreçko Popovski, gazetar i televizionit privat Alfa është kundër çdo iniciative për sjelljen e një ligji të ri me të cilin do të saktësohej e drejta dhe obligimet e gazetarëve. “Jam kundër ligjit për media. Maqedonia nuk ka nevojë për një ligj të tillë sepse Kushtetuta dhe ligjet tjera ekzistuese janë kornizë e mjaftueshme në bazë të të cilave trajtohet mënyra se si duhet të informohet opinioni”, shprehet Popovski.

Nuk duhet të ketë cënim të pavarësisë së medieve

Redaktori i gazetës Dnevnik, Zoran Dimitrovski, vlerëson se qeveria duhet të ketë kujdes se çka dëshiron të rregullojë me ligjin për media. Nëse ligji rregullon fushën e mediave elektronike atëherë është në rregull, por me ligj nuk duhet të tentohet të rregullohen edhe emërimi i kryeredaktorëve, redaktorëve sepse atëherë kemi të bëjmë me cenim dhe ndërhyrje në pavarsinë e mediave.

“Nëse do të ketë ligj për media, ai para së gjithash duhet ta rregullojë pjesën e biznesit konkretisht të mënjanoj konkurrencën e padrejtë, në veçanti në mediat e shkruara”, - thotë Dimitrovski.

Gazetarët janë të mendimit se në Maqedoni është më se e nevojshme të bëhet një analizë e përgjithshme për gjendjen e mediave dhe më pas të shihet se a ka nevojë të miratohet një ligj i ri për media. Sa kohë zhvillohet debati, në procedurë parlamentare ka hyrë propozim ligji për radiodifuzion, i cili kundërshtohet fuqishëm nga mediat private sepse vlerësohet shumë i favorshëm për shërbimin publik RTVM.

Autor: Fatos Musliu / Shkup

Redaktoi: E. Xhani