1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Kristo: Moszbatimi i ligjit lidhet me kulturën demokratike ende të ulët

Intervistë me Vladimir Kriston, kryetar i Gjykatës Kushtetuese Shqiptare mbi eksperiencën e marrë gjatë vizitës në Gjermani, problematikën e zbatimit të ligjit në Shqipëri dhe ndihmën për Gjykatën Kushtetuese të Kosovës

default

DW:Në krye të një delegacioni të Gjykatës Kushtetuese Ju ishit para një jave në Gjermani. Vizituat Gjykatën Kushtetuese gjermane në Karlsruhe dhe institucione të tjera të drejtësisë. Çfarë morët me vete nga kjo vizitë?

Kristo: Vizita u organizua me ndihmën e fondacionit IRZ. Ishte një vizitë e planifikuar prej kohësh, por kolegët dhe në mënyrë të veçantë, kryetari i Gjykatës Kushtetuese Gjermane u treguan të gatshëm të na prisnin në një takim në një tryezë të rrumbullakët, e cila u zhvillua me datën pesë. Në ditët e tjera ne patëm takime edhe në Gjykatën Administrative të landit të Baden-Würtembergut, ku u njohëm me procedurat e funksionimit të kësaj gjykate. Meqenëse ne jemi të interesuar, që edhe në Shqipëri të ngrihen gjykatat administrative, bile ka një projekt për këtë çështje, që ndodhet në kuvend. Ditën e dytë bëmë një takim në institutin Max Planck, një institut shumë i njohur që ka një kontribut të qenësishëm në fushën e së drejtës kushtetuese, por duke asistuar edhe në Parlamentin dhe Gjykatën Kushtetuese gjermane. Dhe dita e tretë ishte dita më e rëndësishme. Ne kishim përcaktuar dy tema që ishin objekt diskutimi. E para ishin raportet këshilltar-gjyqtar në veprimtarinë e Gjykatës Kushtetuese, ndihma që japin këto raporte për një vendimarrje sa më të mirë sa më efektive dhe e dyta ishte çështja e natyrës politike, apo që kanë ndjeshmëri në politikë, të cilat i zgjidh gjykata kushtetuese. Biseda u përqëndrua në dy sesione. Në këtë gjykatë patëm nderin të kishim edhe praninë e Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese gjermane ramë dakord që në të ardhmen të vazhdojmë bashkëpunimin në mes dy gjykatave duke i bërë edhe një ftesë Gjykatës Kushtetuese gjermane, kryetarit të saj, që në krye të delegacionit të vizitojë në një kohë të përshtatshme për ta gjykatën kushtetuese dhe Shqipërinë.

DW: Se kur do të kryhet vizita mbetet për t'u përcaktuar?

Kristo: Në fakt ata shprehën gatishmërinë, por periudhën kohën akoma nuk e kemi caktuar. Me t'u kthyer në Shqipëri unë i bëra një ftesë zyrtare. Shpresojmë ta realizojmë brenda vitit.

DW: Ku konsiston ndihma e Gjermanisë për drejtësinë shqiptare?

Kristo: Në fakt Gjykata Kushtetuese Gjermane është një pikë referimi jo vetëm për Gjykatën Kushtetuese Shqiptare, që është një gjykatë relativisht e re prej 17 vjetësh, por është një pikë referimi për të gjitha gjykatat kushtetuese të Evropës e në mënyrë të veçantë të vendeve të ish demokracive lindore. Nga ana tjetër ne si model Gjykata Kushtetuese Shqiptare Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë ka ngjashmëri me kompetencat e Gjykatës Kushtetuese Gjermane sidomos përsa i përket ankimit individual, ankimit për të vënë në lëvizje gjykatën kushtetuese nga individët. Dhe këtu ne gjetëm shumë përvoja pozitive, ashtu siç kemi gjetur dhe më parë, sepse në praktikën tonë ne shpesh për çështje delikate i referohemi praktikave të Gjykatës Kushtetuese Gjermane ashtu siç bëjmë edhe me Gjykatën Evropiane për të drejtat e njeriut.

DW: Kornizat ligjore perëndimore në Shqipëri janë krijuar tashmë, një nga problemet më të mëdha në fushën e legjislacionit është zbatimi i ligjit. Ku i shikoni ju problemet e dobësitë?

Kristo: Këtu ka një kontradiktë realisht midis nivelit jashtëzakonisht të mirë të hartimit të legjislacionit shqiptar, të përqasjes së këtij legjislacioni me legjislacionin e komunitetit evropian, por problemi kryesor mbetet në zbatimin e këtij ligji e të gjithë këtij kuadri ligjor. Për mendimin tim kjo lidhet jo vetëm me cilësinë e hartimit të legjislacionit, i cili lë për të dëshëruar, por lidhet edhe me kulturën ende të ulët demokratike në qëndrimin që kanë insitucionet përgjegjëse dhe qytetarët ndaj ligjit.

DW: Si do të ndihmojë Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë në ngritjen e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës?

Kristo: Në fakt kjo ndihmë ka filluar. Unë kam pritur në zyrën time përfaqësues të lartë të drejtësisë dhe institucioneve kushtetuese të Kosovës, duke filluar nga ministrja e Drejtësisë, Avokati i Popullit dhe në takime me ta ne kemi shprehur gatishmërinë që të ndihmojmë me ekspertizë, me ekspertët tanë drejtpërsëdrejti ngritjen e Gjykatës Kushtetuese në Kosovë. Realisht kjo ndihmë është konkretizuar edhe me hapa konkretë. Pak kohë më parë në qytetin e Ohrit u mbajt një tryezë e rrumbullakët, ku ndodheshin specialistë kosovarë. Nga Gjykata Kushtetuese shqiptare u dërgua një delegacion prej tre personash, specialistë nga gjykata jonë, të cilët ndihmuan konkretisht me mendimet e tyre. Dhe ndërkohë ne jemi të hapur që në çdo moment që të na kërkojnë ndihmë ne t'u ofrojmë atë për të qenë të suksesshëm edhe ata për ngritjen e kësaj gjykate. Në fakt edhe gjatë takimeve gjatë bisedave që patëm edhe me fondacionin IRZ ata janë shumë të interesuar për të dhënë këtë ndihmë dhe për të krijuar një partneritet midis nesh dhe tyre në drejtim të ngritjes dhe funksionimit të kësaj gjykate edhe në Kosovë.



  • Data 12.02.2009
  • Autor Angjelina Verbica
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Gsrq
  • Data 12.02.2009
  • Autor Angjelina Verbica
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Gsrq