1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Kriminaliteti në Greqi në rritje për shkak të krizës

Kohët e fundit në Athinë dhe qytete të mëdha si Selaniku u rrit ndjeshëm indeksi i krimeve. Brenda 2 ditëve u shënuan rreth 50 vjedhje dhe grabitje me armë, dy prej cilave në Athinë u kushtuan jetën njerëzve të pafajshëm

default

Varfëri në Athinë

Brenda një viti kanë hapur tri herë shtëpinë e saj dhe një herë tjetër atë të djalit të saj. “Kemi frikë, biri im. Kësaj radhe as i morëm vesh fare” thotë 90-vjeçarja Fotini Stilianu, që ngushëllohet me faktin “që nuk vranë njeri, pa në djall të venë paratë”. Se në departamentin tjetër të afërt të Athinës, në Kato Patisia, brenda 48 orësh në të njejtën rrugë, dy pensionistë, i pari në shtëpinë e tij dhe i dyti në dyqanin e basteve të motrës së tij humbën jetën e tyre nga grabitësit e pamëshirshëm.

Diebstahl Symbolbild

Diebstahl Symbolbild

Numri i grabitjeve në Greqi në rritje

“Ku kemi arritur? Kemi frikë të qarkullojmë në rrugë. Duhet të kemi pistoletën në xhep” thotë një banor i zonës, nën ndikimin sigurisht të ndodhisë së rëndë, që bëri të dëgjohej rëndom dhe shprehja “jemi bërë Çikago”. Për ironinë e fatit të dhënat e publikuara nga policia flasin për një rritje të ndjeshme të kurbës së krimeve të rënda, por edhe të lehta gjatë vitit 2009 në krahasim me një vit më parë, që e rendisin Greqinë ndër vendet evropiane me indeks të lartë kriminaliteti. Vitin e kaluar janë shënuar 199 vjedhje dhe hapje banesash në ditë, pra një në çdo shtatë minuta dhe 13 grabitje me armë, ose 1 në çdo dy orë, që në jo pak raste patën edhe viktima.


Shtohet pasiguria e qytetarëve

Ka vajtur tek s'mban më. Ashtu si në ekonomi edhe në sigurinë e qytetarit ka rënë sinjali i alarmit” deklaroi kreu i opozitës së djathtë Andonis Samaras duke prekur kështu nervin e ndjeshëm të sigurisë së qytetarit që përditë e më shumë po vihet në pikëpyetje nga fluksi i krimit.

DW Reporter Kostas Kyriakopoulos Albanien

Reporteri grek Kostas Qirjakopullos

“Sigurisht, nuk ka asnjë kundërshtim se kriminaliteti është i ndërlidhur me rrugën, që ndjek një shoqëri. Është ajo, që ka shkruar Marksi në “Kapitalin” e tij, se nuk do të kishte vjedhës kaq të mirë, në qoftë se nuk do të kishte dryna kaq të mirë” i thotë Deutsche Welles reporteri i mirënjohur grek i kronikës së zezë, Kostas Qirjakopullos, i cili ndërkohë diferencohet nga opinioni se qendrat e mëdha urbane të Greqisë janë “bërë Çikago”. Edhe pse, siç thuhet, në të gjithë vendin qarkullojnë rreth 1 milionë armë pa leje dhe nuk janë të pakta rastet e vetëgjyqësisë. " Nuk mund të bëhemi Çikago se nuk kemi kushtet e posaçme shoqërore” thekson Qirjakopullos, i cili vlerëson se “Greqia akoma nuk ka jetuar situata ekstreme kriminaliteti” pavarësisht flukseve të herëpashershme si ky i tanishëm, apo ai i qershorit të vitit 1992 me “16 krime për shtatë ditë me radhë”. Kriza, sipas tij, i ka drejtuar grabitësit aty, ku ka “para të majme”, nëpër Postat Greke, në dyqanet e bastit, tani dhe në metro dhe biznese, një tendencë që u përforcua që nga momenti që bankat vendosen dyer sigurie. “ Ka raste kur njerëz vriten, goditen me thikë, keqtrajtohen për pak euro”. Ky është, sipas tij, indeksi, që tregon se ku ka arritur kriminaliteti për shkak të krizës.

Banorët e qyteteve kërkojnë më shumë polici


Banorët e qendrave të mëdha urbane kërkojnë ndërkohë hapur “më shumë polici” pa i kushtuar dhe aq rëndësi përkujtesës të së majtës se “kush për hir të sigurisë sakrifikon lirinë nuk meriton as të parën as të dytën”. “Mendimi im personal është se në qoftë se Greqia dëshiron të konsiderohet një shtet modern evropian, duhet të fillojë pak nga pak të mendojë shumë seriozisht diferencimin ideologjik midis prezencës së policisë dhe privimit të njëkohshëm të lirive personale”, thotë bashkëbiseduesi ynë, i cili nuk sheh asnjë problem për liritë personale, “kur policia kryen detyrën e saj dhe vihet në mbrojtje të qytetarit”.

Illustration - Kriminalität: Polizist befestigt Handschellen bei einem Verbrecher

Një polic duke i vënë prangat një hajduti

Të njëjtin opinion shpreh në mikrofonin e DW edhe presidenti i Federatës Panhelenike të Nënpunësve Policorë Kristos Fotopullos. “Është fakt se qytetari ka tashmë shumë nevojë prezencën e policisë” thotë Fotopullos, i cili përshendet “patrullimet e grupeve policore në mjediset me indeks të lartë kriminaliteti”, por tërheq vëmendjen që kjo të mos bëhet “nën presionin e publicitetit dhe të nevojave të momentit”, siç ndodh zakonisht. Ndan të njejtin mendim se fluksi i kriminalitetit aktivizon " reflekset konservatore të shoqërisë” të sprovuar nga kriza. Por a ekziston rreziku i demonizimit të imigrantëve, që kanë sigurisht pjesën e tyre në rritjen e kriminalitetit dhe ç'pasoja mund të ketë një gjë e tillë për paqen sociale? “ Keni plotësisht të drejtë. Edhe ky rrezik është real. Mund të ketë fenomene të tilla, që policia nuk mund t'i përballojë vetë”, thotë Fotopullos, i cili shton se është e padrejtë që “defiçiti në politikën ndaj imigracionit t'i faturohet policisë”. Një polici efikase sipas tij është e nevojshme, por nuk është e mjaftueshme për të përballur krimin pa luftuar dhe burimin tjetër të tij, atë të pasojave të krizës.

Autor:Niko Anagnosti

Redaktoi: Angjelina Verbica

  • Data 08.04.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Mq2Q
  • Data 08.04.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Mq2Q