1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kriminaliteti i të huajve dhe nënshtetësia gjermane

Bernd Gräßler / pp / era10 Janar 2009

Kriminaliteti i të huajve është një temë e ndjeshme në Gjermani. Dhe tani që statistikat shënojnë një rënie të kriminalitetit të të huajve politikanët konservatorë diskutojnë çështjen e emigrantëve keqbërës

https://p.dw.com/p/GVcw
Policia gjermane arreston një person të dyshuar për kriminalitet
Policia gjermane arreston një person të dyshuar për kriminalitetFotografi: AP

Në vështrim të parë një zhvillim pozitiv thotë ministri i brendshëm i Bavarisë, Joachim Herrmann:

" Por duhet të shikojmë se çfarë qëndron pas saj, mos ndoshta fakti që gjithnjë e më shumë të huaj po marrin nënshtetësinë gjermane. Për këtë është e rëndësishme që të dëshmohet nëse dikush që ka nënshtetësinë gjermane nuk është me orgjinë gjermane, apo si thuhet në gjermanishten moderne, ka sfond emigracioni."


Duke filluar nga viti 2010 Bavaria do të shtojë në statistikat për kriminalitetin edhe një tregues, pra nëse personi në fjalë është me orgjinë gjermane apo i ardhur. Kjo gjë s'është e re. Ekspertët e çështjeve të sigurisë në rang landesh dhe federate ka kohë që merren me kriminalitetin dhe dhunën në radhët e të rinjve, sidomos në zonat me popullsi të dëndur. Një nga rekomandimet e ekspertëve ishte që në të dhënat e personave të dyshuar të përfshihej edhe vendi i origjinës, por kjo ide nuk u miratua në konferencën e vjetshme të ministrave të brendshëm të landeve.


Tani veç Bavarisë këtë model do ta aplikojë edhe Hamburgu vorangehen. Senatori i Hamburgut për punët e brendshme, Christoph Ahlhaus, CDU, thotë se me këtë veprim nuk synohet stigmatizimi i emigrantëve:


"Eshtë e qartë se nëse bën statistika shkencore nuk ke mundësi t'i përzgjedhësh paraprakisht apo t'i zbukurosh, shifrat janë shifra. Unë besoj se ato nuk do të çojnë në përbaltjen e emrin të një grupi apo tjetrit. Shembulli i Hamburgut me pasardhësit e gjermanëve të dikurshëm të riatdhesuar gjatë viteve të fundit tregon se gjërat mund të jenë edhe ndryshe."


Senatori Ahlhaus sqaron se një analizë provë për kriminalistikën në vitin 2006 kishte treguar se ndryshe nga ajo që mendonin qytetarët numri i veprimeve kriminale të kryera nga emigrantët në lagjen Bergedorf të Hamburgt ishte më i vogël se sa i popullsisë në përgjithësi. Prova statistikore e së njëjtës periudhë e bërë në Berlin flet një gjuhë tjetër, sipas saj 44,7% e të rinjve të dyshuar për veprime të dhunshme ishin me orgjinë të huaj.


Sipas ekspertëve të kriminalistikës të dhëna të tilla u vijnë në ndihmë nëpunësve për të përcaktuar rrethanat e edukimit dhe të formimit të personave të dyshuar, për të parë nëse kanë njohuri ligjore dhe për të përgatitur më mirë plane për risocializimin e tyre e kështu me radhë.


Por shumë politikanë, sidomos social-demokratë dhe të gjelbër mendojnë se jo të gjitha të dhënat që mund të jenë të vlefshme për policët, prokurorët, gjykatësit apo punonjësit socialë duhen përfshirë në statistikat zyrtare për kriminalitetin. Të gjithë e dinë që prejardhja sociale luan një rol të madh sa i përket priprjes për kriminalitet, thotë politikani social-demokrat Sebastian Edathy, kryetari Komisionit të Brendshëm të Bundestagut, babai i të cilit është nga India, por


"Propozimi që të përfshish në statistikë çështjen nëse dikush është autokton apo i ardhur është krejtësisht marrëzi. Dallimi brenda grupit të atyre që janë nënshtetas gjermanë nuk përputhet me kuptimin tim të ligjit themelor, kushtetutës, ku nuk flitet për këtë apo klasë gjermanësh, por për qytetarët gjermanë."


Surprizuese është mbështetja që po gjejnë kundërshtarët e përfshirjes së orgjinës në statistikat e kriminalistikës prej të ngarkuarës së qeverisë federale për integrimin e të huajve, Maria Bëhmer, e cila në përgjithësi nuk i kundërvihet me dëshirë partisë së saj. Politikania demokristiane thotë se ky propozim është një sinjal i gabuar për shumë të huaj që duan të integrohen në Gjermani. Shkaqet e kriminalitetit janë sipas saj shpesh marrëdhëniet problematike në familje dhe mungesa e perspektivës dhe kjo vlen si për të rinjtë me origjinë gjermane si me ata me prejardhje të huaj.