1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Kriminalitet në rritje në ushtrinë ruse

Autoritetet ruse bëjnë një bilanc të errët: kriminaliteti në ushtri është rritur së tepërmi në gjashtëmujorin e parë të vitit 2012. Aktivistët e të drejtave të njeriut japin alarmin e kërkojnë ushtri profesioniste.

Kriminaliteti në ushtrinë ruse është rritur

Kriminaliteti në ushtrinë ruse është rritur

Në ushtrinë ruse janë paguar në gjashtëmujorin e parë të vitit 2012 dyfish më shumë ryshfete se në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Numri i vrasjeve u rrit më shumë se 50 përqind dhe përdorimi i drogës u rrit më tepër se një të katërtën përqind. Njëkohësisht, numri i keqtrajtimeve në ushtri ra në një të tretën. Pa përmendur shifra të sakta, prokurori ushtarak rus Sergej Fridinski i paraqiti këto të dhëna në raportin e tij për prokurorinë e përgjithshme të vendit.

Më pak se e një e treta e personelit të ushtrisë ruse, e cila mendohet se ka afërsisht një milionë vetë përbëhet sot nga rekrutë që kryejnë shërbimin ushtarak. Më parë ata duhet të shërbenin si ushtarë edhe në luftërat e brendshme. Kështu mijëra rekrutë të shkolluar keq dhe të angazhuar në mënyrë joefektive vdiqën në të dy luftërat e Çeçenisë. Sot, në zona lufte si në Kaukaz dërgohen vetëm ushtarë profesionistë ose me kontratë, kjo me siguri edhe si pasojë e protestave nga populli. Kështu u organizua një "komitet i nënave të ushtarëve", i cili tematizon kushtet shumë herë të padurueshme të shërbimit për rekrutët.

Nëna ruse protestojnë

Nëna ruse protestojnë

Në Rusi ekziston detyrimi për shërbim ushtarak. Koha e shërbimit është dymbëdhjetë muaj. Qytetarët përpiqen që t'i bëjnë sa më shumë bisht thirrjes në ushtri, edhe përmes korrupsionit. Në bazë të vlerësimeve, aktualisht është vetëm një e treta e rekrutëve të një viti që e kryen me të vërtetë shërbimin ushtarak.

Dhuna ka shpesh motive ekonomike

Ella Poljakova, Kryetare e Degës së St.Petersburgut të organizatës ruse të të drejtave të njeriut "Nënat e Ushtarëve" nuk habitet nga shifrat e paraqitura nga prokurori ushtarak. Statistika e kriminalitetit i përgjigjet asaj që kishte llogaritur ajo: "Prej kohësh ne ankohemi se kushtet në ushtri janë një krim kundër humanizmit", theksoi Poljakowa në një bisedë me Deutsche Wellen. Si edhe më parë, vendimmarrësit marrin ryshfete gjatë procesit të thirrjes së rekrutëve. Edhe në kuadër të trupës, korrupsioni dhe dhuna janë shtuar. Shumë i përhapur është presioni që bëhet për karta bankare dhe para nga ushtarët dhe familjet e tyre. Kjo shoqërohet më tortura dhe rrahje.

Ella Poljakova, Kryetare e Degës së St.Petersburgut të Nënat e Ushtarëve.

Ella Poljakova, Kryetare e Degës së St.Petersburgut të "Nënat e Ushtarëve".

Sergej Kriwenko, drejtuesi i organizatës ruse të të drejtave të njeriut "Qytetarë. Ushtri. Ligj." tërheq vëmendjen në faktin se motivet për dhunën në ushtri kanë ndryshuar. "Më parë, dhuna shërbente më tepër për të vendosur rendin në trupë," thotë aktivisti i të drejtave të njeriut. Kurse sot dhunë ushtrohet më tepër prej motiveve ekonomike. "Në këtë mënyrë bëhen përpjekje që të merren paratë e të rinjve", thotë Kriwenko. Sipas tij njihen edhe raste ku ushtarët nuk kanë pranuar t'ua marrin paratë dhe prandaj i kanë vrarë.

Shpresë për reformimin e forcave të armatosura

Kriwenko është i bindur se vetëm krijimi i një ushtrie profesioniste do të sjellë një përmirësim të gjendjes. "Një ushtar profesionist ka një status krejt të ndryshëm juridik, ai është një ushtar i vërtetë, ka të drejta dhe detyrime. Ai shkon në ushtri si në vendin e tij të punës", thekson aktivisti i të drejtave të njeriut.

Autor: Maria Rüttinger/M.Ostaptschuk/ Auron Dodi

Redaktoi: Esat Ahmeti