1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Krime: Atmosferë e nxehtë dhe thuajse histerike

Në një atmosferë të nxehtë dhe pothuajse histerike, Rusia dhe Ukraina akuzojnë njëra-tjetrën se janë përgjegjëse për situatën në Krime.

Familja Solomaçin ka ditë që thuajse nuk mbyll sy. Ngjarjet dramatike në Krime i shqetësojnë shumë. Fjodori është rus, gruaja e tij Halyna ukrainase. "Putini le të mbrojë rusët në Rusi, unë mbroj Ukrainën time", thotë Fjodori me vendosmëri. Ai është i zemëruar për veprimet e Rusisë në Krime.

Ukraine Fjodor Solomachin

Fjodor Solomaçin

Familja Solomaçin jeton prej shumë vitesh në Kahovka, një qytet provincial në jug të Ukrainës. Televizori i tyre ri tani ndezur 24 orë në ditë dhe ata ndjekin zakonisht kanalin televiziv ukrainas "Kanali 5". Papritur vjen fqinji i tyre Kolja dhe thotë: "A e dëgjuat, fashistët në televizionin rus thonë se ne ukrainasit jemi fashistë!". Edhe Kolja është rus.

Konflikt mes "fashistësh" në të dyja anët?

Në atmosferën e nxehtë dhe pothuajse histerike, Rusia dhe Ukraina akuzojnë njëra-tjetrën se janë përgjegjëse për situatën në Krime. Shpesh në akuza përdoret fjala "fashistë" edhe pse nuk është gjithmonë e qartë se çfarë mendohet saktësisht me të. Mosmarrëveshja në këtë rast nuk kalon domosdoshmërisht përgjatë vijave etnike, si tregon edhe shembulli i familjes Solomaçin dhe i fqinjës së tyre Kolja. Shumë rusë që jetojnë në Ukrainë e ndjekim me shqetësim dhe tmerr ndërhyrjen ruse në Krime.

Familja Solomaçin

Familja Solomaçin

Kahovka gjendet rreth 100 kilometra larg "kufirit" të Krimesë. Por të krijohet përshtypja se gjendesh në ndonjë qytet në front. Fjodor Solomaçin është mbi 50, por thotë se do të merrte menjëherë armën në dorë në rast se në Ukrainë do të shpallej mobilizimi i përgjithshëm.

"Putini dhe Janukoviçi janë banditë"

Familja Solomaçin nuk e do Putinin. Ai është hajdut, gënjeshtar dhe megaloman. Është e qartë që presidenti i rrëzuar ukrainas Janukoviçi donte të sillte në Ukrainë modelin e pushtetit të korruptuar të Putinit. "Që të dy janë banditë," thotë Halyna. Edhe Fjodori nuk është dakord me Putinin. "Putini nuk është rus, ai është njeri i KGB-së" - thotë Halyna. Ajo është drejtoreshë e një shkolle ruse dhe anëtare e këshillit bashkiak në Kahovka. Halyana gëzohet për ndryshimin e pushtetit në Kiev.

Dy botë në Kahovka dhe Krime

Halyna thotë se lajmet në televizionin rus nuk kanë kuptim. " O Zot, çfarë budallallëqesh thonë ata të çmendurit! Si mund të kem unë gjë kundër rusëve? Ata janë vëllezërit tanë, rus është edhe Fjodor im," thotë ajo duke shtruar më pas pyetjet: "Pse njerëzit në Rusi e tolerojnë atë sistem hipokrit?"

Kur kthehem në Simferopol në Krime recepsionistja e hotelit, një ruse më pyet, nëse i kam intervistuar të gjithë "fashistët" në Ukrainë që duan të sulmojnë me bomba Krimenë. Ajo thotë se këtë e ka marrë vesh nga televizioni rus.

Vetëm 100 kilometra e ndajnë Krimenë nga Kahovka, por raportimi në mediat ruse dhe ukrainase është shumë i ndryshëm. Duket sikur njerëzit aty jetojnë ndërkohë në dy botë të ndryshme.