1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Portret

Krijimtaria mes Shqipërisë dhe Gjermanisë

“Arti ka forma shumë të holla për t`i kapërcyer të gjitha pengesat, që mund t’i nxjerrë një sistem diktatorial, si ai që kemi përjetuar", thotë artisti shqiptar, Sali Allmuça.

default

Piktori shqiptar Sali Allmuça

Qindra piktura, në të cilat dominojnë ngjyrat e fuqishme: e kuqja dhe bluja: Kjo të bie në sy në studion në Vupertal të piktorit Sali Allmuça. Përveç pejsazheve nga atdheu dhe tablove tematike, Allmuça ka për zemër veçanërisht portretin, sepse siç thotë ai: "duke dashur t'u flasësh njerëzve, ti ke zgjedhur idenë për t'u folur atyre, po me shëmbylltyra njerëzish. ”Ndërsa përmes kontrastit të ngjyrave ai sjell në Gjermani flladin mesdhetar. Piktori Allmuça vjen nga një familje tradicionale e Shqipërisë së Mesme.

Artisti mes diktaturës dhe lirisë

Der albanische Künstler Sali Allmuca

Ai studjoi në Akademinë e Arteve në Tiranë, punoi si piktor filmi, por edhe si lektor në Akademi për „Grafikë të Aplikuar“, deri sa në vitin 1990 do të largohej në drejtim të Gjermanisë, pikërisht në kohën, kur edhe shumë të tjerë kërkonin një jetë më të mirë jashtë Shqipërisë. Allmuça ndonëse ka përfituar mjaft nga jeta në Perëndim edhe sot e kësaj dite i mbetet mirënjohës shkollës dhe formimit të tij në Shqipëri.

Është e rëndësishme të jetosh i lirë, por edhe liria ka kufizimet e saj, thotë piktori Allmuça: “Arti ka forma shumë të holla për t`i kapërcyer të gjitha pengesat, që mund t'i bëjë një sistem diktatorial, si ai që kemi kemi përjetuar." Disiplina e punës ka qenë një nga tiparet thelbësore në fomimin e tij, gjë që e ka ndihmuar atë edhe në specializimet e mëtejshme duke u rradhitur në mesin e piktorëve bashkëkohorë perëndimorë. Ndoshta kjo ka bërë që ai në këto 20 vjet të jetë me një këmbë në atdhe dhe me një në Gjermani.

Der albanische Künstler Sali Allmuca

Si artist në profesion të lirë ai ka hapur mjaft ekspozita si në Gjermani edhe jashtë saj dhe është duke projektuar disa të tjera. Aktualisht ai është fokusuar në ekspozitën retrospektivë, që do të hapë në Berlin me rastin e 100 vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë: “Kjo është edhe një mundësi për t`i prezantuar publikut gjerman historinë e një kombi”, thotë ai.

Distanca me atdheun nuk e ka penguar atë që të jetë i pranishëm dhe të ndjekë nga afër zhvillimet në Shqipëri. Ajo çka vlerëson si artist në Gjermani dhe do ta dëshironte edhe për Shqipërinë, është përkujdesi për kulturën dhe trashëgiminë kulturore.

I përkushtuar për ruajtjen e pasurisë kulturore të vendlindjes

Der albanische Künstler Sali Allmuca

Atij i ka bërë veçanërisht përshtypje projekti në Dresden për rikthimin në origjinë të kishës së Zonjës së Madhe të shkatërruar nga bombardimet në fund të Luftës së Dytë Botërore. Allmuça konstaton me keqardhje: "Unë jam i mendimit që në këtë kohë ka dëmtime të jashtëzakonshme dhe monumentet e kulturës kombëtare shqiptare pothuajse janë harruar fare. Për mua Tirana është e dëmtuar deri në atë masë, sa nuk bëhet fjalë më për kthim të identitetit, dëmi është i pallogaritshëm." Me iniciativën e tij, Allmuça formoi Fondacionin për ruajtjen e kulturës kombëtare shqiptare. Ai punoi nga viti 2003 deri në vitin 2005 për ristrukturimin e Urës së Tabakëve, monument kulture i ndërtuar qysh në shekujt 17—18 në Tiranë. Por, siç shprehet piktori tiranas, "arti ka qenë dhe ka mbetur një tribunë për të ngritur zërin në formën dhe në mënyrë që të lejon piktura për të shprehur atë, që ti e ndjen, atë se çfarë ndodh në shoqërinë shqiptare në përgjithësi dhe çfarë ndodh me globalizmin në botë në veçanti."

Autor: Mimoza Cika-Kelmendi

Redaktoi: Angjelina Verbica