1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Kreu i liberalëve gjermanë Lindner kritikon misionin në Afganistan

Kandidati i liberalëve për kancelar, Christian Lindner (FDP) në intervistë me Deutsche Wellen, sulmon politikën e Merkelit për refugjatët. Por ai shprehet edhe për misionin në Afganistan, Turqinë e Krimenë.

"Misioni ushtarak në Afganistan nuk e mbaj më për të vazhdueshëm pa afat kohor", shprehet kreu i liberalëve, Christian Lindner në intervistë me kryeredaktoren e Deutsche Welles, Ines Pohl dhe moderatorin, Jafaar Abdul-Karim. Kandidati i liberalëve në garën elektorale të 24 shtatorit e arsyeton këtë me mossarritjen e qëllimeve të këtij misioni.

Afganistani - dështim, Turqisë i duhet treguar semafori i kuq

"Ndoshta edhe qëllimet për të bërë nga Afganistani një demokraci perëndimore të orientuar nga ekonomia e tregut kanë qenë nga pikëpamje kulturore e civilizuese mjaft ambicioze", thotë Lindner. "Në kohën që ishte në dispozicion". Angazhimi ushtarak ndërkombëtar nën drejtimin e Shteteve të Bashkuara po zgjat prej 16 vjetësh.

Edhe për çështje të tjera politikani 38 vjeçar nuk e mban gojën. Kështu duke folur për Turqinë, Lindner tha se pas ngjarjeve të fundit duhet që në bashkëpunimin ekonomik me këtë vend të vendosen të gjithë semaforët "tek e kuqja". "Për këtë i detyrohemi opozitës në Turqi", tha ai.

Por Lindner kritikoi ashpër edhe kancelaren gjermane në lidhje me politikën e refugjatëve. Procedurat e azilit janë të tejzgjatura. Lindner kërkon një status ligjor të posaçëm për ta, i cili mundëson mbrojtjen humanitare për një kohë të caktuar. Ai kërkon pas përcaktimit të identitetit të jepet një leje qëndrimi dhe akces i menjëhershëm në tregun e punës. "Por", Lindner kufizon, "kjo leje qëndrimi duhet të jetë e përkohshme" dhe "nëse në vendlindje është vendosur paqja njerëzit duhet të kthehen".

Dyert e Lindnerit

Për Lindner Gjermania është vend imigrimi. Por ky vend duhet të përcaktojë vetë se çfarë rrugësh duhet të ketë për ardhjen në Gjermani. "Dera e parë është azili. Kjo është një e drejtë individuale bazë, për të cilën nuk ka kufi, një numër shumë i vogël njerëzish bëjnë pjesë këtu, "pra që përndiqen individualisht", tha Lindner. "Dera e dytë është "refugjati". Ai kupton këtu njerëzit, të cilët nuk përndiqen personalisht, por që marrin arratinë nga lufta dhe dhuna.

Kur kryeredaktorja e DW-së, Ines Pohl kërkonte të dinte, nëse në këtë pikë duhet vendosur kufiri maksimal, Lindner u përgjigj se "aty ka një kufi maksimal, dhe ai është kapaciteti i një vendi, që t'i pranojë si duhet njerëzit". Por kandidati liberal nuk donte të fiksohej në një shifër të qartë për numrin e refugjatëve.

Për Lindner "dera e tretë" e politikës së emigracionit në të ardhmen duhet të jetë "imigrimi i kualifikuar". Me këtë ai ka parasysh përzgjedhjen e atyre që do duhet të vijnë në Gjermani. "Ne vendosim kush vjen, në bazë të njohurive gjuhësore, kualifikimit e të tjera." Dera e katërt mbetet për Lindner e mbyllur. "Kush nuk ka të drejtë azili, nuk është refugjat apo emigrant i kualifikuar, "ai nuk mund të vijë në Gjermani, nuk mund të qëndrojë këtu".

Nëse Lindner do mund të realizojë vizionin e tij politik për emigracionin, kjo do të varet nga rezultati zgjedhor dhe koalicionet për qeverinë e ardhshme. Aktualisht partia liberale, FDP momentalisht arrin 8%, në një nivel me Të Gjelbrit dhe të Majtën. Për një aleancë me unionin e CDU-së dhe CSU-së, kjo shifër e liberalëve nuk mjafton.

Krimeja - gjendje provizore e pandërprerë

Por nëse liberalët do të ulen në tryezën e qeverisë pas 24 shtatorit, atëherë Lindner bën të ditur, se do të kthehet në "traditën e politikës gjermane të çtensionimit". Kjo fjali u dëgjua në intervistën me DW, pasi kreu i liberalëve u shpreh për aneksimin e Krimesë dhe deklaratat e tij që shkaktuan mjaft debat. "Kam frikë se Krimeja do shihet si një gjendje provizore e pandërprerë", tha ai për një gazetë gjermane.

Lindner e mbrojti propozimin e tij. Ai theksoi, se aneksimi i Krimesë është shkelje e së drejtës ndërkombëtare, por theksoi edhe se politika gjermane e çtensionimit ka lidhur gjithmonë dy anë: Ashpërsinë dhe aftësinë për dialog. "Ne e ngrijmë konfliktin, pa e pranuar atë, dhe ofrojmë oferta për çështje të tjera."

I pyetur se kë do të merrte në një ishull të vetmuar, Lindner vendosi për politikanin e Gjelbër, Cem Özdemir. "Ne së paku kemi përse të qeshim, edhe pse do qeshim për njëri-tjetrin", tha kreu i liberalëve.

Intervista u zhvillua nga kryeredaktorja e Deutsche Welles, Ines Pohl dhe moderatori Jaafar Abdul-Karim