1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Krerët e Misionit evropian për polici dhe drejtësi, EULEX, e shpallen misionin operativ në të gjithë territorin e Kosovës

6 Prill 2009

Vendosjen e rendit dhe ligjit sidomos në veri të Kosovës e kërkoi edhe një delegacion i parlamentit evropian, i cili po qëndron në Kosovë.

https://p.dw.com/p/HRNH

Ata thanë se progresi nuk mund të arrihet brenda natës, por që nga vendosja e misionit në Kosovë katër muaj më parë të paktën është shënuar respekt për parimet e sundimit të ligjit. Analistët nga ana e tyre thonë se, misioni EULEX, ka bërë shtrirje të ngadalshme në veri të Kosovës dhe e ka të vështirë të përmirësojë gabimet e UNMIK-ut.

Një delegacion nga parlamenti evropian i kryesuar nga eurodeputetja, Doris Pack, i cili po qëndron në Kosovë, kërkoi nga misioni evropian EULEX, që të jetë me funksional në veri të Kosovës dhe të ndalë krimin e organizuar në këtë pjesë të Kosovës. Doris Pack tha se veriu i Kosovës është bërë oaz i krimit, ku janë të përfshirë jo vetëm serbët e Kosovës, por edhe shqiptarët. Këto komente eurodeputetja Doris Pack i bëri gjatë një vizite në Prishtinë në kohën, kur misioni evropian EULEX shpalli misionin plotësisht operativ në të gjitha rajonet e vendit.

“Ne vërtetë dëshirojmë që misioni EULEX të shtrihet në të gjithë rajonin e Kosovës, sepse kjo është në interes të të gjithëve. Nëse e shikoni veriun e Kosovës, është një çmenduri se si ajo pjesë është bërë oaz i krimit të organizuar, ku serbët dhe shqiptarët së bashku zhvillojnë kontrabandë dhe bëjnë gjëra të këqia, prandaj ne mendojmë se EULEX duhet të jetë më shumë operativ në veri dhe të gjitha komunitetet ta pranojnë misionin, i cili vendos rend dhe ligj”, thotë Doris Pack. Krerët e misionit evropian, EULEX, thonë se misioni i tyre tash është shtrirë në të gjitha rajonet e Kosovës, edhe pse pranojnë që në veri të vendit akoma ka pak përsonel të misionit. Yves de Kermbabon, është shef i misionit EULEX.

Kosovo EU Yves de Kermabon Leiter der EU-Krisenmission EULEX KOSOVO
Shefi i misionit Eulex, Yves de KermabonFotografi: AP

“Progresi nuk mund të arrihet brenda natës. Megjithatë na ndihmon fakti se ka respekt për parimet e sundimit të ligjit, për të drejtat individuale, për pavarësi dhe ndarje të barabartë të drejtësisë. Të gjitha këto janë suksese kyçe për EULEX-in dhe po ashtu suksese me rendësi për Kosovën”, tha Kermabo.

Analistët kosovarë nga ana e tyre thonë se misioni evropain EULEX tashmë ka shtrirë misionin në të gjitha rajonet e Kosovës, mirëpo sipas tyre misioni akoma nuk është plotësisht operativ në veri të Kosovës. Analisti Ramush Tahiri thotë se misioni EULEX e ka të vështirë të përmirësojë të gjitha gabimet, që ka bërë UNMIK-ut në veri të Kosovës.

“Ka dhjetë vjet që në veri të Kosovës e kemi një situatë të ngjashme, ku në tri komunat e banuara më shumicë serbe nuk funksionojnë as ligjet e UNMIK-ut e as ligjet e institucioneve të Kosovës. Kjo pjesë ishte një konglomerat i të gjithë kriminelëve dhe i të gjitha shërbimeve dhe këtë pjesë ata e konsideronin si terren shumë të mirë për aktivitetet e tyre të jashtëligjshme. EULEX po bën shtrirje të ngadalshme në këtë pjesë duhet pritur rezultatet, por një gjë duhet të jetë e qartë se EULEX nuk mund të përmirësojë gabimet, që ka bërë UNMIK-u”, thotë analisti Ramush Tahiri.

Sidoqoftë anëtarët e delegacionit të parlamentit evropian thanë se administrata e Kombeve të Bashkuara nuk duhet të ketë më rol në Kosovë, sepse sipas tyre ky mision ka kryer punën e vet. Ata thanë se duhet fuqizuar roli i institucioneve të Kosovës, EULEX t'i ndihmojë ato ne vendosjen e rendit dhe ligjit dhe në këtë mënyrë Kosova si shteti më i ri në Evropë të dëshmojë së është i aftë të arrijë vlerat evropiane.

Autor: Bekim Shehu

Redaktoi:Angjelina Verbica