1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kremlini kundërshton akuzat për helmimin e ish-agjentit rus

13 Mars 2018

Rusia i ka hedhur poshtë si qesharake kritikat britanike se është e përfshirë në atentatin e helmimit për ish-agjentin e dyfishtë. Ndërkohë BE tha se mbështet pozicionin e Britanisë së Madhe.

https://p.dw.com/p/2uFKX
England Theresa May Salisbury incident
Fotografi: picture-alliance/dpa/empics/PA Wire

Bëhet fjalë për një "fushatë politike" të qeverisë britanike - mbi "bazën e provokimeve" deklaroi ministria e Jashtme ruse. "Kemi të bëjmë me një numër cirku në Parlamentin britanik", tha zëdhënësja e ministrisë Maria Saharova duke pasur parasysh deklaratat më të fundit të kryeministres Theresa May. Në Londër përhapen "përralla" tha Saharova.

Të hënën May bëri të ditur se "me shumë gjasa" Rusia qendron pas helmimit të Sergej Skripalit dhe bijës së tij Julia. Një analizë e gazit nervor të pëdorur në atentat arriti në këtë përfundim. Ose Moska e ka drejtuar sulmin ndaj agjentit të dyfishtë rus ose ajo ka lejuar që helmi të kalojë në duar të tjera, tha May.

England Giftanschlag gegen Sergej Skripa
Fotografi: picture-alliance/dpa/AP Photo/A. Matthews

May i vuri Rusisë një ultimatum deri të mërkurën në mbrëmje. Deri atëherë Kremlini duhet të japë sqarime, përndryshe pasoja do të jenë "sanksione shumë më drastike". "Po të mos jepet një përgjigje e besueshme, ne do të konstatojmë se kemi pasur një përdorim të kundërligjshëm të dhunës të shtetit rus kundër Mbretërisë së Bashkuar", bëri të ditur May.

"Pasoja serioze"

Ndërkohë, edhe qeveria e SHBA beson se në rastin e Skripalit gjurma çon në Rusi. SHBA janë të të njëjtit mendim me Londrën, që Rusia është "ndoshta përgjegjëse" për aktin, deklaroi para shkarkimit sot, ministri i Jashtëm i SHBA, Rex Tillerson. Presidenti i SHBA, Donald Trump deklaroi po sot (13.03.) se përgjegjëse për atentatin atij i "duket se do të jetë Rusia, bazuar në të gjitha evidencat që kemi". Trumpi u tha reporterëve se do të telefononte me Mayn po të martën. "Sapo t'i kemi mbledhur faktet, po të jemi dakord me to, ne do ta dënojmë Rusinë", tha Trumpi.

Edhe për NATO-n helmimi i ish-spiunit është shkas për "shqetësim të madh", siç bëri të ditur sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg. Përdorimi i çdo lënde helmuese luftarake është "për t'u përçmuar" dhe "krejt i papranueshëm", tha ai.

Bildkombo - Sergei Skripal und seine Tochter Yulia

Bashkimi Evropian tha se mbështet pozicionin e Britanisë së Madhe. Një zëdhënëse e së Ngarkuarës me Politikën e Jashtme të BE, Federica Mogherini tha se përpjekja për ta vrarë ish-spiunin rus në Britani qe "shokuese" dhe BE është i gatshëm ta mbështesë Britaninë e Madhe.

Skripali pati tradhëtuar dyzina agjentësh rusë tek shërbimi i fshehtë britanik, përpara se ta arrestonin në vitin 2004 në Londër. Në vitin 2006 atë e dënuan me 13 vjet heqje lirie. Në vitin 2010 ai gjeti strehim në Britaninë e Madhe, pas një këmbimi me spiunë rusë. 66 vjeçari Skripal dhe bija e tij 33 vjeçare u gjetën pa ndjenja në 4 mars, në qytetin e Anglisë Jugore Salisbury. Që atëherë ata luftojnë në klinikë me vdekjen.