1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Krasniqi: Strukturat ilegale nuk janë zëri i qytetarëve serbë të Kosovës

Këtë javë përfaqësuesit e komunave paralele në Zveçan dhe pjesës veriore të Mitrovicës morrën një vendim për mbajtjen e referendumit të paralajmëruar më parë, më 14 dhe 15 shkurt të vitit të ardhshëm.

Në foto, Jakup Krasniqi

Në foto, Jakup Krasniqi

Referendumi sipas organizatorëve do të përcaktonte nëse serbët e Veriut do të pranojnë instalimin e institucioneve të Republikës së Kosovës në atë pjesë të Kosovës. Pjesëmarrësit  e kuvendit të këtyre komunave paralele e cilësuan këtë ngjarje si shprehje e lirë vullnetit të popullit. Sipa tyre referendumi do të tregojë që serbët në veri të Kosovës nuk duan të jenë pjesë e institucioneve të Prishtinës.

Pamje nga veriu i Mitrovicës

Pamje nga veriu i Mitrovicës

Kryetari i Parlamentit të Kosovës, Jakup Krasniqi theksoi për DW-në se kjo ide e referendumit është vazhdimi i tendencës së një grupi  qytetarësh serbë apo të strukturave serbe të Beogradit në Kosovë, të cilët kanë bërë përpjekje prej  vitesh që këta qytetarë të mos inkuadrohen dhe integrohen në jetën institucionale të Republikës së Kosovës. Edhe kjo përpjekje tani është vazhdimi i tendencës së mëparshme, thotë Krasniqi duke shtuar se i bie përgjegjësia Beogradit që të punojë në këtë drejtim: ”Jemi të bindur që këta qytetarë serbë që janë në këto struktura të jashtëligjshme dhe ilegale në Kosovë nuk mund të jenë zëri i qytetarëve serbë të Kosovës që dëshirojnë të bëhen pjesë e integruar e jetës politike, shoqërore dhe publike. Prandaj është detyrë dhe përgjegjësi e Beogradit  ndaj të cilit duhet të vazhdojë presioni pozitiv i Brukselit për t'i shpërbërë këto struktura që janë bërë pengesë veçanërisht e qytetarëve në pjesën veriore të Kosovës”, tha Krasniqi.

Edhe Beogradi kundër referendumit në veri

Shefi i delegacionit serb në negociatat mes Prishtinës dhe Beogradit Borko Stefanoviq e cilësoi referendumin si një “iniciativë të keqe”. " Referendumi është i panevojshëm dhe sjellë probleme të mëdha", i tha ai agjencisë së lajmeve Tanjug. Edhe ministri serb për Kosovën, Goran Bogdanoviq u shpreh  kundër nismës së serbëve të Veriut për mbajtjen e një referendumi të tillë. Sipas tij, referendumi  është një vendim politik i opozitës. Një vendim i tillë, tha ia më tej, bllokon rrugën evropiane të Serbisë. Sekretari i Ministrisë për Kosovën në qeverinë serbe, Oliver Ivanoviç e quajti të kotë nismën e dy kryetarëve të komunave paralele në Veri. Sipas tij referendumi nuk duhet të mbahet dhe  nëse mbahet, shkon në dëm të vetë serbëve të Veriut.

Në foto, Ramush Tahiri

Në foto, Ramush Tahiri

Edhe kryetari ilegal i komunës së Leposaviqit Branko Niniq ka deklaruar të enjten (29.12.) për agjencinë e lajmeve Tanjug se: "Kushtetuta e Serbisë qartë thotë se Kosova është pjesë e Serbisë dhe për arsye referendumi nuk është i nevojshëm."

Nga ana tjetër analisti për çështjet juridike dhe këshilltari i presidentes së Kosovës, Ramush Tahiri zhvillimin e referendumit si një shprehje e lirë e vullnetit të popullit e hedh poshtë sepse sipas tij Kosova është shtet sovran dhe i pavarur ku të drejtat e qytetarëve realizohen përmes kushtetutës dhe ligjeve të Republikës së Kosovës. Gjithashtu Kosova ka shtesë edhe pakon e Ahtisarit që garanton të drejtat e të gjitha komuniteteve dhe në këtë kuadër edhe  të popullit serb që jeton në Kosovë. Eshtë e padrejtë dhe e paligjshme që një komunë apo dy komuna në veri të shpallin referendum lidhur me njohjen ose jo të pushtetit të Kosovës”.

Por përse këto komuna përballen me një situatë të tillë? 

Sipas analistit Ramush Tahiri, faktori kryesor është mungesa e vullnetit politik për ta pranuar pavarësinë e Kosovës. Dhe ata nisen nga parimi se nëse shqiptarët nuk dëshironin të jetonin në Serbi, atëherë dhe këta qytetarë serbë nuk duan të jetojnë tek shqiptarët në Kosovë. Por kjo është e papranueshme pasi numri i banorëve aktualisht në këto komuna që duan referendum nuk i kalojnë 20.000 banorë dhe në këtë nivel askund në botë nuk  ka  vetëdeklarim të përkatsisë nacionale. E drejta e vetëdeklarimit apo e vetëvendosjen nuk nënkupton kategorinë e komunave askund në botë.“

Pamje ilustruese nga veriu i Kosovës

Pamje ilustruese nga veriu i Kosovës

Ajo që tani kërkohet është angazhimi më i madh i të gjitha institucioneve vendore dhe ndërkombëtare në veri të Kosovës  për organizimin e zgjedhjeve të reja jo në kuadër të Serbisë, por në kuadër të ligjeve dhe kushtetutës së Republikës së Kosovës që qytetarët të zgjedhin përfaqësuesit e tyre dhe të bëhen pjesë legale e institucioneve të Kosovës. Sipas kryeparalmentarit të Kosovës, Krasniqi: “Të gjithë faktorët ndërkombëtarë dhe vendorë duhet të përpiqen që të krijojnë në këto komuna një jetë institucionale, të ligjshme dhe në interes të qytetarëve serb në përgjithësi, dhe të qytetarëve serbë në pjesën veriore në veçanti“.

Autore: Mimoza Cika Kelmendi

Redaktoi: Esat Ahmeti

DW.COM