1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

KQZ zgjedhësve në Shqipëri: Respektoni ligjin në procedurat e votimit

KQZ u bën thirrje gjithë anëtarëve të komisioneve në qendrat e votimit të kryejnë detyrën “me përgjegjshmëri, profesionalizëm dhe paanësi" në gjithë procedurat që parashikon procesi i votimit në zgjedhjet e 23 qershorit.

default

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, u ka bërë thirrje gjithë anëtarëve të komisioneve në qendrat e votimit të kryejnë detyrën “me përgjegjshmëri, profesionalizëm dhe paanësi ” në gjithë procedurat që parashikon procesi i votimit në zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit.

Në një deklaratë zyrtare KQZ u kërkon atyre që “pavarësisht se përfaqësojnë forca të ndryshme politike të respektojnë me rigorozitet kuadrin ligjor në çdo veprim, qëndrim, procedurë”.

Të njëjtin apel KQZ u bën edhe anëtarëve të Komisioneve të Konave të Administrimit Zgjedhor, Grupeve të Numërimit të votave deri në tabelimin përfundimtar të rezultateve. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, garanton të gjithë votuesit shqiptarë,vazhdon deklarata, se do të zbatojë me korrektësi të gjitha kërkesat ligjore dhe nuk “do të lejojë askënd të cënojë mbarëvajtjen e votimit dhe numërimit të votave, për t’i garantuar çdo votuesi ushtrimin e qetë dhe të lirë të së drejtës kushtetuese të votës”.

Thirrja e KQZ- së për të respektuar ligjin bëhet në një kohë kur forcat politike dështuan të zgjidhin krizën e mosfunksionimit të plotë të këtij komisioni, pasi KQZ-ja nuk funksionon e kompletuar por vetëm me 4 anëtarë në vend të 7 syresh, gjë që nuk i mundëson të marrë vendime me shumicë të cilësuar prej 5 votash, më i rëndesismi prej të cilëvë është ai i çertifikimit të rezultatit të votimit.

Rreth tre milionë qytetarëve të Shqipërisë u është bërë thirrje të japin votën per zgjedhjen e parlamentit të ri. Për mbarëvajtjen e procesit të votimit janë angazhuar 6.200 forca të ruajtjes së rendit si edhe janë në gadishmëri helikopterë të ushtrisë për të ndërhyrë në zonat ku mund të shfaqen probleme të prishjes së rendit, bëjnë të ditur burime zyrtare nga policia e shtetit. Gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet e 23 qershorit policia e shtetit garantoi për mbarëvajtjen e 3.312 aktiviteteve elektorale dhe menaxhoi 44 incidente elektorale.