1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Kothenschulte: Krizat politike janë katastrofale për zhvillimin e Kosovës

Ka gjermanë që në rastet kur mungojnë informacionet në gjuhën gjermane, ndjekin agjencitë e lajmeve në gjuhën shqipe për tu informuar për ngjarjet në Kosovë. Një prej tyre është edhe gazetari Markus Kothenschulte.

default

Deutsche Welle: Zoti Kothenschulte a ka qenë e mundur të shmanget kriza e parë kushtetuese në Kosovë?

Markus Kothenschulte: Unë shoh dy faktorë të rëndësishëm që shkaktuan këtë krizë kushtetuese: njëri është se disa partive politike ishin të interesuara të shkaktorin këtë krizë kushtetuese dhe tjetri se kushtetuta dhe sistemi zgjedhor favorizojnë krizat e tilla. Presidenti zgjidhet nga parlamenti dhe për zgjedhjen e tij është e nevojshme që të ketë më shumë se një kandidat. Përveç kësaj duhet që të pranishëm në seancë të jenë 80 nga 120 deputetët e parlamentit. Në këtë mënyrë nëse opozita ka më shumë se 40 deputetë në parlament e ka shumë të lehtë të pengojë një zgjidhje të vlefshme. Kështu që Gjykata Kushtetuese e Kosovës, nuk ka pasur se si të veprojë ndryshe përveçse të shpall si të pavfefshme zgjedhjen e Behxhet Pacollit për president, për shkak se nuk ishin plotësuar kushtet. Tani natyrisht që mund argumentohet se për shkaqe të interesave kombëtare politikanët e opozitës megjithatë duhet të evitojnë lojra të tilla dhe të kujdesen që presidenti të votohet, por nga ana tjetër përse duhet ta bëj opozita një gjë të tillë. Kjo është gjëja më e natyrshme në botë. Edhe në parlamentet perëndimore politikanët vendosin në mënyrë taktike për t‘i shkaktuar humbje qeverisë siç kemi të bëjmë në këtë rast.

Deutsche Welle: Çfarë sistemi zgjedhor do t'i vështirësonte manovrat e tilla dhe do të siguronte një shumicë të qëndrueshme?

Markus Kothenschulte: Sistemi zgjedhor aktual në Kosovë është një sistem proporcional. Kjo do të thotë, se të paktën për sa i përket partive të shumicës shqiptare në parlament, pra numri i vendeve është përafërsisht i barabartë me numrin e votave të dhëna. Njëjtë si në Gjermani kur ekziston pragu elektoral prej pesë për qindshit. Një sistem zgjedhor proporcional favorizon zhvillimin e partive të vogla dhe detyron krijimin e koalicioneve, për shkak se shumicat absolute janë shumë të rralla. Në Kosovë kjo vështirësohet nga fakti se pakicat etnike, pra komuniteti serb dhe pakicat e tjera i kanë të garantuara një numër të caktuar të vendeve në parlament. Në këtë mënyrë është shumë e vështirë arritja e një shumice stabile për njërën nga partitë e mëdha politike shqiptare, për këtë nuk do të mjaftonin edhe nëse ndonjëra prej tyre do të fitonte 50 për qind të votave. Ky sistem zgjedhor është përcaktuar në planin e Ahtisarit me të cilin duhej të pengohej që pakica serbe dhe pakicat e tjera më të vogla mos të jenë të mbivotuara nga shumica shqiptare. Kjo së bashku me sistemin zgjedhor proporcional bëjnë, që asnjë parti mos të fitojë shumicën në parlament dhe të jetë e detyruar për krijimin e koalicioneve. Po ashtu edhe skena politike në Kosovë është relativisht shumë e shpërndarë çka bën që të ketë shumë parti me relativisht pak vota të fituara.

Markus Kothenschulte Journalist

Markus Kothenschulte

Deutsche Welle: Zoti Kothenschulte, po sipas jush si mund të krijohet një shumicë stabile?

Markus Kothenschulte: Për të krijuar një shumicë stabile natyrisht që po të llogaritet thjesht në formë aritmetike do të ishte ideale sikur të hiqej trajtimi i privilegjuar i pakicave dhe ndoshta të gjendeshin garanci të tjera për pakicat, të cilat do të parandalonin kufizimin e të drejtave të tyre. Megjithatë kjo nuk është e mundshme politikisht, nuk do të pranohej as nga faktori ndërkombëtar dhe një përpjekje e tillë me siguri që as nuk do të ndërmirret kështu që mbetet vetëm një mundësi tjetër, që do të ishte sistemi zgjedhor maxhoritar si përshembull sistemi zgjedhor në fuqi në Britani të Madhe. Kjo do të thotë se vendi ndahet në zona zgjedhore dhe kandidati apo kandidatja me shumicën e votave fiton në zonën zgjedhore, kurse votat e tjera nuk çojnë më peshë. Një sistem zgjedhor maxhoritar siguron dominimin e një partie në parlament apo të pak partive, në rastet kur partitë janë përafërsisht njësoj të fuqishme… Në Kosovë aktualisht nuk kemi të bëjmë me një rast të tillë prandaj një sistem zgjedhor maxhoritar si në Britaninë e Madhe apo si në Francë ku kandidati që fiton mbi 50 për qind të votave në raundin e parë fiton vendin në parlament dhe në rastet kur nuk ka asnjë kandidat me 50 për qind të votave të fituara atëherë organizohet raundi i dytë, ku përballen me njëri-tjetrin dy kandidatët me më së shumti vota të fituara. Një gjë e tillë të paktën mund të reduktojë fragmentimin e parlamentit.

Deutsche Welle: Çfarë ndikimesh mund të ketë kriza e fundit në bisedimet mes Prishtinës dhe Beogradit?

Markus Kothenschulte: Tani ekziston një plan relativisht i gjatë veprimi për kapërcimin e krizës kushtetuese, do të krijohen komisione të cilat duhet të ndryshojnë sistemin zgjedhor, kjo do të thotë që qeveria aktuale Thaçi do të vazhdojë qeverisjen por de facto do të jetë një qeveri kalimtare, njëjtë sikurse presidentja e re që pritet të zgjedhet e cila do të jetë një presidente kalimtare. Qeveri të tilla apo institucionet të tilla janë zakonisht të dobëta, zgjedhjet janë gjithmonë në prag të derës dhe unë nuk mendoj që përfaqësuesit shqiptarë në bisedimet me Beogradin do të mund të bëjnë ndonjë lëshim për shkak se një gjë e tillë do të favorizonte në zgjedhjet e ardhshme partitë nacionaliste siç është partia Vetëvendosje. Pra lëshimet në këtë kohë mund të jenë vetëvrasje politike prandaj nuk pres që këto bisedime të jenë shumë të frytshme.

Deutsche Welle: Çfarë ndikimesh mund të kenë krizat e tilla për zhvillimin politik dhe ekonomik të Kosovës në rrafshin ndërkombëtar?

Markus Kothenschulte: Çfarë bëjnë investuesit potencialë, çfarë bëjnë qeveritë e huaja nëse kanë të bëjnë në Kosovë me qeveri të dobta, jetëgjatësia e të cilave mund të jetë vetëm disa muaj sepse koalicioni është i dobët, dhe sepse zgjedhjet e tjera ndodhen në prag të derës? Atyre ju ngrihen flokët përpjetë dhe largohen shpejt. Kosova është një vend i dobët dhe përshtypja që krijojnë krizat e tilla në rrafshin ndërkombëtar janë katastrofale.

Intervistën e zhvilloi Esat Ahmeti

Redaktoi: Aida Cama